E Shtunë, 31 Tetor 2026

12 “hitet” e Bajernit! Ja pse shkëlqeu gjithë sezonin!

TIRANE-Bajerni i Mynihut është kryefjala e futbollit për çdo media botërore. Arsyeja është se bavarezët kanë fituar titullin kampion të Bundesligës më shpejt se kurrë më parë, pikërisht gjashtë javë para përfundimit të kampionatit. Diferenca e tyre me Dortmundin aktualisht është 20 pikë. Pse sivjet Bajerni shpërtheu në çdo aspekt dhe, ndryshe nga sezoni i kaluar, me praninë e trofeve në duar? Ja 12 aspektet tek të cilët u “frymëzuan” rekordmenët e Gjermanisë për të zhvilluar një sezon sensacional.

1. “Katalizatori” Borussia Dortmund
Që një klub të mos lejojë Bajernin të fitojë për dy sezone rresht Bundesligën edhe ka ndodhur, por rezultati 2-5 në finalen e Kupës së Gjermanisë ishte një shuplakë e fortë në fytyrën e bavarezëve. Provokimi i verdhezinjve është embrioni i këtij sezoni të jashtëzakonshëm që Bajerni po luan. Uli Hënes tha në Frankfurt: “Dortmundi me të vërtetë na ka mërzitur për dy vjet dhe tani ne jemi përgjigjur me një titull të fituar gjashtë ndeshje para mbylljes dhe me 20 pikë diferencë. Kjo është një përgjigje e mrekullueshme për atë që Dortmundi na kërkoi neve.” Ka që në fillim të sezonit që anëtarët e bordit bavarez përsërisin fjalinë “duam të jemi përsëri numri një në Gjermani”. Gjithashtu, synimi kryesor për ta ka qenë titulli kampion, pastaj trofetë e tjerë. Motivimi që Bajerni ka përftuar nga kjo nuk ka të sosur. Kur u mbyll merkatoja, bavarezët e pranuan se nuk do të shpenzonin kurrë 40 milionë euro për një lojtar (Martinez) nëse Dortmundi nuk do t’i “sulmonte” me një nivel kaq të lartë. Siç thoshte Rumenige, “Dortmundi e ka frymëzuar Bajernin”.

2. Babëzia për tituj
Ajo që duhej të ishte ngjarja më e madhe dhe më e bukur në historinë e futbollit bavarez, u kthye në një dramë të vërtetë për ta. Humbja me penallti kundër Celsit në finalen e Ligës së Kampioneve të edicionin të kaluar ishte mbyllja më e hidhur që fati mund t’u servirte. 120 minuta dominim gjerman, por në fund Drogba i “rrëmben” ëndrrën Bajernit. Ndoshta Shvajnshtaiger pati një mekje psikologjike për më shumë se një muaj nga kjo. Ndoshta Lahm me shokë u demoralizuan, por shpirti bavarez u kthye në një makineri me ambicie, që vlon fort. Kjo u dallua kur Arjen Roben, ndoshta lojtari me egon më të theksuar që Bajerni ka, tha pas ndeshjes miqësore Bajern-Holandë: “Ne nuk do të përfundojmë gjithmonë të dytët!” Ajo finale e humbur iu kthye bavarezëve në burim të pashtershëm motivimi, për t’u rikthyer më të mirë se kurrë drejt urisë tradicionale për tituj. Majkëll Dagllas, në personazhin e Gordon Gekos, tha në filmin “Ëall Street”: “Lakmia është e mirë. Lakmia është e duhur. Lakmia është e shëndetshme.” Këtë ka ky Bajern: uri, lakmi, babëzi për trofe, sepse kishte dy vite pa asnjë kupë.

3. Shpirti i skuadrës
Një “müllerizëm”, një “gustavizëm” dhe një “lahmizëm” … Këta janë fenomenet e shpirtit të sakrificës për të mirën e përbashkët. Vjet Roben dhe Riberi nuk ishin aq të puthitur me skuadrën. Sivjet secili e sheh veten si pjesë e së tërës. Rben sivjet e ka parë veten shpesh në stol, por nuk ka guxuar të kundërshtojë trajnerin, madje ka theksuar çdo javë se e sheh të ardhmen e tij prapë si bavarez. Siç tha edhe ish-trajneri i Nyrnbergut, Dieter Heking, “Bajerni është një koleksion i individualiteteve cilësore, që ka zbuluar se futbolli është një sport skuadre”. Hajnkes deklaroi pas fitores matematike të trofeut se “një nga sekretet e suksesit ishte harmonia në grup”, gjë që strategu Don Jup e ka arritur mjaft mirë.

4. Zhvillimi taktik
Dortmundi për dy vitet e fundit ia mori Bajernit “hua” stilin e lojës karakteristike, duke përdorur dinamikën e grupit të lojtarëve dhe vetësakrifikimin për lojën, që binte në kontrast me dy-tre individualistë bavarezë, të cilët luanin vetëm për vete. Sivjet Hejnkes e ndryshoi strategjinë, me presing kolektiv, mbrojtje si një trup i vetëm dhe lëvizje kompakte të çdo lojtari pa përjashtim në fushë. Kapiteni Lahm ka thënë: “Ne kemi punuar shumë për të përmirësuar mbrojtjen tonë. U morëm me këtë që në fillim të fazës përgatitore dhe prandaj kemi pësuar kaq pak gola në Bundesligë.” Bajerni nuk toleron më që kundërshtari të mbajë topin, kur vjet quhej ekipi më “dembel” i kampionatit, sepse vraponte pak dhe linte hapësira. Ky perfeksion taktik u pa kundër Juventusit, ku bavarezët zotëruan fushën në çdo cep të saj. Bajerni, gjithashtu, bie në sy për pavarësinë nga lojtarët e veçantë. Nëse dikur i gjithë ekipi luante për dyshen “Roberi”, tanimë loja ka arriturr një standart në të gjitha rolet e formacionit.

5. Merkatoja efikase
70 milionë euro ka shpenzuar Bajerni për këtë sezon, me blerjen e Dantes, Martinezit, Shaqirit, Mandzukiçit dhe me ardhjen e Canit, Starkut, Raederit dhe Pizarros. Askujt nuk i shkonte nëpër mend se Dante dhe Mandzukiç do të përfundonin titullarë të padiskutueshëm, por sot të tillë janë. Bajerni ka bërë një merkato ku dallohet “bisturia milimetrike” e tyre, sepse në çdo pozicion kanë sjellë nga një apo dy lojtarë vendimtarë. Përveç kësaj, një rastësi negative, por që tregon mendjen e ndritur të gjermanëve, të cilët rrallë paguajnë miliona euro kot, është fakti se çdo lojtar që është blerë është shoqëruar me një dëmtim të kolegut homolog të pozicionit përkatës. Është dëmtuar Badshtyber, por është blerë Dante. Është dëmtuar Gustavo, por është blerë Martinez. Është dëmtuar Kros, por ja që është blerë Shaqiri. Është dëmtuar Gomez, por Mandzukiç dhe Pizarro e kanë zëvendësuar pa asnjë problem.

6. “Marrja frymë” e skuadrës
Kjo merkato e fuqishme ka sjellë edhe konkurrencën në skuadër dhe kjo e fundit ka nxitur ritmin e lartë të lojës nga çdo lojtar gjatë gjithë sezonit. Ndoshta kjo është arsyeja pse Bajerni këtë vit, pas pesë vitesh që ka pësuar “kriza” në çdo sezon me radhë, kësaj here nuk ka pasur asnjë luhatje për më shumë se një ndeshje. Çdo lojtar është munduar të japë maksimumin, sepse përndryshe humb vendin e titullarit. Aktualisht janë 18 lojtarë bavarezë, të cilët nuk ndahen dot “me thikë” se kush është titullar dhe kush jo. Kështu, Bajerni ka përfituar edhe në aspektin e të luftuarit në të trija frontet; kampionat, kupë dhe Champions. Në këtë aspekt ka ndikuar edhe lajmi se vitin tjetër ekipi do të trajnohet nga Guardiola. Kjo u shton motivimin futbollistëve, pasi një performancë e mirë tani përkthehet mirë për planet e spanjollit në të ardhmen e çdo lojtari të skuadrës. Për shembull, Roben, Gomez dhe Myler, për të cilët thuhet se nuk i përshtaten filozofisë së Guardiolës, përpiqen të krijojnë përshtypje të mira.

7. Fuqia ekonomike
Fjala “pasuri” është sinonim i Bajernit, kurse fjala “borxh” është antonimi i tij. Bajerni nuk është ekip aksidental, apo pa histori, që shpenzon si i marrë. Është ndër të vetmet klube në botë që ka zbatuar “Fair Play”-n financiar më mirë se kushdo, madje e ka iniciuar atë, me idetë inovative të Rumeniges. Horge Valdano, filozof argjentinas dhe kampion i botës në vitin 1986, një herë ka thënë: “Ka momente kur një klub i fuqishëm duhet të tregojë autoritetin dhe gjithashtu momente ku duhet të hedhë një grumbull të madh parash në tryezë.” Bajerni së shpejti mund të bëhet klubi më i pasur në botë, sepse një sponsor pritet të ofrojë 100 milionë euro për 12% të aksioneve të klubit dhe gjithashtu çdo vit po publikon rekordet e shitjeve. Vjet pati rekord në qarkullimin monetar të klubit, kurse sivjet ka publikuar lajmin se fanellat e shitura dhe aksesorët sportivë janë shitur si kurrë më parë, një rekord historik në Gjermani. Edhe pak Bajerni paguan totalisht shumën e punimeve në “Allianz Arena” dhe mandej do të paguajë më tepër për merkato dhe për personelin. Është i vetmi klub në botë që ka shtuar dy mijë vende brenda tri ditësh në stadium. Fuqia ekonomike është baza dhe bavarezët e kanë, sepse kanë punuar me durim me vite të tëra për këto ditë. Italianët Konte dhe Lipi brenda një jave thanë njëzëri: “Bajerni është një superfuqi!” Edhe Guardiola jo më kot zgjodhi Bajernin para ofertave marramendëse shumëshifrore të klubeve të tjera.

8. Jup Hejnkes
Vjet humbi të trija “finalet” e trofeve ku Bayerni aspiroi për triumf dhe kështu puna e tij sikur u zbeh e nuk doli në pah sa duhej. Hënes e komentoi këtë pardje: “Nuk e kuptoj pse thuhet se Hejnkes vjet dështoi. Ai për pak sa nuk na dha tre trofe. Ka ekipe që u ndërtojnë statuja trajnerëve, që në fakt nuk kanë bërë ndonjë gjë.” Hejnkes është i vetmi trajner 68-vjeçar në histori, që ka fituar Bundesligën. Ai e ndryshoi komplet Bajernin. U mësoi bavarezëve konceptin “mbrojtje”, i harruar nga paraardhësi i tij Van Gal. Me temperamentin e tij unik dhe qetësinë e tij, Don Jup nuk pati kurrë konflikti me lojtarët, por i nxiti ata të japin maksimumin. Nojer tha dje se “kur ka diçka që nuk shkon, Hejnkes e rregullon, sepse merret me detajet”. Ky Bajern që Hejnkes po merr përdore po kalon rekordet e vetvetes, sepse ka thyer shumë rekorde të Bajernit më të suksesshëm në histori, atij të viteve ’70-të. Të fitosh kampionatin 6 javë para përfundimit dhe me 20 pikë diferencë nga vendi i dytë (dhe mund të thellohet më tepër) nuk ka ndodhur kurrë në historinë e Bundesligës, por ja që Hejnkes e bëri dhe jo pak media e cilësojnë “Bajernin e tij” si më të mirin në histori, duke “mposhtur” edhe Bajernin e legjendave si Bekenbauer.

9. Matias Samer
Nëse Hejnkes është “plaku i urtë”, “babai i mirë”, Samer është “vëllai i keq” i familjes së madhe “Bajerni i Mynihut”. Pa frikë mund të thuhet se “transferimi” më i madh i dekadës ka qenë ky njeri, i cili erdhi nga Federata Gjermane e Futbollit. Frytet e punës së tij duken, sepse Bajerni aktual ngjan shumë me personalitetin e Samerit, që e kemi hasur kur ai ishte lojtar dhe fitoi gjithçka. Ai ngelet akoma “Topi i Artë” i fundit gjerman, tashmë i destinuar për të sjellë lavdinë e dikurshme të kundërshtarit më të madh që ka pasur kur ishte futbollist i Dortmundit. Nervi, disiplina, rregulli, mentaliteti fitues dhe dinakëria që Bajerni po shfaq këtë sezon janë shëmbëlltyra e asaj që Samer kërkon çdo ditë të përcjellë në skuadër. Ai është njeriu i jashtëm, një “elekton” që lëviz dhe sheh kudo dhe kurdo “bërthamën”, pra skuadrën e tij. Nuk festoi për titullin, sepse ai është njeri i hekurt që ka uri vetëm për tituj, jo për festa. Deklarata e tij “do t’i kontrolloj shtëpi më shtëpi lojtarët nëse festojnë” është si shprehja “një foto sa një mijë fjalë”.

10. Vrulli
Bajerni sivjet e mori me turr që në fillim dhe arriti fitore që me ndeshjen e parë dhe vetëm një herë u ndal nga Leverkuseni, për të vazhduar sërish marshin me fitore dhe me rekorde. Javët e para ishin të jashtëzakonshme për të sepse kishte zhvilluar një maratonë të fazës përgatitore në mënyrë të jashtëzakonshme, me shumë miqësore dhe ndeshje testuese, në Trentino dhe jo vetëm. “Vrulli i parë” është një fenomen mjaft shqetësues. Ka të bëjë me shprehjen “fillimi i mbarë, gjysma e punës”. Andreas Brehme e ka shpjeguar ndryshe, duke thënë: “Nëse ke jashtëqitur mbi këmbën tënde, e ke qelbur tashmë.” Duket sikur Bajerni nga ana psikologjike këtë vit ka qenë më mirë se kurrë. Mbajmë mend fjalët e Hënesit, që u drejtohet mediave: “Mos na lavdëroni”. E thoshte këtë, sepse bavarezët vjet vuajtën nga presioni i finales në shtëpi, kurse sivjet kapërcyen gjithçka dhe nuk u bëri përshtypje ç’shkruajnë mediat. Lahm ka thënë nga mesi i sezonit: “E nisëm mbarë, duke fituar ca ndeshje të mëdha. Fituam në kohën e duhur dhe më pas e shikuam veten duke zgjeruar serinë e sukseseve, gjithnjë e më tepër.”

11. Mbrojtja
Bajerni ka shënuar më pak gola se Barcelona, por ka golavarazh më të mirë se katalanasit dhe se çdo ekip tjetër evropian. Sekreti? Mbrojtja! Ka pësuar vetëm 13 gola në 28 ndeshje të kampionatit. Blerja e Dantes dhe Martinezit ka ndikuar shumë në qëndrueshmërinë e mbrojtjes bavareze. Dante nuk është si qendërmbrojtësit tipikë gjermanë, por është elastik dhe ka teknikë të mjaftueshme për të udhëhequr mbrojtjen. Presidenti i Bajernit, Uli Hënes, tha pas finales së humbur ndaj Çelsit se “Bajernit i mungon një Efenberg në mesfushë, që e ha kundërshtarin në fushë”. Kështu, u ble për 40 milionë euro lojtari më i shtrenjtë në historinë e Bundesligës, Javier Martinez, roli i të cilit është të neutralizojë sulmet e kundërshtarëve që në nisje. Nuk është vetëm kjo dyshe që ka sjellë qëndrueshmërinë në këtë repart, por edhe strategjia e re e lojës, duke mbrojtur secili nga pak. Shohim dyshen Riberi-Roben që kthehet nga sulmi për të markuar kundërshtarin, apo sulmuesin pykë (Mandzukiç) që rikuperoi 12 topa në ndeshjen ndaj Juventusit, duke nisur 7 kundërsulme pasi u mori topin nga mbrapa Markizios dhe Pirlos.

12. Cinizmi
Kjo pikë është deri-diku edhe një përmbledhje ose titull i çdo pike tjetër të përmendur më sipër. Është fjalë pak e rëndë, por përshkruan mjaft mirë se si ka ndryshuar Bajerni nga sezoni tjetër. Në ndeshjen ndaj Arsenalit dhe Juventusit, kur bavarezët donin të mbanin rrjetën e paprekur, shkonin dhe mbanin topin kot te flamuri i kornes te zona e kundërshtarit, në mënyrë që minutat të kalojnë pa rrezik. Ndoshta kjo nuk ka ndodhur kurrë në historinë e këtij klubi gjithmonë me filozofi sulmuese. Van Gal solli futbollin intensive dhe tërheqës, me lojë të bukur dhe sulmuese. Për të nuk kishte rëndësi se Bajerni pësonte një gol. Mjaftonte që skuadra të shënonte një gol më tepër se kundërshtari. Mbajtja e topit gjithashtu është një tregues i këtij cinizmi. 61% është përqindja mesatare e poseidimit të topit nga ana e bavarezëve gjatë këtij sezoni, kur vjet konsideroheshin ekip “dembel”, ngaqë nuk luftonin për të marrë topin. Ky cinizëm vjen nga mësimet e së kaluarës, pasi Bajerni e provoi vjet të luante lojë të bukur dhe me shumë aksione sulmuese, por e pësoi. Tani e ka marrë vesh se në fitore nuk ndikon vetëm loja, sepse ashtu si në jetë, jo gjithmonë fiton ai që punon më tepër. Episodet, dëmtimet, kartonat apo vendimet e gabuara vendosin një ndeshje dhe Rumenige sivjet e ka përsëritur shpesh këtë.

(d.b/PanoramaSport/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›