E Diel, 1 Nëntor 2026

15 mars 2008 - Topalli merr mesazhe mbështetjeje nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, shomologë dhe ambasadorë

Kryetarja e Kuvendit ka marrë sot mesazhe mbështetjeje nga homologë të saj dhe ambasadorë të akredituar në Tiranë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, duke shprehur solidaritetin e plotë të Institucioneve të Kosovës në momentet e hidhura për Shqipërinë, në mesazhin e tij ndër të tjera shkruan:

Ju shkruaj për tju shprehur ngushëllimet e mia më të afërta dhe të sinqerta për humbjen tragjike të një numri të qytetarëve të Shqipërisë nga shpërthimet në depot e municioneve në fshatin Gërdec.

Kjo tragjedi me përmasa kaq të mëdha për popullin shqiptar ka shkaktuar emocion dhe keqardhje të thellë tek unë personalisht dhe tek mbarë qytetarët e Kosovës.

Institucionet dhe populli i Kosovës po e ndjekin me shqetësim këtë ngjarje të dhimbshme në Shqipëri dhe janë gati të ofrojnë çdo ndihmë që varet prej tyre.

Edhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch në mesazhin e tij ndër të tjera shprehet:

Shkëlqesi, në emër të Prezencës së OSBE-së ju lutem pranoni ngushëllimet tona të sinqerta për ju dhe popullin shqiptar për ngjarjen tragjike të ndodhur sot. Unë jam në zyrën time së bashku me stafin tim të gatshëm për tju ndihmuar në çdo mënyrë.

Ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha në një mesazh dërguar Kryetares Topalli shpreh ngushëllimet për tragjedinë e sotme. Jemi në lutje për të gjithë ata që sot po vuajnë, thuhet në mesazhin e z. Berisha.

Edhe ambasadorja e Zvicrës në Tiranë me anë të një telefonate ka ofruar mbështetjen dhe ndihmën e vendit të saj për tragjedinë e ndodhur.

Ndërkohë, Kryetares së Kuvendit vazhdojnë ti vijnë mesazhe mbështetjeje nga personalitete të vendeve të ndryshme.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›