E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca e BE: Shqipëria, progres, liberalizmi i vizave brenda këtij viti

Kryeministri Sali Berisha, bën vizitë një ditore në Bruksel, takon homologun e tij belg, Yves Leterme Brukseli vlerëson angazhimin e autoritete shqiptare në plotësimin e kritereve të udhërrëfyesit për vizat, ndërsa rikujton se interesi i Belgjikës është që shqiptarët të udhëtojnë të lirë në “Schengen” brenda presidencës së saj 6 mujore. Kreu i ekzekutivit belg garantoi homologun e tij Berisha se do ketë mbështetjen e plotë të qeverisë belge në rrugën e integrimit evropian


Belgjika, presidenca e radhës e Bashkimit Evropian, konfirmon se do mbështesë aspiratat e popullit shqiptar për integrim në familjen e madhe evropiane. Kjo i është komunikuar dje kryeministrit Sali Berisha, gjatë një takimi të zhvilluar në Bruksel me kryeministrin belg, Yves Leterme. Kryeministri Leterme, vendi i të cilit ka presidencën e radhës të bllokut 27 anëtarësh, ka vlerësuar arritjet e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit duke theksuar se e ardhmja e vendit është në Bashkimin Europian. Kryeministri Leterme i rikonfirmoi kryeministrit Berisha mbështetjen e fuqishme e totale të Presidencës belge për të ecur përpara e me shpejtësi me hapat e mëtejshëm drejt integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Duke shprehur vlerësimin për progresin e rëndësishëm dhe arritjet e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe, Leterme përshëndeti vendimin e Komisionit për të sugjeruar liberalizimin e vizave pas vlerësimit të ekspertëve dhe shprehu bindjen e thellë për realizimin e ëndrrës së shqiptareve për heqjen e vizave me vendet “Schengen” gjatë Presidencës belge brenda vitit 2010. Për sa i përket kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim dhe marrjen e statusit të vendit kandidat, kreu i ekzekutivit belg, Leterme vlerësoi progresin e madh në reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare gjatë kësaj periudhe dhe e siguroi kryeministrin Berisha se Presidenca belge do ta mbështesë fuqishëm Shqipërinë ne ecjen përpara me hapa të shpejta në këtë drejtim. “E ardhmja e Shqipërisë është anëtarësia plotë në BE dhe Belgjika do t’ju ndihmojë në të gjitha hapat tuaja drejt BE-së”, ka deklaruar Leterme. Duke u ndalur te kriza ekonomike e financiare botërore, kryeministri Leterme vlerësoi faktin që Shqipëria është një ndër vendet e rralla në Evropë që nuk u prek nga kriza ekonomike e financiare dhe përgëzoi Kryeministrin Berisha për këtë. Berisha i bëri me dije, në këtë kontekst, se ishin reformat e rëndësishme të qeverisë shqiptare, si barra fiskale më e ulet në Evropë, taksa e sheshtë në nivelin 10 për qind, investimet e rëndësishme në infrastrukturë deri në 10 për qind të GDP-së, krijimi i klimës më të favorshme përmes thjeshtëzimit të procedurave, modernizimit dhe digjitalizimit të tyre dhe vendosja e “one stop shop”, si dhe reformat për një qeveri të vogël në dietë, të cilat bënë të mundur që qeveria t’i rezistojë krizës. Më tej, të dy Kryeministrat diskutuan për zhvillimet në rajon, në veçanti për Kosovën pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në këtë pikë u ripohua mbështetja e plotë e deklaratës së përfaqësueses së lartë të BE-së, baroneshës Ashton. Më tej të dy Kryeministrat diskutuan për zhvillimet e fundit në rajon. Kryeministri Leterme shfrytëzoi rastin për t’i shprehur kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Belgjikës ndaj Shqipërisë për kryesimin e radhës së OSBE-së. Kryeministrat Berisha dhe Leterme, nuk lanë pa prekur dhe marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve. Leterme e vlerësoi vizitën e kryeministrit Berisha si një shprehje tjetër e vendosmërisë së dy qeverive për të konsoliduar lidhjet e gjithanshme e miqësore midis dy popujve e vendeve miq. Kreu i ekzekutivit shqiptar, Sali Berisha, gjatë vizitës në Belgjikë është takuar me Presidentin e Dhomës së Përfaqësuesve Andre Flahaut dhe zëvendëspresidentin e Senatit, Armand De Decker. Në përfundim të takimit Kryeministri Berisha ka firmosur në librin e artë të Parlamentit.


Të dy kryeministrat i përgjigjen interesit të mediave


Leterme: Qëndrimi ynë, në favor të lëvizjes së lirë për qytetarët shqiptarë


Berisha: Do implementojmë rezolutën e PE, çdo garanci për opozitën


Me informacionin që keni, mendoni se liberalizimi i vizave do të ndodh gjatë presidencës suaj dhe statusi i vendit kandidat për Shqipërinë për integrimin në BE është një prioritet. A është Shqipëria në rrugën e duhur?


Kryeministri Leterme: Unë mendoj për sa i përket pyetjes së fundit se shumë hapa janë marrë, shumë reforma janë realizuar dhe ky është një zhvillim i mirë. Pavarësisht kësaj, ekziston problemi i situatës aktuale politike. Ne e diskutuam këtë me Kryeministrin Berisha dhe unë mendoj se ky problem meriton akoma vëmendje dhe do të luajë një rol të rëndësishëm në vlerësimet e Komisionit Europian në përpilimin e opinionit në nëntor dhe ne inkurajojmë lidershipin dhe qeverinë e Shqipërisë për të gjetur një zgjidhje për problemin. Shumë iniciativa janë ndërmarrë së fundmi gjithashtu në kuadër të aktiviteteve të Parlamentit Evropian dhe zoti Berisha është i angazhuar të shmangë impaktet negative të situatës, në shanset e Shqipërisë për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian. Për sa i përket liberalizimit të vizave, Belgjika është plotësisht e angazhuar për liberalizimin e vizave në favor të qytetarëve shqiptarë. Në maj 2010 Komisioni ka formuluar një propozim për Këshillin e Parlamentit Europian, që paraqiste se elementet e fundit, të mbetura të udhërrëfyesit ishin trajtuar në mënyrë të suksesshme. Siç e dini ka pasur një mision teknik në Shqipëri, që ka investiguar le të themi në terren, tani po presim për raportin e atij misioni teknik. Ne shpresojmë se raporti do të jetë pozitiv, kështu që procedura legjislative e procesit, e ashtuquajtura procedura e vendimit që çon në lëvizjen pa viza të finalizohet në muajt e ardhshëm. Dhe unë personalisht shpresoj që kjo të bëhet e mundur brenda Presidencës belge të Bashkimit Evropian.


Së pari për të burgosurit, për sa të burgosur po flasim në këtë moment në Belgjikë, dhe në lidhje me liberalizimin e vizave, çfarë sigurish prisni dhe çfarë keni marrë deri tani për të parandaluar flukset e azilkërkuesve shqiptarë?


Kryeministri Leterme: Për sa i përket transferimit të të burgosurve do t’ia jap fjalën pas pak sekondash zotit Bourlet... Lidhur me çështjen e dytë më lejoni të theksoj edhe njëherë se e gjithë procedura e vlerësimit të plotësimit të kritereve nga qeveria shqiptare është e bazuar në meritë dhe kështu udhërrëfyesi duhet ndjekur dhe ne do të shohim si do të jetë raporti i misionit teknik që ishte atje gjatë muajve të fundit. Siç është rasti i Serbisë dhe i Maqedonisë, që le të themi me këtë eksperiencë, më këto dy raste, ne do të shohim me shumë kujdes çfarë do të ndodhë në momentin që do të vendoset liberalizimi i vizave. Sigurisht unë po mbështetem në vullnetin e mirë politik, dhe jam i sigurt se vullneti i mirë politik i kolegut tim Berisha do të shmang fluksin e befasishëm të qindra njerëzve që do të keqpërdornin mundësinë e dhënë nga liberalizimi i vizave.


Mbi çështjen e të burgosurve, ne kemi 93 shqiptarë në burgjet tona. Kur prisni t’i ktheni? Kryeministri Leterme: Sa më parë që të jetë e mundur.


Kryeministri Berisha: Vetëm një moment, lidhur me liberalizimin e vizave, ne po menaxhojmë një fushatë shumë intensive për qytetarët tanë, për t’u shpjeguar atyre se çfarë do të thotë kjo. E dyta ne kemi krijuar një strategji të tërë për ata që do të riatdhesohen, sepse ata mund të kenë menduar se mund të qëndrojnë më gjatë. Komisioni kërkoi disa kushte dhe ne po i përmbushim të gjitha ato.


Zoti Berisha po e paguajmë ne mbështetjen e presidencës belge duke nënshkruar këtë marrëveshje, dua të them duke marrë 93 të burgosur të rrezikshëm, dhe së dyti ju folët rreth kandidaturës shqiptare për në BE, do të doja të dija a është në interes të qeverisë shqiptare të ketë një opinion negativ, të publikuar nga Komisioni këtë nëntor, ose për ta shtyrë atë për vitin tjetër?


Kryeministri Berisha: Marrëveshja që nënshkruam sot nuk ka absolutisht të bëjë, është një koincidencë me presidencën e Belgjikës, kjo është e vërteta dhe marrëveshje të tjera do të nënshkruhen me tej. Dhe nëse shihni arkivat me këtë vend ne kemi, unë mendoj, një prej kuadrove ligjorë më të plotë për bashkëpunim. Tani ne do të kemi edhe nga vende të tjera, po negociojmë, kjo është një politikë. Për sa i përket Komisionit Europian, ne kemi marrëdhënie shumë të hapura, transparente me Komisionin Europian, është një institucion me të cilin ne punojmë në mënyrën më transparente, ata bëjnë punën e tyre, ne bëjmë punën tonë. Ne nuk mund t’i shtyjmë ata të zhvendosin ose të mos zhvendosin, axhendën e tyre. çfarë është e rëndësishme, qeveria ime është plotësisht e angazhuar për të mbajtur dhe konsoliduar kriteret e Kopenhagenit. Qeveria ime është plotësisht e angazhuar, në kuadër të rezolutës se Parlamentit Evropian, ta implementojë atë. Siç i thashë, dhe siç them, një gjë është e sigurt, që çfarëdo që të bëj nuk mund të drejtoj opozitën, është sovrane, duhet të marrë vendimet e saj. çfarëdo vendimi që të marrë jam i detyruar ta respektoj. Si Kryeministër jam i detyruar të mos tregoj arrogancë kundrejt tyre, të marrin pjesë në komisione, t’ju jap mazhorancën, t’ju jap Kryesinë, të pranoj të gjitha amendamentet e tyre për sa i përket zgjedhjeve të ardhshme, por kjo është çfarë kërkoi rezoluta e Parlamentit Evropian dhe jam gati ta implementojë atë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›