Qeveria do rrisë maksimalisht kujdesin ndaj moshës së tretë
Dita botërore e të moshuarve, kryeministri Berisha viziton Shtëpinë e të Moshuarve në kryeqytet
Në Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve, kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij zonja Liri Berisha dhe ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera, vizituan dje Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë. Duke i uruar të moshuarve këtë ditë kryeministri i shprehu atyre mirënjohjen më të madhe për punën dhe kontributin që ata dhe e gjithë gjenerata e tyre kanë dhënë, si dhe i siguroi se qeveria do të bëjë gjithçka për tu përmirësuar kushtet dhe shërbimet në qendrat e përkujdesit ndaj tyre. “Ne jemi shumë të vendosur që të bëjmë gjithçka për tua ndryshuar për mirë kushtet e jetës dhe kushtet e përditshme. Ne do të investojmë kudo që të kemi qendrat me të mira të kemi programet ditore javore më të mira për ta, sepse është në detyrimin moral të qeverisë, te shoqërisë, të shtetit”- theksoi kryeministri. Berisha siguroi se investimet nuk do te ndalen dhe se qeveria do të bëj gjithçka për moshën e tretë. “Për pensionet 6 vjet më parë fondi në total ishte 50 miliardë lekë ndërsa sot është 106 miliardë. Për ilaçet fondi më parë ishte 5 miliardë lekë dhe sot është 25 miliardë dhe në këtë kuadër, mosha e tretë është mosha që përfiton më shumë nga subvencioni që ne ju bëjmë ilaçeve. Pra jemi përpjekur dhe përpiqemi të shprehim ndjeshmërinë dhe respektin që ne ndiejmë për ju dhe mbarë shoqërinë”- u shpreh kryeministri Berisha. “Kjo moshë, tha kryeministri, është një moshë që kërkon më shumë se çdo moshë tjetër, kërkon dhe meriton respekt, kërkon dashuri dhe meriton dashuri, kërkon përkujdesje dhe meriton përkujdesje, ndaj dhe duhet të punojmë bashkërisht që çdo vit jeta e këtyre qytetareve të vendit tonë, jeta e të moshuarve të bëhet gjithnjë e më e lehte dhe me këndshme në shtëpitë e kujdesit për qytetarët e moshës së tretë dhe kjo jo vetëm për Tiranën, por për të gjithë Shqipërinë”- u shpreh kryeministri Berisha. Ai vuri në dukje se 5 vjet më parë kishte vizituar shtëpinë e të moshuarve, ku dhe ishte njohur me problemet e tyre, si pensionet dhe standardi i ulët i jetesës përbënin shqetësimin më të madh për të moshuarit. Por, theksoi kryeministri në 5 vite pensionet u dyfishuan, ndërsa qeveria ia ka dalë që fondin e subvencioneve për ilaçet ta rrisë nga 5 në 25 miliardë. “Kam ardhur tek ju para 5 vitesh dhe kam bërë një vizitë. Përfaqësuesit tuaj më shtruan problemin se shtëpitë e kujdesit të të moshuarve ju mbanin atyre 80 përqind të pensionit, sot kjo vlerë është përgjysmuar. Pensionet sot siç e dini nuk janë më nën 100 dollarë dhe si qeveri kemi rritur fondin e pensioneve nga 50 miliardë në vit që ishte 5 vjet më parë, në 106 miliard që është sot. Por, po në këtë drejtim për të dëshmuar gatishmërinë tonë, respektin tonë, ndjeshmërinë tonë ndaj jush, ne kemi pesëfishuar fondin e ilaçeve. Nëse 5 vjet më parë subvencionimi i ilaçeve ishte gjithsej 5 miliardë, sot subvencionimi i ilaçeve është 25 miliardë. Këto janë disa hapa, por ne do të bëjmë gjithçka për hapa të tjera, në mënyrë që ju në këto shtëpi të kujdesit, të keni të gjithë kujdesin e merituar, në mënyrë që ju, ditët ti keni në ditë të këndshme, në mënyrë që ju këtu, javën, muajin ta keni sa më të këndshëm dhe të shëndetshëm”- tha kryeministri Berisha. Gjatë kësaj vizite u shpërndanë edhe dhurata, të cilat përmbanin artikuj të ndryshëm dhe veshmbathje për 50 të moshuarit e kësaj qendre.