E Shtunë, 31 Tetor 2026

11 shtatori, Shqipëria në krah të SHBA në luftën kundër terrorizmit

TIRANE- Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka publikuar në faqen e saj zyrtare në internet një deklaratë në përkujtim të 10-vjetorit të sulmeve terroriste në SHBA ku thuhet se “Ngjarja tragjike e 11 shtatorit shënoi edhe një epokë të re në angazhimin në një koalicion të të gjithë popujve që kanë përqafuar parimet universale të lirisë kundër kërcënimit terrorist e paqes.”

“Ne i qëndrojmë sot në krah popullit amerikan për të përkujtuar me dhimbje të thellë humbjen e rreth tre mijë qytetarëve të pafajshëm, mes të cilëve edhe bashkëkombës shqiptarë dhe i shprehim solidaritetin dhe mbështetjen tonë gjithë familjarëve që humbën njerëzit e tyre të dashur. “-vijon me tej deklarata.

“Shqiptarët ndihen krenarë që ishin ndër të parët që dënuan fuqishëm këtë sulm barbar dhe iu bashkuan koalicionit ndërkombëtar anti-terrorizëm të udhëhequr nga SHBA.Në këtë ditë simbolike, të ngadhënjimit të paqes ndaj dhunës, konfirmojmë sërish vullnetin e palëkundur se Shqipëria do të vazhdojë të jetë në linjën e parë, në përmbushjen me përkushtim të angazhimeve të saj përkrah aleatëve dhe partnerëve të NATO-s, për të realizuar me sukses luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe garantimin e paqes dhe sigurisë në botë.” Përfundon deklarata e ministrisë sonë të Jashtme.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›