E Shtunë, 31 Tetor 2026

Helm në kanalin e Darëzezës, ngordhin kuintalë me peshq

FIER- Kuintalë peshku të helmuar janë gjetur mesditën e djeshme në kanalin kryesor të Darëzezës nga banorë të këtij fshati. Lajmi konfirmohet si nga burime të policisë që kanë shkuar në vendngjarje për të verifikuar ashtu edhe nga banorë të zonës.

Sipas këtyre burime, mësohet se persona ende të paidentifikuar kanë hedhur sasi të mëdha helmi Teodan apo Ure në kanalin kryesor që përshkon këtë fshat. Për pasojë, sasi të mëdha peshku (pohohet me kuintalë) kanë ngordhur dhe kanë dalë në sipërfaqe të ujit. Ky kanal derdhet në hidrovor e më pas në detin Adriatik. "Uji i kanalit duket me sy të lirë që është i ndotur. Helmi i hedhur në kanal ka dëmtuar rëndë faunën e tij", shprehen specialistët.

Ndërkaq, pohohet se kuintalë të tëra peshku të llojeve të ndryshme janë marrë nga banorë të zonës për t'u tregtuar edhe për t'u përdorur për gatim. Të alarmuar, specialistët e Bujqësisë në Fier pohojnë se përdorimi i tij për konsum sjell pasoja të rënda për shëndetin e konsumatorit. Ata pohojnë se po marrin masa për bllokimin e sasive të peshkut që mund të gjejnë në tregje të ndryshme në Fier. Nga ana tjetër, ndotja paraqet rrezik dhe për bagëtinë që kullosin apo pinë ujë në kanalin e Darëzezës. Kryekomunari i Ndërmënasit, Viktor Fasko është vënë në dijeni të problemit. Ai thotë se në bashkëpunim me policinë po punojnë Për identifikimin e personave që helmuan kanalin e Darëzezës dhe vënien e tyre para Drejtësisë.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›