12 dhjetor 2009: Takimi historik mes Papa Benediktit XVI dhe kryeministrit shqiptar
Lidhjet e kahershme mes Vatikanit dhe Shqipërisë, duke përjashtuar padyshim periudhën e egër të diktaturës komuniste shqiptare, kanë qenë gjithnjë të niveleve më të larta. Në takimet e niveleve të larta mes Papës dhe krerëve të shteteve apo të qeverive të ndryshme shqiptare natyrisht kulmon ai i datës 12 dhjetor 1466 kur prijësi i shqiptarëve dhe “Atleti i Krishtërimit” Skënderbeu takohej me Papën Pali i dytë. Në të njëjtën kohë një audiencë me Papën është diçka vërtet e mrekullueshme edhe për vetë krerët e shteteve apo të qeverive qofshin këta përfaqësues të shteteve të mëdhenj apo të vegjël. Në ditët e sotme në fotografitë që Selia e Shenjtë publikon fill pas takimeve të ndryshme të këtyre niveleve dallohen qartë fytyrat e gëzuara dhe të lumtura të pjesëmarrësve në audience me Papën. Edhe takimi mes Papa Benediktit XVI dhe kryeministrit të Shqipërisë, Dr. Sali Berisha, që u zhvillua në Vatikan më 12 dhjetor të vitit 2009, përveç emocioneve të këtij lloji ishte i mbushur edhe me emocione të tjera që i jepnin takimit një rëndësi tejet të veçantë historike. Data e takimit, mes Papa Benediktit XVI dhe kryeministrit shqiptar Sali Berisha, kishte qenë një përzgjedhje e vetë Vatikanit. Të jesh diplomat për çështjet e kulturës pranë Ambasadës së Shqipërisë në Vatikan do të thotë në të njëjtën kohë që të “rrëmosh” në shënimet diplomatike ose ato personale për të gjetur pikërisht atë, që 543 vjet më parë dhe pikërisht më datën 12 dhjetor, Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skëndërbeu, kishte kryer një vizitë të suksesshme në Vatikan. Po aq me sukses natyrisht u zhvillua dhe takimi mes Papa Benedikti XVI dhe kryeministrit të Shqipërisë, Dr. Sali Berisha. Një ditë që kishte filluar shumë herët për kryeministrin Berisha, shumë herët ishte nisur nga Tirana për të udhëtuar me avionët që kushtojnë më pak për faktin se udhëtojnë në atë fashë orari. Pastaj pritja në aeroport dhe udhëtimi drejt qëndrës së Romës, pregatitja më pas për audiencën me Papa Benediktin XVI, një bisedë me delegacionin shqiptar që e shoqëronte, një fotografi me delegacionin aty pak para nisjes për në Vatikan. Në audiencën që kryeministri i shqiptarëve Berisha zhvilloi me kreun e Selisë së Shenjtë në atë 12 dhjetor 2009, Papa Benedikti XVI shprehej qartë se Selia e Shenjtë do të mbështeste plotësisht integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe se Vatikani do të vazhdonte të ndihmonte Shqipërinë edhe në zhvillimin ekonomik dhe kulturor të saj. Nga ana tjetër në atë takim mes delegacionit shqiptar të kryesuar nga kryeministri dhe Papës Benedikti XVI, u rrahën çështjet që lidheshin kryesisht me zhvillimet ndërkombëtare. Një ndër temat e bisedave ishte edhe Ballkani Perëndimor por përveç kësaj teme, u shqyrtuan aspekte të ndryshme të marrëdhënieve dypalëshe dhe u konsiderua si pozitiv fakti i vlerave të familjes tradicionale, si dhe u vlerësua trashëgimia e popullit shqiptar. Pasi kishte pritur dhe takuar Papën që rrëzoi komunizmin në gjysmën e Europës që ndodhej përtej perdes së hekurt, pasi kishte themeluar Partinë Demokratike shqiptare pikërisht dhe përsëri më datën 12 dhjetor të vitit 1990, kryeministri i Shqipërisë Dr. Sali Berisha pritej në audiencë nga Papa Benidikti XVI pikërisht më 12 dhjetor të vitit 2009, plot 543 vjet pas vizitës që Heroi ynë Kombëtar Skëndërbeu kishte zhvilluar në Vatikan.