E Diel, 1 Nëntor 2026

Fokus/Elegji për ish-të përndjekurin politik Musa Sina

Duke u endur me bllokun e shënimeve në dorë sa në një derë në një tjetër pas punëve të Legalitetit si ndonjë misionar endacak, një natë gushti të vitit 1992 më ra radha me bujt
në Tiranë tek Musa Sina, si legalist. Jetonte me gruan e tij Mirvetin në një apartament pallati parafabrikat një dhomë e kuzhinë, marrë me qera njërit që sapo kishte emigruar. Shtëpinë e babait atje në fshatin Rreth-Kale të Dibrës, sepse gjatë jetës së vetë 62 vjeçare
nuk pati rast të ngrejë as një kasolle, ja kishte shkatërruar prej kohësh pushteti komunist. Gjithë jeta i kishte shkuar në burg dhe internim. S’kishte tri vjet që ishte liruar. Musa, kështu njihej në familjaritet, i përkiste kategorisë së burgaxhinjve klasikë, një cilësor diskriminues i komunizmit, mbytës, ende me pushtet të fortë moral dhe politik. Fjalën “klasik” e themi në kuptimin veteran burgjesh, d. m. th. nga fillimi në mbarim të sistemit:
1945-1989, burg i pandërprerë, unik në kohë, njëcopësh. E kishte filluar në fillim të pranverës kalendarike dhe të pranverës së sistemit, në mars 1945, por edhe në fillim të pranverës së jetës së tij, kur sapo mbushte 15 vjeç. Dhe e mbyllte “ciklin” në fundin evropian të dimrit komunist - 1989. Burg politik me ngarkesë të plotë. Kësaj i them fat. Kur fëmija mbush moshën e lakmuar 15 vjeç, fantazia lodron me harbim. Në atë moshë marrin vrull ëndërrat më të pafajshme e më të bukura për jetën. Prandaj fëmijëria është kaq e pushtetshme e sovrane. “Çdo të bëhem kur të rritem” ishte tema e preferuar e mësuesve të leximit letrar dikur që na e jepnin si temë hartimi në shkollë. Natyrshëm ishin edhe brenda orientimeve të propagandës zyrtare dhe kornizave ideologjike. Pikërisht në këtë moshë Musën e marrin dhe e çojnë në…shkollë?...ushtar?... luftë?...bari në mal? Jo, asnjëra nga këto. E shpien në…internim. Internimi do t’i shërbente si fazë përgatitore, si “stazh” maturimi, që, pasi të mbushte moshën, të merrte përgjegjësi më të mëdha, në… burg. Për sistemin e ri që sapo kishte hyrë, kushtet politike i plotësonte si më i miri. Jeta e Musës mund të karakterizohet edhe si integrale, por nuk është e drejtë të thuhet se ka qenë krejt monotone. Nëse leksiku i shqipes nuk ka fjalë tjetër, po të lëmë mënjanë 15 vitet e para të fëmijërisë (1930-1945 nga dita e lindjes deri kur filloi “riedukimin” komunist), për 45 vitet e socializmit enverist jeta e tij, nëse mund të quhet “jetë”, ishte alternuar në dy pamjet e saj kryesore, megjithëse, thuajse të një ngjyre, si e zeza me grinë e errët: internim-burg dhe anasjelltas, ndarë në afate thuajse të barabarta. Fundi i fundit, jetë dyngjyrëshe, me variete, pluraliste?! Hoh!. Qysh nga mosha kur njeriu
i gjorë, si i thonë fjalës, bien në mend e veta, jeta e tij, e tëra: terr e zi. Në respekt të fjalës “integrim” për rastin e Musës mbase mund të përdoret edhe togjalëshi “burg integral”.
Sidoqoftë, më në fund e më në san, edhe për Musën erdhi dita e shumëpritur: të gëzonte lirinë e “fituar” që tashmë nuk kish ç’i duhej. Ishte i tejngopur nga kjo jetë.
E kisha takuar për herë të parë më 17 nëntor 1991 kur erdhi në Shkodër bashkë me një grup të diasporës që ktheheshin “triumfalisht” nga Amerika dhe Belgjika në atdheun e tyre pas një emigrimi të stërgjatë. Emri dhe pamja e Musës së vogël vendas humbiste para atyre të “diasporës euro-atlantike”, ardhur nga Nju Jorku dhe Brukseli, grup në të cilin bënte pjesë edhe vëllai i tij, Rasimi, arratisur qysh më 1956 dhe vendosur në SHBA. Musa nuk bënte pjesë në “delegacion”. Thjeshtë i bënte shoqëri të vëllait. Po kush ishte në të vërtetë Musa, Musa Beqir Sina? Cila ishte familja Sina? Cili qe shkaku i atij fati mynxyrë? Shkaku?! Ah, shkaku. Shkaku është…Shqiptari dhe fati i tij. Ka shumë shkaqe. Nuk është një i vetëm. Dhe fillojnë herët ato…Por ne po marrim ato më të vonshmit. Le t’i kapim gjërat me themel, në gjenezën e tyre. Sinajt ishin nga fshati Rreth-Kale e zonës së Muhurrit të Dibrës. Historia e tyre në gjysmën e parë të shekullit të ‘20 ishte e lidhur shumë ngushtë me ngjarjet që çuan në ngritjen e stërmundimshme të shtetit të parë shqiptar dhe kishte derdhur jo pak gjak për të. Kjo përbën edhe hipotekën e fatit të mëvonshëm kur erdhi diktatura. Vëllai i Beqirit, mixha i Musës, Dika (Sadik Sina) ishte vrarë në Luftën e Kakarriqit në tetor 1912 në përleshje me ushtrinë malazeze kur 2000 forcave vullnetare të Matit e të Dibrës u printe Ahmet bej Zogu në përpjekje për të ndalë furinë e ushtrive shoviniste sllave mbi trojet shqiptare në Luftërat Ballkanike (1912 - 1913). Në këtë betejë u vranë mbi 80 vetë, matjanë e dibranë. Një në dorë. Gjyshi i Musës, Rushit Sina në luftërat kundër serbëve kishte marrë 7 plagë dhe kishte vdekur më 1925 nga një lëngatë e rëndë. Në vitet 1920-1924 kishte qenë në trupërojen e Ahmet Zogut. Dy në dorë. Vëllai i tij (i Rushitit) Lush Sina aty nga viti 1922 ishte vrarë në përpjekje me forcat rebele të Bajram Xhanit, ky i fundit dikur edhe me forcat e Haxhi Qamilit. Tre në dorë. I jati i Musës, Beqir Rushit Sina i lindur më 1900, gjatë periudhës së Mbretërisë kishte qenë oficer i xhandarmërisë me gradën toger. Kishte shërbyer si rreth/komandant në vise të ndryshme të shtetit shqiptar: Homesh, Tepelenë, Shijak, Dukagjin (Kodër Shëngjergj). Në prag të agresionit ushtarak italian kundër Shqipërisë, forcat vullnetare të Muhurrit, mbi 150 vetë u nisën për ta pritur me luftë okupatorin. I mirënjohuri Dine Hoxha, pari me autoritet i zonës, kishte vdekur më 1938 dhe tani drejtimin e forcave vullnetare e rezerviste e morën në dorë Ramadan Hoxha (nipi i Dines) dhe Beqir Sina (komandant) gjysëm pari. Në grup u nisën bashkarisht edhe paritë e Çidhnës: Kaloshet e Çidhnës, Selim e Miftar Kaloshi, Dervish Lusha, Qazim Lusha, Haxhi Noka, Osman Lita i Kalasë së Dodës. Pas tyre me forcat e veta të shumta vinte Cen Elezi, që njihej si kundërshtar i Mbretit Zog, por kjo nuk llogaritej. Hatri i atdheut ishte më i madh. Forcat vullnetare të Dibrës së Poshtme arritën deri në Qafë Shtamë, dikush deri në Krujë e një pjesë deri në Burrel, por u kthyen mbrapa kur morën vesh se ushtritë italianë kishin hyrë në Durrës, Shëngjin, Vlorë e Sarandë, tregon Musa. Katër në dorë. U bënë shumë, s’i mban dora. Kur në Shqipëri u vendos “pushteti popullor”, familja e Beqir Sinës nisi “jetën e re”; do të provonte një fat të ri. Epokë e re, kismet i ri. Devër dynjaja. Më 1945 familja e Beqir Sinës mori rrugën e internimit, fillimisht në Berat. Me të ishte edhe Musa që sapo kishte mbushur 15 vjeç. I zoti i shtëpisë, Beqiri, nuk ishte në këtë eveniment apo sebep pranë familjes. Ishte në mal i arratisur, kaçak. Në përpjekje me repartet e ndjekjes ai u vra më 13 shkurt 1946 në katundin Lukan të Dibrës bashkë me Elez Kalinë. Në përleshje e sipër plagoset rëndë dhe, si harxhoi të gjithë fishekët, të fundit e kishte ruajtur për vete për të mos rënë i gjallë në duart e komunistëve. Gjashtë në dorë? Ah, kjo nuk durohet. Më tej nuk ka më nevojë për numërim. Vëllai i Musës, Feriti, djali i madh i Beqirit, në fillim kishte luftuar bashkë me Dan Kaloshin në radhët e Brigadës V S. Dan Kaloshi e Cen Elezi u larguan nga Nacionalçlirimtarja dhe, në prill të
vitit 1946 u arratisën në Jugosllavi. Vëllai tjetër i Musës, Rushiti, djali i dytë i Beqirit (sipas radhës), bashkë me Feritin ikën fshehurazi nga internimi dhe në shtator 1948 u arratisën në Jugosllavi. Atje i vranë jugosllavët sëbashku me Cen Elezin, Dan Kaloshin, Haqif Nokën, Bilal Kolën me vllazën. Vëllezërit e tjerë të Musës: Rasimi, Hashimi dhe Besimi, pasi u liruan nga internimi, qendruan pakë kohë në fshatin e tyre Rreth-Kale (shtëpia ishte ndjegur nga partizanët më 1944) dhe në vitin 1956 arratisen në Jugosllavi.
Të kthehemi tek heroi ynë: Musa. Që nga 11 marsi 1945, pranvera (socialiste!) në të hyrë, thotë Musa, kam qenë i internuar në Berat. Aty filloi jeta e tij e re standard, e rimuar sipas vargëzimit dyshe e alternuar A-B, A-B (internim-burg, internim-burg). Pati edhe vargëzim B-B-B (burg-burg-burg), por kjo është çështje “stili”, “stilistikë” fati. Në fillim na shpunë në Berat, pastaj në Tepelenë, më pas në Lushnje, në Porto-Palermo, vazhdon të ligjërojë Musa për “gjeografinë e kalitjes revolucionare”. Nga Tepelena më hodhën në
Tiranë e prej aty më 1952 në burgun e Burrelit, vazhdon ai. Pas 15 vjetëve burg në Burrel, duke futur këtu edhe një tentative për arratisje (si intermexo), më çuan në internim. Atje u martova, linda tre fëmijë dhe më 1979 rashë përsëri në burg të cilin e kreva: 3 vjet në Spaç të Mirditës, 3 vjet në Ballsh, pastaj në Zejmen e Sarandë, nga dy vjet secili. U lirova më 1989 pasi e plotësova me “nder” krejt dënimin. El hak. Ja pagoi hakun Partisë deri më një, deri në kacidhen e fundit. Nuk i mbeti asnjë fije borxh. Fat el hak, derman aspak. Pasi luftoi me një qetësi olimpike njëmijë e një sëmundje, që i ranë nga qielli, toka e nëntoka, në korrik 1994 e mbylli me finalen hyjnore. Me Dhimë
e Stimë, Musë! Zoti të dhashtë rahmetin e asaj dynjaje!
Më 24 korrik 1994 Musa i dha lamtumirën kësaj bote. Për varrimin e Musës më treguan. Në atë ceremoni kishin qarë edhe gurët. Të kishte vdekur në moshën 15 vjeç nuk do të ishte qarë dhe aq për të. Çfarë t’i qaje më parë. Nuk i qaheshin hallet. S’kishte gjyshe Lure që t’ia njihte dertet. Arkivolin me një grusht kocka të kallur brenda e kishin sjellur vërdallë përreth rrënojave të shtëpisë së dikurshme ku ishte lindur dhe parritur ende’ në ato 15 vjetët e Perëndisë. Sillej si fantazëm një jetë e rrënuar përreth mbeturinave të një shtëpie të rrënuar, të një populli e kombi të rrënuar. Një procesion makabër. Vallë, kujt ja zuri Diellin Musa i Vogël? Kujt ia zuri Diellin Shqipëria e Vogël apo e Madhe? Pse, mbi këto çandra u mbaka siguria dhe paqa evropiane? Mbi kokallat rakitike të Musës së Vogël e të popullit të tij qenka ngritur ekuilibri dhe siguria evropiane në Kongresin e Vjenës (1815), të Berlinit (1878), në Konferencën e përbindshme të Londrës (1913), në Konferencat e Versajës (1919, 1946), që mallkuar qofshin. Pax Europeanea. Në qoftë
kështu, flaka iu dhashtë. Pastaj arkivolin me trupin e tij e kishin vënë në varrezat e fshatit ku prehet përjetësisht buzë Drinit nën mërmërimat vajtimtare të valëve të tij.
Me dhim(b)ë e stimë, o Musë.
Marrë nga “Rruga e Arbrit”

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›