E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu pretendon komisionerët e Metës, dorëzon kërkesën për marrjen e tyre në KQZ

TIRANË- Partia Republikane dorëzon në Komisionin Qendror Zgjedhor, kërkesën për të pasur të drejtën e një anëtari. Nënkryetari i Partisë Republikane Arjan Madhi deklaron për News24, se pas daljes së LSI-së nga koaliconi me PD, PR është forca e dytë më e madhe në koalicionin mazhoritar. 

Madhi argumenton se pesha e PR-së është e konfirmuar dhe legjitimi, pasi ka 32 mijë vota dhe në vitin 2009 ka fituar një mandat, ndërkohë kërkon që KQZ të zbatojë ligjin në mënyrë që të mos krijojë mundësinë e hamendësimeve për njëanshmëri. 

“PR peshën e saj politike e ka të konfirmuar dhe legjitime, pasi përfaqësohet me një mandat në Kuvend dhe ka 32 mijë vota të fituara në vitin 2009. Kodi Zgjedhor përcakton vendin e partive në bazën e mandateve, dhe niset nga numri i votave që ka fituar. Ne renditemi si forca e dytë mazhoritare” deklaroi Madhi.

"Ky është një fakt i njohur dhe mbi këtë bazë i kërkojmë KQZ për të siguruar baraspeshimin politik në komisione pasi është një element thelbësor që do të garantojë respektimin e palëve në një proces. Nëse do të ndodhte një veprim i kundërt, gjithcka vihet në pikëpyetje për shkak të mungesës së besimit, pasi do të kemi komisione të njëanshme", shtoi Madhi.

Largimi vetëm pak ditë më parë i LSI-së nga koalicioni me PD-në dhe bashkimi me PS-në ka 'trazuar' ujërat në dy kampet në prag të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›