12 dhjetori i vëllezërve Popa
10 Dhjetori shënoi përvjetorin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut të vitit 1948. Në dhjetor 2009, Shqipëria jeton në një atmosferë të zymtë. Ende nuk ka zgjidhur për fat të keq, konfliktin e madh me vetveten që shpërfaqet çdo ditë në luftën midis dy botësh. Shqipëria e këtij dhjetori është një vend ku opozita ndihet e mashtruar dhe kërkon me ngulm hapjen e kutive të votimit, dhe mazhoranca nuk pranon të dëgjojë; një vend kur në mes të Tiranës shemben pallate me fadroma policie, një vend ku nga foltorja e parlamentit përdhunohet verbalisht qytetaria, ku e zeza bëhet e bardhë e e bardha e zezë, ku goditen gazetarë dhe investitorë mediash kritike të kryeministrit; ku presionet ndaj biznesit dhe pasiguria për jetën të kallin frikën.
Por kjo ditë e madhe ndërkombëtare, mbase krejt rastësisht, në kalendarin tonë të ditëve të shënuara, rri pranë e pranë me një tjetër ditë shumë të rëndësishme për nga mesazhi që na transmeton dhe sot. 12 dhjetori ka të bëjë me një histori të largët që pat bërë shumë bujë në Tiranën e mesviteve 80-të.
Ne 12 dhjetorin e vitit 1985, 24 vjet më parë, vetëm disa muaj pas vdekjes së diktatorit, gjashtë motra dhe vëllezer të familjes Popa, hynë të veshur si turistë të huaj në territorin e Ambasadës Italiane. Çudia kishte ndodhur! 24 vjet me parë ky veprim do të trondiste nga themelet sistemin e egër të privacioneve të lirive e të drejtave të njeriut në Shqipëri.
Lindur nga një baba farmacist i përndjekur si kolaboracionist i Italisë fashiste, dhe duke patur dy vëllezër të arratisur jashtë shtetit vite më pare, ata e kishin kaluar pjesën më të madhe të jetës së tyre të internuar në një fshat të vogël. Si shumë të tjerë, viktima të luftës së klasave ishin të destinuar të kalonin atje vitet e rinisë së tyre të privuar nga e çdo e drejtë për t'u përgjigjur për "fajet" e babait, gjyshit, xhaxhait a vëllait. Guximi i tyre ishte i paprecedent në kushtet e diktatures se hekurt shqiptare. Në të vërtetë, parë nga sot, ata nuk kishin ç'te humbin tjetër, veç mjerimin e tyre te madh. Më të rinjtë rreth të 40- ve e me të vjetrit rreth te 60-ve ata kishin mbetur pa jetë private e familjare. Ndërmorën vdekjen në sy. Guxim prej të marri, apo vendosmëri e marrë për të jetuar?
Çfarë i shtyu?
Tek eci sot rrugës se Elbasanit , më kujtohet se si nxënëse në vitin e parë në shkollën e mesme të Gjuhëve të Huaja Asim Vokshi, ato ditë ne u ndaluam të ecim në trotuarin ku ecnim çdo ditë dhe rrethimi i asaj ambasade (sot ambasada e SHBA) të ngjallte frikë dhe ta bënte më të pranishëm izolimin, ndalesën, hendekun që ekzistonte mes nesh e botës së madhe. Ajo aty u bë në një farë mënyre muri ynë i Berlinit. Aty përtej portës ishte Italia, ishte Evropa ishte Amerika, (shumëkush e dinte që trualli ishte i blerë nga ambasada Amerikane vite më parë). Dhe kjo e lartësonte edhe e bënte më të paprekshme të gjithën. Fëmijë në atë kohë kujtuam se rrethimi do të zbehej me kalimin e kohës dhe ne do të rifitonim rrugën tonë. Por ne nuk shkelëm më në atë krah të rrugës për vite me radhë. Çdo mëngjes, në katër vitet e shkollës së mesme ne ndesheshim me punonjësit e policisë me uniformë apo civilë të policisë sekrete. Biseda për rrethimin herë pas here i jepte larmi bisedave tona, flitej se si ndiqeshin e si kontrolloheshin italianët që nga punonjësit më të lartë të hierarkisë diplomatike deri te te ata më të thjeshtët , se si survejoheshin ambasadori e e shoqja, kur dilnin me makina, në këmbë apo biçikletë.
Po ç'kërkonin vëllezërit Popa? Kërkonin të drejtën e tyre për të jetuar të lirë, larg privimeve e keqtrajtimeve, të jetonin në një botë që në qendër kishte njeriun e të drejtat e tij. Shumëkush në ato kohë pëshpëriste për ta , se si rronin të gjashtë ne dy dhoma të vogla të ambasadës , se si shpesh qarkullonin kërcënime ose thashetheme të sigurimit të shtetit që ata do të dorëzoheshin apo do t'i dorëzonin. Që ky do bëhej një shembull për të tërë që do të guxonin të thyenin të pathyeshmen, por e pabesueshmja ndodhi. Vëllezërit Popa u strehuan të sigurt aty për vite me radhë dhe do të dilnin nga ajo ambasadë vetëm pas ardhjes së Peres de Kuelarit, sekretar i përgjithshëm i OKB-së në Tiranë, në maj të 1990-ës, kur Shqipërisë po i afronte hapja e madhe. Për Shqipërinë ata ishin të parët që arritën në një fitore ndryshe, pa dhunë e gjak, por frut i një qendrese të paqtë por të vendosur. Ata fituan se guxuan, por edhe se për më shumë, provuan se ishin qëndrestarë në kërkesat e tyre.
Ata i paraprinë 2 korrikut '90 dhe vërshimit të shqiptarëve nëpër ambasadat e huaja, largimit të Ismail Kadaresë në tetor të 90-ës, dhe gjithë zhvillimeve që do të kulmonin me dhjetorin e 90-ës. Në një farë mënyre vëllezërit Popa shembën murin tonë të Berlinit duke vrarë njëherë e mire frikën për shqiptarët që do të guxonin më pas. Ata ishin një mësim për të gjithë.
12 dhjetori dhe vëllezërit Popa çuditërisht nuk kujtohen këtu te ne. Ata ishin të parët që hapën siparin e shpresës. Megjithëse diktatura ishte egër, e pashpirt dhe e vendosur deri në masat më ekstreme ndaj tyre, ata ia dolën! Një zyrtar i lartë i kohës ishte shprehur në mënyrën më arrogante, "edhe po të vdesin le t'i varrosin poshtë krevatit të ambasadorit..." Por ata dolën prej andej për tu dhënë shqiptarëve mbarë një mësim se ia dolën mbanë, se kishte edhe kështu, se diktatura nuk ishte e pathyeshme, se atyre gjithmonë iu vjen fundi sado idiote dhe të paepura të duken.