E Diel, 1 Nëntor 2026

110 milionë euro, vjedhja e fundit e Edi Ramës

Ministri i Punëve Publike Sokol Olldashi ka zbardhur dokumentet që faktojnë dijeninë e kryebashkiakut për pronësinë publike të truallit në qendër të kryeqytetit, mbi të cilin u tentua të ndërtohej në mënyrë të paligjshme. Vetëm shitja me ankand e truallit mendohet se mund të shkojë 110 milionë euro, ndërkohë që ndërtimet e klientëve të Edvinit mund të garantonin në atë zonë ekskluzive të kryeqytetit një biznes prej më shumë se 1 miliardë eurosh

Bien përfundimisht pretendimet e Bashkisë së Tiranës, për pronësinë private të tokës në qendër të kryeqytetit, në pjesën ndërmjet rrugës së “Durrësit” dhe “Kavajës”.
E kthyer prej ditësh në tëra në objekt polemikash ndërmjet Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Punëve Publike, më në fund është thjeshtëzuar edhe e vërteta e dokumentuar. Ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi publikoi dje të gjithë dokumentacionin që fakton se Bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj Edi Rama, ka qenë në dijeni se trualli është në pronë të shtetit. Ministri Olldashi hodhi poshtë të gjitha komentet dhe qëndrimet e Bashkisë, duke i quajtura ato mashtrime dhe gënjeshtra, porsa kohë kanë dalë në dritë dokumente që faktojnë të kundërtën. Jo vetëm Edi Rama, por e gjithë administrata e Bashkisë ka njohur pronësinë shtetërore të truallit, duke i bërë me dije kështu familjes Kika, mbi pretendimet lidhur me legjitimitetin pronësor. 
Duke vënë në dispozicion të opinionit publik një numër dokumentesh e shkresash, ministri i Punëve Publike, bëri me dije se ekzistenca e shkresave që Edi Rama dhe administratori i Bashkisë i drejtojnë Avokaturës së Shtetit, tregon dijeninë e tyre, mbi pronësinë publike të truallit. Sipas Olldashit, këmbëngulja e Ramës për të fshehur pronësinë, fsheh interesa personale të tij, të grupeve që i qëndrojnë pas si dhe të një numri klientësh që janë mësuar të ngrenë biznese në shkelje të ligjit dhe në dëm të interesave të kryeqytetasve. “Detyrohem të dal prapë përpara jush, për të sqaruar edhe një herë pozicionin e Ministrisë së Punëve Publike, kundrejt problemit të lulishtes në kryqëzimin e rrugës së Durrësit dhe Rrugës së Kavajës. Nga Bashkia e Tiranës po vazhdohet të gënjehet në mënyrë të paskrupullt veçanërisht për pronësinë e truallit dhe për këtë e ndjej të nevojshme që të verifikoj dhe  t’ju jap argumente shtesë që përse Ministria e Punëve Publike është në të drejtë, si dhe të përpiqemi së bashku të gjejmë cilat janë motivet që detyrojnë Bashkinë e Tiranës, zyrtarët e saj madje edhe deputetë të Partisë Socialiste të kryeqytetit të gënjejnë në mënyrë të paskrupullt përpara jush”, tha Olldashi.
Sipas një përllogaritjeje, vjedhja më e fundit – e mbetur në tentativë – e kryetarit me korrespondencë të bashkisë së Tiranës mendohet të jetë rreth 110 milionë euro, pasi aq mendohet se do të përfitohet nga shitja në ankand e truallit të uzurpuar me pa të drejtë nga kalecët ndërtues të Edvinit, por burime të mirëinformuara bënë me dije dje për gazetën “55” se ishte thuajse e padiskutueshme se mbi këtë truall ishte parashikuar të ndërtohej një biznes i cili mendohet se do të kalonte xhiron e 1 miliardë eurove, një aferë kjo shumë më fitimprurëse sesa ajo që shoqëroi “prishjen e kioskave” në Parkun Rinia.

Shkresat e firmosura nga Rama, ku pranon se trualli është pronë shtetërore

Duke e justifikuar si të drejtë ndërhyrjen e Ministrisë në truallin në qendër të Tiranës, Olldashi specifikoi shkresat e firmosura nga Administratori i Përgjithshëm i Bashkisë së Tiranës, Dritan Agolli, me datë 1 prill 2009 drejtuar zotit Patriot Çobaj, drejtor i Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Qarkut Tiranë.
Në bazë të kësaj shkrese, thuhet se “Nga verifikimet që u kryen me Hartat Treguese të Pasurisë dhe Librin e Ngastrave rezulton se brenda konturit të pronës së këtij subjekti, bëhet fjalë për familjen Kika, figuron pronë shtetërore publike trotuar e rrugë me nr. Pas. 2/102, 2/9 3, 2/88 trotuar dhe lulishte me nr. Pas 2/89, 2/90, si dhe Dhoma e Tregtisë me nr.pas 2/95”.
Ministri Olldashi bëri me dije se mbi bazën edhe të kësaj shkrese të Administratorit të Përgjithshëm të bashkisë së Tiranës, Avokatura e Shtetit ka kërkuar autorizimin për të ndërhyrë dhe për të rrëzuar një vendim të parregullt të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. “Për ta bërë këtë është dashur të lëshohej autorizimi i Bashkisë së Tiranës. Më datë 17 korrik  2009, zyra e Avokaturës së Shtetit, zyra e Tiranës, i ka kërkuar Bashkisë së Tiranës që të japë autorizimin për të proceduar për goditjen administrative të vendimit të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave që njeh si pronar familjen Kika në truall shtetëror. Nga analiza që ne i bëjmë këtij vendimi na rezulton se ndaj tij duhet të ushtrojmë ankim, por në zbatim të nenit 5, gërma “e” e ligjit është e nevojshme marrja e autorizimit nga ana juaj, pra nga ana e Bashkisë”. Por ka qenë Bashkia e Tiranës, e cila në mënyrë korrekte i është përgjigjur kësaj shkrese, por kësaj here me firmën e kryetarit të saj, zotit Rama. Shkresa mban datën 29 korrik 2009 dhe thuhet se: “Bashkia e Tiranës me shkresën e datës 1 prill drejtuar Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në lidhje me pronën e subjektit, Z.Osman Kika (trashëgimtarëve të tij), ka shprehur vullnetin e saj për mosprecedim me kthim fizik”, deklaroi ministri i Punëve Publike, Sokoll Olldashi.
Të gjitha këto dokumente që Ministria e Punëve Publike vë në dispozicion, tregojnë se   Rama dhe e gjithë Bashkia e Tiranës janë qartësisht në dijeni të faktit që ajo është një pronë publike, e cila është shkelur në mënyrë të parregullt. “Se cilat janë shkaqet që e detyrojnë Edi Ramën, Bashkinë e Tiranës dhe deputetët socialistë të dalin dhe të gënjejnë në mënyrën më të pahijshme, kjo është lehtësisht e marrur me mend. Nuk ka asnjë gjë tjetër që do ta detyronte një korpus zyrtarësh dhe politikanësh të dilnin dhe të gënjenin publikisht para të gjithëve, përveç se interesave më të pista që janë të lidhura me këtë truall dhe që janë afër zyrës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Unë u tregova shkresat ku dhe vetë Edi Rama pranon që vetë prona është publike, ku administratori i Përgjithshëm i Bashkisë i drejtohet Avokaturës së Shtetit, duke i thënë që kjo pronë është publike. Ndërkaq, ata befas dalin dhe thonë që kjo pronë nuk është më publike dhe se shteti po cënoka pronën private. Atëherë të gjithëve na lind e drejta që të bëjmë pyetjen se kush fshihet pas gënjeshtrave të zotit Rama, interesat e kujt dhe sa vlejnë këto interesa në para?”, theksoi Olldashi.     
Debati në lidhje me këtë truall nisi pas kthimit të saj në lulishte, nga Ministria e Punëve Publike. Ndërsa qeveria kërkoi nxjerrjen e saj në ankand dhe paratë e përfituara do të përdoren si fond për kompensimin e ish-pronarëve, Bashkia e Tiranës nga ana tjetër, kishte planifikuar betonizimin e saj, duke tentuar t’ua japë ndërtuesve që nuk kanë lënë cep të Tiranës pa kthyer hapësirat, jo vetëm private, por edhe ato publike në pallate shumë katësh.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›