Ligji për mediat, Pollo në mbledhje: Ta kalojmë pa zhurmë
Pavarësisht akuzave të mazhorancës në drejtim të opozitës për mungesën e kësaj të fundit në kuvend, duket se demokratëve u ka shërbyer. Gjatë një mbledhjeje të Konferencës së Kryetarëve, ku të pranishëm ishin vetëm përfaqësuesit e shumicës qeverisëse, demokratët kanë dashur të shfrytëzojnë periudhën e bojkotit parlamentar nga socialistët. Në procesverbalin e mbledhjes së Konferencës të datës 23 qershor, dallohet qartë tendenca e shumicës e shprehur nëpërmjet përfaqësuesit të qeverisë Genc Pollo që një prej ligjeve aq shumë i kontestuar, ai për mediat elektronike të kalojë me shpejtësi. Personi ndërlidhës midis ekzekutivit dhe legjislativit Pollo, i bën thirrje kolegëve të tij të mazhorancës që të fusin me shpejtësi projektligjin për transmetimet më zë dhe figurë për të përfituar nga debate i asaj kohe për zgjedhjet në Tiranë, duke shmangur në këtë mënyrë kundërshtimet e deputetëve të opozitës. Ne na volitet që këtë projektligj ta kalojmë pa zhurmë dhe shpejt, sepse mendojmë se opozita do të bëjë zhurmë mediatike, citohet në procesverbalin e Konferencës së Kryetarëve e cila u zhvillua me dyer të mbyllura. Ministri për Teknologjinë dhe Inovacionin, njëkohësisht edhe përfaqësues i qeverisë në Konferencë e justifikon qëndrimin me kundërshtimin e vazhdueshëm të opozitës për të gjitha projektligjet. Ministri Genc Pollo shprehet se në të gjitha rastet opozita do të kundërshtojë. Për këtë arsye ministri i kërkon kryetarit të Komisionit të Medias Mark Marku si dhe pjesëmarrësve të tjerë që të nxitojnë me futjen në kalendar dhe me miratimin e tij në seancë plenare pavarësisht se në atë kohë drafti ka pasur problem të shumta. Këto dy probleme që paraqiti Marku sqarohen, përsa i përket opozitës si të jetë si të mos jetë prezent ata njësoj do të shprehen, kundër ligjit, shprehet Pollo në mbledhje.
Gjithsesi ky projektligj nuk është miratuar ende për shkak të vonesave në hartimin e draftit final. Ligji për median është tepër i kontestuar nga grupet e interesit dhe nga faktori ndërkombëtar. Këta të fundit kanë kërkuar edhe pjesëmarrjen në hartimin e draftit final të projektligjit të ri të medias.
Debati për ligjin e medias në Konferencën e Kryetarëve
Jozefina Topalli: Mark ku jemi me ligjin për mediat?
Mark Marku: Është gati ka vetëm problemin e strategjisë së dixhitalizimit, sepse kjo është një strategji tjetër që nuk varet nga ne. Ligji i ka kaluar të gjitha. E kemi paraqitur dhe në KE dhe na kanë kthyer vetëm 50 faqe, për të cilat kemi ngritur një grup specialistësh dhe po i shqyrtojmë.
Genc Pollo: Tekstin e strategjisë Komisini ad-hoc e ka gati.
Mark Marku: Ka një problem tjetër: KE propozon që zgjedhja e bordit drejtues të KKRT- të bëhet me short.
Genc Pollo: Kush do të duhet ta hedh shortin?
Mark Marku: Ne këtë pikë e kemi lënë projektligjin si ka qenë.
Jozefina Topalli: Bordi si zgjidhet?
Mark Marku: Zgjidhet nga Parlamenti.
Jozefina Topalli: Ne e kemi një praktikë për të zgjedhur bordin. Ti qëndrojmë praktikës. Edhe Italia dhe Franca këtë praktikë kanë, ne nuk bëjmë ligje më të mira se ata.
Mark Marku: Nëse biem dakord, ne e fusim në seancë.
Jozefina Topalli: Duke qenë se është një ligj i rëndësishëm, mendoj se duhet ta shikojë edhe një komision tjetër.
Astrit Patozi: Unë mendoj që këtë projektligj duhet ta shohim mirë deri në shtator që të mos mendohet se po kalohet, shpejt e shpejt nga që nuk paraqitet opozita në seancë plenare.
Jozefina Topalli: Nuk mund të kushtëzohemi nga opozita për një ligj kaq të rëndësishëm.
Genc Pollo: Këto dy probleme që paraqiti Marku sqarohen, përsa i përket opozitës si të jetë si të mos jetë prezent ata njësoj do të shprehen, kundër ligjit.
Astrit Patozi: Nëse është gati atëherë le të kalojë.
Fatos Beja: Amendamenti zgjidhet me çështjen e pronësisë ndaj medias, dhe ashtu si është trajtuar në ligj nuk ka kuptim.
Lulëzim Lelçaj: E kemi diskutuar një herë këtë problem edhe nëse e kalojmë amendamentin, përsëri nuk gjen zbatim.
Jozefina Topalli: Dakord ta kalojmë amendamentin e zotit Beja.
Lulëzim Lelçaj: Duke qenë se është teknikë legjislative po e kalojmë në Komisionin e Ligjeve për të shqyrtuar.
Fatos Beja: Ta kalojmë në procedurë, pasi ne si Parlament mbajmë përgjegjësi, pasi nuk mund të lemë një ligj të shfuqizojë një ligj tjetër.
Mark Marku: Deri në fund të korrikut ligji nuk përfundon se kemi takime me grupet e interesit.
Jozefina Topalli: Zoti Marku përse nuk më thoni që janë edhe këto procedura? Ju më thoni që është gati dhe ta kalojmë. Ka tri vjet që po punohet për projektligjin, duhet të mbarohet. Unë e di që ky projektligj është i mbaruar në komision.
Genc Pollo: Ne na volitet që këtë projektligj ta kalojmë pa zhurmë dhe shpejt, sepse mendojmë se opozita do të bëjë zhurmë mediatike.
Astrit Patozi: Ata edhe po të mos jenë në seancë përsëri do të kundërshtojnë ligjin. Ne duhet ti lemë mundësinë vetes duke parashikuar javën e tretë të këtij kalendari për ta kaluar.
Jozefiina Topalli: Mark, atëherë sa të mbarojë seanca ti lidhu me grupet e interesit, me Komisionin e Europës dhe Këshillin e Europës dëgjoi përfaqësuesit e tyre dhe të kalojë projektligji të punohet në komision.
Mark Marku: OSBE më ka kërkuar informacion.
Fatos Beja: Tu paraqesim një draft.
Jozefina Topalli: Tri herë rresht ua kemi çuar. Nuk kemi bërë ligj të medias pa e parë ata. Zoti Patozi, kërkoj nga anëtarët e komisionit që ta studiojnë dhe ta njohin ligjin mirë. Zoti Pollo njofto në Qeveri që projektligjin për Buxhetin ta paraqesin pa vonesa në Kuvend.
Këtu e mbyllim mbledhjen.
