Paskal Milo refuzon axhendën e Edi Ramës në bllokimin e ligjeve dhe reformave
Aleatët e Partisë Socialiste e shohin me skepticizëm draftin me 10 pika të selisë rozë, në këmbim të votës për ligjet me shumicë të cilësuar në Kuvend. Aleati më i ngushtë i Ramës, kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, thotë se asnjë prej pikave të propozuara nga Partia Socialiste nuk dëshmon mirëfilltazi rrugëzgjidhje për situatën politike. Madje, Milo është për tërheqjen e pikës 9 të propozimeve të kryesocialistit Edi Rama, atë të “letrës drejtuar organit të akuzës”. “Një letër drejtuar prokurores së përgjithshme do të dëshmonte mbi politizimin e organit të akuzës”, thotë Milo. Duke analizuar deklaratat e një dite më parë të ambasadorit amerikan, Milo vëren se socialistët nuk e kanë përfshirë procesin e zgjedhjes së presidentit në propozimet e tyre. Sipas kreut të Demokracisë Sociale në ditët e ardhshme, palët politike do të vazhdojnë të fajësojnë njëri-tjetrin për mos marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, dhe deri në nëntor, nuk do të ketë një proces bashkëpunimi. Milo, gjatë një bisede në studio ka theksuar se palët politike duhet të nisin bashkëpunimin për të përshpejtuar kështu procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Ai bëri të ditur se paketa me 10 pika, e propozuar nga opozita, është një paketë e negociueshme për palët.