Letra/Një shtysë nga hetimi për Masakrën e Tivarit
Gjoja argumenti kryesor i propagandës së komunistëve të rremë apo stalinistëve puro për eleminimet (krimet) e figurave të respektuara&të dashura nga populli, të figurave pronacionaliste apo kombëtare, që kishin kontribuar në mënyrë active për çështjen kombëtare, për ironi të fatit ishte pikërisht “tradhtia ndaj atdheut&bashkimi me okupatorin”. Në të vërtetë parimi i “heqjes qafe” të këtyre pikave kulmore të vlerave kombëtare, kishte të bënte me preludin e njërës prej politikave më antikombëtare dhe regresive që po instalohej, sistemit diktatorial, në qendër të të cilit ishte pikërisht eleminimi i njerëzve të zotë dhe pasioni i sëmurë pas mediokres&nënshtrimit.
Kur komunistët e rremë dolën në skenë ishin të shumtë ata që me pushkë e me penë kishin shkruar faqe të ndritura të historisë së Shqipërisë, kishin mbajtur gjallë çështjen kombëtare, kishin mundësuar pavarësinë e Shqipërisë dhe bënin vazhdimisht përpjekje për një Shqipëri më të mirë. Kjo nuk u pëlqente komunistëve të rremë apo stalinistëve puro, të cilët donin të merrnin monopolin e “fanarit të vetëm ndricues”
Sidoqoftë, etja për pushtet dhe kompleksi i inferioritetit nuk mjafton për të shpjeguar krimet e komunistëve të rremë apo stalinistëve puro, krimet seriale të të cilëve vërtetuan se ishin ata që shkatërruan aq sa mundën atdheun e tyre, vlerat njerëzore, dhe ndërtimin e Shqipërisë moderne; ishin ata tradhtarët e vërtetë.
Po cili është gjoja argumenti për masakrën e Tivarit? Për këtë masakër nuk ka as gjoja argument. Pas kaq vjetësh një qytetar i thjeshtë do ta mbante një lot dhe do të shtrëngonte dhëmbët sikur të qe vetëm ky krim, duke shpresuar që një ditë do të dënoheshin fajtorët, të paktën nga historia.
Por fatkeqësisht tragjedia e shkaktuar prej komunistëve të rremë apo stalinistëve puro ka përmasa të përbindshme e të kobshme. Fakte të tilla rrëqethëse gjen në cdo cep të Shqipërisë. Ndërgjegjja e njerëzve do të mbetet e trazuar edhe nëse heshtim. Heshtja jonë bëhet e rrezikshme, kur përpjekjet e sotme të shtypit të kuq, tentojnë t’i rehabilitojnë udhëheqësit komunistë, ndërkohë kur historia i ka hedhur në koshin e plehrave. Aq më tepër qesharake duket ideja e disa pseudointelektualëv e psudopolitikanëve që besojnë se antikomunizmi është tashmë thjesht një kartë politike e vjetëruar e përdorur vetëm për efekt votash.
Këta stalinistë sot bëjnë të paditurin, nuk kanë vrasje të ndërgjegjes, nuk kanë ndërmend të kërkojnë falje, dhe cështë më e keqja hiqen si progresistë, botojnë libra dhe kërkojnë rehabilitim historik. Janë pikërisht këta që ateizmin e tyre sot e përmendin si vlerë të pluralizmit të mendimeve!!!
Vitet e luftës nacionalclirimtare ishin “epoka e argjendtë” ose paradhoma e krimit të komunistëve të rremë. Koha e “artë” nuk kishte filluar ende…
Adriatik Nake (Poloskë, Devoll)