Sjellje ndaj biznesit që s'mund të kalohen në heshtje
Nuk mund të kalohen heshtazi dhe, sidomos, me keqinterpretime, disa nga sulmet e fundit të administratës, të vetë kryeministrit Sali Berisha ndaj sipërmarrjes. Ne i jemi gëzuar faktit që, tashmë, ka përfunduar periudha e linçimit të Shqipërisë nga shtypi i huaj, një periudhë tepër e zgjatur, edhe e pavend. Prej disa kohësh, shtypi i huaj i ka zbutur tonet ndaj Ballkanit, ka korrigjuar fokusin, duke i dhënë përparësi inkurajimit të këtyre hapësirave e vendeve problematike në rrugën e integrimit. Sa i takon Shqipërisë, kjo ka ndodhur për shkak se ajo ka shënuar në vite disa rezultate, të cilat zëvendësuan lajmet e cekëta dhe të ngarkuara (pothuaj) me keqdashje.
Por, ja tek na kthehen sulmet ndaj biznesit shqiptar, kësaj here, çuditërisht, nga administrata shqiptare dhe nga vetë kryeministri shqiptar. Është për të ardhur keq që në luftë (politike) e sipër, ai sulmon hapur një sërë biznesesh, duke thënë për to dhe për drejtuesit e tyre fjalën e fundit dhe duke ushtruar aftësitë për të prodhuar sarkazëm. Më e keqja është se puna shkon gjer atje, sa hidhen shashka sikur këtu në Shqipëri na qenka qendra e Mafies e ku di çfarë tjetër, deklarata të nxituara. Ca më pak, nuk mund të tolerohen ato, në kushtet kur hera herës dialogu midis sipërmarrjes dhe shtetit këtu ka munguar dukshëm.
Pa i rënë për anash temës, le të pohojmë se për një sërë rrethanash, sipërmarrja nuk ndodhet sot në ditët e saj më të mira dhe për më keq, jo si duhet në fokusin e agjendave të autoriteteve, institucioneve e të vetë shoqërisë. Këto të fundit, pse jo edhe kryeministri i vendit, herë pas here, bëjnë sikur nuk kuptojnë që ajo, sipërmarrja private, jep rreth 80 për qind të PBB-së dhe po ashtu ka punësuar treçerekun e atyre që punojnë në këtë vend.
Administrata ka për detyrë ta inkurajojë biznesin, të ndriçojë rrugën për zhvillimin e tij, të krijojë kushtet optimale që sipërmarrja të mund të kryejë rolin e vet të rëndësishëm, të shenjtë, për përparimin ekonomik dhe integrimin e vendit. Sulmet ndaj sipërmarrjes janë krejt pa sens dhe nuk bëjnë tjetër përveçse e acarojnë edhe më keq krizën e gjithanshme që ka mbërthyer vendin.
Në letrën që sipërmarrësi Koço Kokëdhima i drejtonte këto ditë ambasadorit amerikan, John L. Ëidhers II, midis të tjerave, të bënte përshtypje një frazë tejet e thjeshtë e njerëzore: "Në këtë mënyrë, zoti Berisha, gati çdo ditë, përmes mediave, komunikon haptazi se do të sekuestrojë bizneset e mia dhe do të më burgosë mua, (bashkë me emra të tjerë biznesmenësh, gjithashtu pronarë mediesh), duke krijuar një shqetësim të madh te nëna ime, e cila ndjek lajmet në televizor në fshat, dhe te të gjithë të afërmit dhe bashkëpunëtorët e mi që jetojnë e punojnë në Ballkan, Evropë e Amerikë."
Ky realitet i padëshiruar mund të shihet pra, edhe në një plan tjetër, në atë të raportit të këtyre individëve e kompanive me partnerët e tyre brenda e jashtë vendit dhe, më në fund, edhe me klientët e tyre. Pyetja që shtrohet në këtë rast, është e thjeshtë: "Kush paguan për dëmet morale, profesionale e materiale të bizneseve, nga këto sulme e kërcënime?"
Është anormale nga çdo këndvështrim që një kryeministër të sulmojë bizneset e vendit të tij. E kundërta ndodh në çdo shoqëri normale. Pushteti i qaset sipërmarrjes me gjeste qytetare dhe me alternativa inkurajuese.
Në ditët e sotme, është bërë domosdoshmëri rishikimi i raporteve me biznesin; për çdo shkurajim e zhvëmendje, rrjedhojat mund të jenë të paparashikueshme. Për shembull, interpretimi i masave dhe i sanksioneve nga ana e administratës, nuk bën gjithnjë "rimë". Qeveria shqiptare ka "shtrënguar" më tej ligjin për procedurat tatimore, përmes të ashtuquajturës Drejtoria e Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Mund të themi se përtej të gjitha shtrëngesave, bashkëpunimi është rruga më e mirë për të vijuar me suksese. Pikërisht ky term ka ardhur duke u vështirësuar së fundi. Një tjetër problem i madh për sipërmarrjen në këto kohë, shenjë e raporteve të shprishura me politikën, është (mos) miratimi i ligjit për Gjykatën Administrative.
Ky institucion është një nga kërkesat kryesore për pranimin në BE. Shqipëria është vendi i fundit në rajon që nuk ka ende Gjykatën Administrative; një gjykatë që të trajtojë dhe të zgjidhë kryesisht mosmarrëveshjet mes biznesit dhe administratës shtetërore. E vështruar në mënyrën më realiste, mungesa e këtij institucioni, i ka shkaktuar shumë probleme biznesit shqiptar. Natyrisht, jo të gjitha janë në dorën e administratës aktuale, përfshi edhe ligjin për Gjykatën Administrative, që mund të thuhet se është njëlloj "viktime" e opozitës. Dhe këtë nuk mund ta fshehim.
Një vështrim mbi praktikat e prokurimit publik, gjithashtu flet për dobësimin e kësaj linje komunikimi. Biznesi ka paraqitur vërejtje e propozime edhe në këtë temë. Për shembull, nga ndërtuesit, është kërkuar rritja e limitit për përvojën në sektorin e ndërtimit. (Që një firmë të merrte pjesë në një tender, i duhej të paktën një përvojë 3-vjeçare; propozimi i ndërtuesve e shikonte këtë detaj në pesë vjet.) Shqetësime janë formuluar edhe te ofertat fituese. Sipas ndërtuesve, jo gjithnjë duhet marrë në konsideratë oferta më e ulët e fondit limit, sikundër e parashikon ligji, etj. Problemet e këtij sektori kanë qenë formuluar edhe në dy nga pikat kryesore të Deklaratës së Asamblesë së Përgjithshme të Dhomës së Tregtisë e Industrisë (Mars 2009). Dhe konkretisht, pika VI: Të gjenden dhe të aplikohen me shpejtësi instrumentet që garantojnë liberalizimin faktik të lejeve të ndërtimit, duke thyer situatën oligopol të krijuar në disa nga bashkitë më të mëdha të vendit, të cilat kanë deformuar tregun dhe kanë frenuar zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Kurse pika VII: Të hiqen pagat e referencës për sektorët e ndërtimit, të prodhimit dhe për biznesin e vogël (sh.p.k ose person fizik).
Më në fund, kemi dëgjuar ministrat e qeverisë të thonë se bëjnë shumë takime me investitorë të huaj; dhe kjo është një gjë e mirë. Por, ndërkohë, kemi parë pak të tilla me investitorë vendas, madje edhe me institucionet që promovojnë biznesin, dhomat e tregtisë apo shoqatat. Ato formulojnë herë pas here apele që bien në vesh të shurdhër. Shpalosja e problemeve që kanë të bëjnë me përkeqësimin e rrethanave për disa biznese, nënkupton nevojën për më shumë ndjeshmëri e vullnet për t'i përballuar ato. Aktorët kryesorë - administrata, institucionet, bankat, biznesi - janë ende larg një procesi kolaudues të domosdoshëm. Përballë një tabloje me kaq shumë probleme e pikëpyetje, sulmet për të cilat u shprehëm më lart, janë një gjë krejt jashtë realitetit.