E Diel, 1 Nëntor 2026

11 shtatori me frike rritet niveli i gatishmerise

Një përvjetor i mbushur me tension për të përkujtuar heronjtë por dhe tragjedinë që ndryshoi botën e dhe sot si atëherë niveli i gatishmërisë në Shtetet e Bashkuara është maksimal. Dhjetë vjet më pas frika e 11 shtatorit nuk është shuar.

Në prag të përvjetorit vetë presidenti Barak obama kërkoi që në Nju Jork e Uashington, niveli i vigjilencës dhe gatishmërisë të jetë maksimal. Edhe sepse Uashingtoni e pjesa tjetër e Amerikës janë vënë në ndjekje të tre personave të dyshuar të cilët kanë hyrë në SHBA me misionin për të ndërmarë sulme terroriste. Sipas Shtëpisë së Bardhë presidenti porositi këshillin e sigurisë kombëtare të mos ulë vigjilencën e të kërkojë me energji të gjitëh elementët që kanë lidhje me të ashtuquajturin «kërcënim të besueshëm». Sipas të dhënave të fundit të kundërzbulimit dy të dyshuar janë shtetas amerikanë me origjinë arabe e kanë hyrë javën e kaluar në SHBA. I treti ka fluturuar drejt Europës e nuk dihet ende cili është destinacioni i tij final.

Shqetësim kryesor i forcave të rendit mbetet i ashtuquajturi përdorim i armëve kimike ose radioaktive.Për rrjedhojë gjatë orëve të fundit janë intensifikuar ndjeshëm kontrollet sidomos në pikët e hyrjes në Manhatan. Dhjetëra pika kontrolli janë vendosur në nju Jork e edhe më shumë forca rendi vërehen në tunele hyrje metrosh e aeroportesh. Vendet symbol të Shteteve të Bashkuara Times Square në Nju Jork, e Capitol Hill në Uashington, deri tek Golden Gate në San Francisco, janë blinduar sikundër dhe vendet ku sot mbahen ceremonitë përkujtimore.

Një alarm i dhënë në aeroportin ndërkombëtar Dulles të Uashingtonit rreshti pak orë më pas. Pas një inspektimi që zgjati katër orë policia deklaroi se nuk kishte asgjë për tu shqetësuar në kontenjerin e dyshimtë. Në alarm është dhe Europa. 4 persona të dyshimtë janë arrestuar në Goteborg nga policia zviceriane. Sipas medias lokale ata dyshohet se do të ndërmerrnin atentate terroriste.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›