3 prill 2008 - Topalli: Ftesa në NATO , ngjarje e jashtëzakonshme që kërkon nga të gjithë ne angazhim e seriozitet të jashtëzakonshëm.
Fjala e Kryetares së Kuvendit në seancën plenare në ditën kur Shqipëria mori ftesën prë anëtarësim në NATO.
Të gjithë ne besoj se ndihemi krenarë për këtë ditë, ashtu si i gjithë kombi.
Kjo është koha e ngjarjeve të mëdha për kombin shqiptar. Është koha e sukseseve të mëdha, koha e datave historike.
Nënshkrimi i MSA-së me Bashkimin Europian, nisja e negociatave për liberalizimin e vizave, shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe sot marrja e ftësës për anëtarësim në NATO, janë ngjarje të përjella me emocion nga kjo sallë.
Kjo është koha e ngjarjeve të mëdha dhe kjo nuk është çështje fati, por përgjigje e progresit, angazhimit, përkushtimit, seriozitetit dhe rezultateve në reforma, është çështje e premtimve të mbajtura.
Nëse viti 90 shënoi ndarjen nga diktatura, dita e sotme shënon ndarjen nga tranzicioni politik dhe nisjen e një etape të re.
Sot, në emër të këtij Kuvendi falënderoj të gjithë ata burra e gra që kontribuan në arritjen e kësaj dite.
Mirënjohje për të gjithë ata miq në mbarë Botën që na kanë qendruar pranë, në mënyrë të veçantë për Presidentin e Shteteteve të Bashkuara të Amerikës George W. Bush.
Falënderim për të gjithë djemtë që na bëjnë krenarë përkrah forcave aletate kundër terrorizmit.
Nderim dhe mirënjohje për të gjithë patriotët, që në breza e kohë të ndryshme kanë mbrojtur kombin shqiptar dhe lirinë e tij.
Të nderuar kolegë,
Marrja e ftesës për anëtarësim në NATO është ngjarje e jashtëzakonshme që kërkon nga të gjithë ne një përgjigje të jashtëzakonshme, një angazhim e seriozitet të jashtëzakonshëm. Unë jam e bindur se, duke punuar së bashku, asgjë nuk mund ta ndalë ecjen tonë përpara në të tjera ngjarje të mëdha, që do ta bëjnë Shqipërinë një vend të sigurt e të begatë për ne, për fëmijët tanë e për brezat që do të vijnë.