E Shtunë, 31 Tetor 2026

12 miliardë € për rindërtimin e Abrucos

Abruzo -Maroni: 12 miliardë euro është shuma që duhet të paguajmë për rindërtimin e Abrucos. Rindërtimi i rajonit të Abrucos në Italinë Qendrore pas tërmetit shkatërrues të javës së kaluar pritet të kushtojë afro 12 miliardë euro, deklaroi Ministri i Brendshëm italian, Roberto Maroni.

Përllogaritjet paraprake tregojnë se dëmet materiale nga tërmeti, që goditi rajonin malor të Abrucos në mëngjesin e 6 prillit, arrijnë nga dy deri në tre miliardë euro.

Të paktën 294 persona humbën jetën në këtë katastrofë, që la të paktën 40 mijë të pastrehë dhe dëmtoi rëndë dhjetëra ndërtesa historike në qytetin mesjetar të Akuilas dhe zonat përreth.

"Dymbëdhjetë miliardë euro është shuma që duhet të paguajmë për rindërtimin e Abrucos", deklaroi Maroni mbrëmë për televizionin italian, pa specifikuar afate për rindërtimin e zonës së shkatërruar.

Katastrofa natyrore goditi Italinë në kulmin e krizës më të rëndë ekonomike që ka përfshirë vendin që prej Luftës II Botërore dhe që pritet të tkurret më tej për të dytin vit radhazi.

Qeveria italiane e qendrës së djathtë aktualisht po përballet me borxhin më të madh në Evropë, madje më i lartë se prodhimi vjetor kombëtar i Italisë. Qeveria ka deklaruar se do t'i ofrojë lehtësi çdo kompanie që do të aplikonte teknologjinë antisizmike në ndërtim dhe ka premtuar një pagesë të përmuajshme për banorët që kanë humbur gjithçka nga kjo fatkeqësi.

Përpjekjet e mëparshme për rindërtimin e zonave të dëmtuara nga tërmetet në Italinë Qendrore janë zvarritur për dekada me radhë shoqëruar me akuza për korrupsion dhe përfshirje të Mafies.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›