E Shtunë, 31 Tetor 2026

12 mijë debitorët e ATK-së dhe vendimi nr. 450 i KM-së

Këto ditë ka hyrë në fuqi vendimi nr 450, datë 16.06.2010 i Këshillit të Ministrave, i cili bënë disa ndryshime dhe shtesa në VKM-në nr. 681, datë 11.06.2009 “Për trajtimin e kredive të transferuara nga bankat e nivelit të dytë me kapital tërësisht shtetror në Agjencinë e Trajtimit të Kredive, kriteret dhe kushtet për ndryshimin e marrëveshjes së kredisë, si dhe procedurat e marrjes në pronësi të pasurive të lëna si garanci ose jo nga huamarrësit, të administrimit, shitjes dhe dhënies me qira apo enfiteozë të këtyre pasurive”.
Sipas diskutimeve paraprake të bëra për hartimin e draftit në fjalë, duket se me këto ndryshime Këshilli i Ministrave do ta mbyll përfundisht ciklin e lehtësive dhe favorizimeve që shteti mund të bëjë ndaj debitorëve të ATK-së, të cilët ofrohen për të likujduar në mënyrë vullnetare detyrimin e krijuar dhe të palikuiduar deri tani. Kjo është arsyeja e maksimalizimit dhe masivizimit të këtyre lehtësive, duke mos i ofruar më vetëm për kategori të caktuar debitorësh, siç është ofruar deri tani, po për tërë listën e tyre emërore, me afro 12 mijë individë e subjekte të ndryshme.
Parë në këtë këndvështrim, me interes të jashtëzakonshëm për debitorët është ndryshimi që ka pësuar pika 1.1 e kreut të parë, ku parashikohet që, “debitorëve, që shlyejnë menjëherë të gjithë shumën e principalit të transferuar apo të mbetur, u falen, në masën 100 % interesat, gjobat dhe kamatvonesat, pavarësisht nga objekti i kredisë dhe shuma e detyrimit të transferuar”. Ndërkohë, që interesat, gjobat dhe kamatvonesat përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të totalit të detyrimit, të cilat për të gjithë portofolin shkojnë diku tek 57 % e detyrimit gjithësej, përfitimi më i madh është për ata debitorë që këtë pjesë detyrimi e kanë një, dy, tre, katër a më shumë herë më të madhe se sa masa e principalit të transferuar apo të mbetur për t’u likujduar.
Një lehtësi e tillë ka ekzistuar edhe në aktet e mëparëshme nënligjore, por dikur ishte e kufizuar për një kategori të caktuar debitorësh, kryesisht për ata individë e subjekte që principalin e transferuar e kishin deri në një milionë lekë apo që objektin e kredisë e kishin të shtrirë në fushën e bujqësisë. Ndërsa për dy vjetët e fundit këto lloj lehtësish maksimale përveçse për kategori të caktuara debitorësh, ndonëse për një masë më të gjerë pas korrikut 2008, ishin të kufizuara dhe fragmentarizuara në kohë, deri në 30 prill 2009, sipas VKM-së nr. 1045, datë 16.07.2008 dhe deri në 31.12.2009, sipas VKM-së nr. 681, datë 11.06.2009.
Ndërkohë, jo pak të favorizuar janë sipas VKM-së nr. 450, datë 16.06.2010 janë edhe ata debitorë që zgjedhin alternativën e likujdimit me këste të detyrimit, ku përveç shumës së principalit, duhet të paguajnë edhe një pjesë të interesave, gjobave dhe kamatvonesave. Konkretisht 10 % të tyre për “…debitorët, të cilët në datën e transferimit të kredisë nga bankat e kanë patur shumën e principalit deri në 3 000 000 (tre milionë) lekë” dhe 5 % për “…debitorët, të cilët në datën e transferimit të kredisë nga bankat e kanë patur shumën e principalit mbi 3 000 000 (tre milionë) lekë”. Mjafton të kujtojmë se për momentin këto shifra zbatohen respektivisht në masën 40 dhe 35 për qind. Ndërkohë periudha e likujdimit me këste nuk mund të jetë më shumë se 2 (dy) vjetë.
Por nuk ka aspak afat në kuptimin e paraqitjes së debitorëve pranë ATK-së për të përfituar këto lehtësi, pasi një “ofertë” e tillë është në “garë” me ekzekutimin e detyrueshëm, nëpërmjet ndjekjes së procedurave ligjore nga Shërbimi Përmbarimor, ku kërkohet i gjithë detyrimi i krijuar, në të cilin përfshihet totali i principalit, interesave, gjobave, kamatvonesave, shpenzimeve gjyqsore, etj., pa aplikuar asnjë lloj zbritjeje. Nuk ka afat, sepse në ATK u bënë disa javë që po punohet me objektivin që brenda muajt shtator të këtij viti të dërgohen në Përmbarim të gjithë debitorët e mbetur pa mbyllur detyrimin deri tani. Parë në këtë këndvështrim, nuk ka më kohë për të humbur nga askush, pasi dy muaj janë shumë pak për të trajtuar 12 000 debitorë, qoftë edhe për shkak të kapaciteteve të cunguara të infrastrukturës administrative për të përballuar një volum kaq të madh pune. Megjithatë, këto janë detyrat tona, të cilat do të dimë si t’i përmbushim me sukses, pa krijuar as më të voglin shqetësim tek debitorët që do të ofrohen për të likujduar vullnetarisht detyrimin e mbetur.
Nga ana tjetër, po ikën avash-avash edhe koha e atyre debitorëve, që me lloj-lloj mënyrash, të padrejta dhe të padenja, i janë shmangur shlyerjes së detyrimit të krijuar; duke humbur pa adresë, duke fshirë kolateralet dhe fshehur pasuri të tjera apo llogari bankare, duke hapur biznese në emër të familjarëve apo të të afërmve; deri dhe duke ndryshuar emrin apo mbiemrin dhe duke bërë lloj-lloj veprimesh të tjera spekuluese. Për këtë qëllim, përveç të tjerash, po shfrytëzohen të gjitha hapësirat ligjore për bashkëpunimin institucional me organet e pushtetit vendor, Policinë e Shtetit, pikat e kalimit të kufit, shërbimin konsullor e kështu me radhë, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 10 të ligjit organik të ATK-së, duke krijuar database-n e të dhënave për çdo debitor, me qëllim zbatimin efikas të procedurave lidhur me ekzekutimin e detyrueshëm apo ndërmarrjen e veprimeve të tjera ligjore të natyrës civile e penale ndaj tyre. Në kuadër të kësaj pune po bëhen edhe përgatitjet e nevojshme për ndryshime të tjera ligjore, që synojnë shpalljen “debitorë të përjetshëm” të atyre individëve dhe subjekteve, apo trashgimtarëve të tyre, që nuk reflektojnë pas lehtësive më të fundit të qeverisë për shlyerjen e detyrimeve debitore të krijuara. Natyrisht, ky “status” nuk do të ishte i denjë për askënd, aq më tepër kur krijohet nga marrdhëniet jo korrekte të shtetasit me shtetin e vet, tek i cili falet çdo ditë për shërbime e detyrime të ndryshme publike.
Por ekzekutimi i detyrueshëm nëpërmjet forcës shtërnguese të ligjit nga Shërbimi Përmbarimor nuk është i mirë as në rrethana normale, pasi përveç aspektit të rënduar material apo financiar krijohen edhe probleme të aspektit moral. Besoj se askush nuk ndjehet mirë kur i shkon njoftimi shkresor për detyrimin që ka, jo më kur i shkon përmbaruesi apo polici tek dera e shtëpisë, në mjedisin ku punon e zhvillon biznesin apo çdo lloj aktiviteti tjetër privat dhe i vendosin skuestro mbi pasuritë e pronat që ka. Po kështu për askënd nuk është e këndëshme që teksa kërkon të kryejë një veprim me ZVRPP-në, me zyrën e gjendjes civile, me bankat apo fondacionet kredidhënëse, me tatimet, taksat, doganat, teksa kërkon të kalojë pikën kufitare, të shkojë në konsullatë etj., t’i kujtojnë e kërkojnë të shlyejë borxhin që ka ndaj ATK-së. Kur mendon se janë ende mbi 12 000 debitorë të ATK-së, që i detyrohen prej vitesh buxhetit të shtetit për afro 200 milionë dollarë, fjala “tolerancë” nuk ka vend të përdoret jo më ndaj debitorëve, por as ndaj punonjësve dhe institucioneve të ngarkuara me ligj për arkëtimin e këtij borxhi jo të vogël në vlerë, për të cilin është shkelur çdo limit kohor.

Autori i shkrimit është Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Trajtimit të Kredive

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›