E Shtunë, 31 Tetor 2026

111 orë lojë

Skuadra argjentinas Rio Tercero e ka festuar 99 vjetorin e themelimit me një ndeshje për ‘Guinness’ ndaj ekipit mysafir Celeste Bianco, e cila zgjati plot 5 ditë, më saktësisht 111 orë. Në të luajtën rreth 4 mijë persona, nga të dyja gjinitë dhe të moshave të ndryshme. Takimi në futboll të vogël, i cili u ndoq nga 40 mijë shikues, përfundoi me një rezultat të paparë ndonjëherë, 817-715 për ekipin vendës.

Për ta festuar 99 vjetorin e ekzistimit, qyteza argjentinas Rio Tercero donte që në të gjitha mënyrat të shkruhej në librin e rekordeve dhe të të arriturave më të mëdha në botë, ‘Guinness’. Qyteti i vogël ia doli ta arrinte atë për të cilën u nis, duke e regjistruar ndeshjen më të gjatë në histori të sportit.

Sfida ndemjet vendësve të Rio Terceros dhe Celeste Bianco ka zgjatur plot 5 ditë ose të jemi më preciz 111 orë, duke përfshirë 4 mijë persona nga të dyja gjinitë dhe të moshave të ndryshme, të cilët kanë zbritur në fushën e blertë duke e mundësuar vazhdimësinë e këtij takimi të ‘çmendur’, i cili, besoni apo jo, ka përfunduar me rezultatin monstruoz 817-715 në favor të Rio Terceros.

“Ky ishte një sukses i plotë. Kemi arritur ta thyejmë rekordin botëror në saje të bashkëpunimit me fqinjët tanë. Vlerësoj se mbi 111 orë takim në futbollin në palestër ishte diçka tërheqëse dhe u përcoll nga mbi 40 mijë njerëz, të cilët e dhanë mbështetjen e tyre për ekipet”, ka thënë njëri prej organizatorëve, Javier Lunari. “Vitin e ardhshëm, në 100 vjetorin e klubit, ka gjasa ta përgatisim këtë përvojë në përpjekje që t’i arrijmë 121 orë të vazhdueshme lojë. Duam të mbetemi qyteza e rekordeve”, vazhdoi ai.

Lojtarët janë ndërruar çdo gjysmë ore, periudhë kjo që është paraparë se mund të lodhen dhe të ndërrohen nga lojtarët pasardhës.

Qyteza ishte mobilizuar komplet për këtë eveniment dhe në të morën pjesë saktësisht 3,984 njerëz, përfshirë këtu edhe personalitete të sportit siç ish sulmuesi i Lazios dhe Valencias, Claudio 'El Piojo' Lopez, portieri i Belgranos, Juan Carlos, ish futbollistët tjerë Oscar Dertycia, Rulo Gonzalez, Lucas Valdemarin, piloti Jose María Lopez, surfisti Mario Reutemann, atleti Rocio Comba, gjimnastja Anahi Sosa dhe gjyqtari ndërkombëtar Hector Baldassi.

“Ndihem krenar që mora pjesë në eveniment të tillë. Qëllimi është mbushur”, ka thënë ish futbollisti Lopez. “Është një iniciativë e bukur e Rio Terceros në tentim për t’u bërë kryeqytet i sportit. Dhe, unë me kënaqësi e pranova ftesën”, ka shtuar piloti me të njëjtin mbiemër. Kjo iniciativë ka kushtuar 400 mijë dollarë dhe ia ka dhuruar një ëndërr tërë Rio Terceros, e cila tash është qytezë e ‘Guinnessit’.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›