12 mijë anketues zbarkojnë në terren

Nis zyrtarisht procesi i regjistrimit të popullsisë. Pollo: I nevojshëm për zhvillimin e politikave. INSTAT: Të dhënat, për demografinë e popullsisë
Punonjësit e Institutit të Statistikave nisën dje punën në terren për mbledhjen e të dhënave për regjistrimin e popullsisë dhe të banesave të njohur dhe si Censusi “Shqipëria 2011”. Plot 12 mijë anketuesit të trajnuar nga Instituti i Statistikave, do të trokasin në dyert e shqiptarëve për të filluar procesin e regjistrimit. Censusi nisi pa probleme në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore në qarqeve si Tiranë, Kukës, Elbasan, Durrës, Shkodër, Korçë, Gjirokastër, Vlorë, Fier, Lezhë, Berat dhe Dibër. Në çdo njësi vendore është shpërndarë me kohë e gjithë baza materiale si dhe janë ushtruar kontrolle nga grupet e monitorimit në çdo njësi vendore, ku është konstatuar fillimi normal i punës nga regjistruesit. Projekti i shtrirë në të gjithë vendin, do të përfundojë më 21 tetor.
Deri në këtë datë të gjithë shtetasit rezidentë në Shqipëri duhet të plotësojnë 40 pyetjet e pyetësorit, prej 32 faqesh. Pyetjet janë të ndara në dy kategori. Pyetjet e para, që kanë të bëjnë me detyrim përgjigjeje, lidhen me identitetin e qytetarit, të dhënat mbi ndërtesën apo banesën e tyre. Pyetjet e dyta, që kanë të bëjnë me përkatësinë etnike e fetare, janë me vullnet të lirë, pra jo me detyrim përgjigjeje. Përgjatë 3 javëve anketuesit e INSTAT do të mbledhin të dhënat në terren dhe më pas në nëntor pritet të dalin rezultatet paraprake të këtij procesi, ndërkohë që rezultati final do të dalë në 2012-ën. Ekspertët e INSTAT shpjegojnë se qëllimi kryesor i Censusit është që të mbledhë të dhëna për realitetin demografik, ekonomik e social të vendit. Dje ministri i Inovacionit, njëkohësisht kryetrari i Komisionit Qendror të Censusit, Genc Pollo i bëri apel qytetarëve të marrin pjesë në këtë proces duke i kërkuar të anashkalojnë thirrjet kundër këtij procesi dhe të japin të dhëna. “Është rasti për të theksuar rëndësinë e këtij procesi. I bëj apel të gjithë qytetarëve, për të dhënë informatat e veta duke dhënë një kontribut për vendin familjen, në mënyrë që të kemi rezultate të sakta, të besueshme, pasi në të gjitha nivelet e vendimmarrjes do të kemi një mundësi më shumë dhe një instrument më shumë për të përmirësuar jetën tonë”- deklaroi një ditë më parë, Pollo. “Nëse kemi patur një debat dhe disa thirrje të tepruara, sot është momenti t’i lëmë pas këto qasje e të bashkëpunojmë të tërë në këtë proces madhor. Kërkoj bashkëpunim nga të gjithë sepse është një detyrim dhe një kontribut që gjithsecili jep për veten e tij” - nënvizoi më tej ministri i Inovacionit. Censusi i cili llogaritet i 11-ti pas shpalljes së pavarësisë, do të kushtojë 14 milionë euro. Ndërsa 1 milion lekë të vjetra është gjoba për të gjithë ata që mashtrojnë me të dhënat personale apo refuzojnë plotësimin e formularit. Një familjar mund të përgjigjet dhe për të tjetër nëse ata nuk ndodhen në shtëpi. 2 pyetjet e fundit, ato për fenë dhe etninë, janë fakultative dhe në rast se 5 % e shqiptarëve refuzojnë t’i përgjigjen, nuk mund të merren në konsideratë dhe si rrjedhojë nuk përfshihen në rezultatin final.
Formulari i regjistrimit, si merren dhe përdoren të dhënat/Mbi 12 mijë anketues janë shpërndarë në terren në të gjithë vendin, për të plotësuar formularin me 40 pyetje, i njohur si censusi i popullsisë dhe banesave. Për 20 ditë ata do të shkojnë derë më derë që qytetarët të plotësojnë formularin, i cili përmban informacion statistikor për numrin e shtetasve, numrin e banesave, pronat, kushtet social-ekonomike. Censusi nuk ka lidhje me regjistrat e taksave, pronave, pensioneve, apo statusin e emigranteve. Të dhënat e Censusit do të mund të përdoren jo vetëm nga qeveria dhe organizmat kryesore ndërkombëtare, por edhe nga organizatat si FMN, BERZH, UNICEF, etj. Anketuesi që do të plotësojë formularin është i identifikueshëm, me kartë identifikimi zyrtare. Ai ka detyrimin ligjor për mbrojtjen e të dhënave konfidenciale. Të dhënat do të përpunohen nga INSTAT dhe do të mund të përdoren vetëm si shifra të agreguara, të publikuara si të dhëna statistikore zyrtare. Individët vetëm në mënyrë vullnetare janë të detyruar të japin të dhëna që kanë të bëjnë me etninë dhe fenë. Gjithashtu mbi baza të deklarimit vullnetar mund të jepen të dhëna në lidhje me datën e lindjes, gjendjen civile, shkollimin etj. Të gjithë shtetasit që jetojnë në Shqipëri, vendas apo të huaj, me përjashtim të stafit diplomatik, janë të detyruar të plotësojnë formularin e Censusit. Por, disa minoritete, si ai maqedon apo grek, kanë deklaruar se janë kundër regjistrimit të popullsisë. Gjithashtu, rezerva ka shprehur edhe komuniteti mysliman, pasi ai mund të prishë harmoninë fetare. 21 Tetori është dita kur anketuesit duhet të kenë përfunduar punën në terren dhe më pas të dhënat do të përpunohen nga INSTAT.
Eurostat: Regjistrimi i popullsisë dhe banesave në Shqipëri, si në BE/Regjistrimi i popullsisë dhe banesave në Shqipëri, është formuluar në të njëjtën mënyrë me atë të vendeve të Bashkimit Evropian. Kështu u shpreh Peter Everaers, drejtori i marrëdhënieve me jashtë në Institutin Evropian të Statistikave, Eurostat, i pranishëm në Shqipëri një ditë para fillimit të regjistrimit. Në konferencën për shtyp organizuar nga INSTAT, ai vuri theksin në rëndësinë që ka ky proces në integrimin e vendit. Censusi i regjistrimit të popullsisë dhe banesave nuk është thjesht regjistrim por është një proces i rëndësishëm në kryerjen e politikave zhvilluese të vendit. Shumë vende të Bashkimit Evropian e kanë përfunduar censusin dhe kane dalë të dhëna të sakta për çdo shtet. Edhe në Shqipëri është zgjedhur e njëjta metodë regjistrimi me ato të vendeve të Bashkimit Evropian. Ky proces është akoma dhe më i rëndësishëm për vendet si Shqipëria që synojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, prandaj të gjithë duhet të bëhen pjesë në mënyrë që të përmbyllet me sukses.
Censusi “Shqipëria 2011”/Nga dita e djeshme 12 mijë anketuesit e INSTAT kanë nisur regjistrimin e popullsisë dhe banesave në të gjithë vendin. Procesi i mbledhjes së të dhënave do zgjasë 3 javë, ndërsa më pas kalkulimi i tyre dhe zbardhja e rezultateve, do bëhet pas muajit janar 2012. Në total, për këtë proces janë printuar 1 milion e 200 mijë pyetësorë dhe 200 mijë pyetësorë individualë. Numri i të punësuarve arrin në 15 mijë persona ndërkohë që vlera totale e projektit arrin në afro 14 milion euro.