E Diel, 1 Nëntor 2026

12 vendimet Berisha: Turizëm në jug, naftë në veri

Ard Kola

Këshilli Kombëtar i Territorit miraton planet e reja nga Shkodra, në Himarë

ARD KOLA

Berisha ne KRTRSH

Me vendimet marra dje nga Këshilli Kombëtar i Territorit, në drejtimin e Kryeministrit, disa zona bregdetare pritet të marrin hov të madh zhvillimi, pasi u miratuan disa plane dhe projekte, ndërsa për disa të tjera do të ngrihen objekte të prodhimit energjetik dhe karburantesh.

Plot 12 vendime, që prekin zona nga veriu në Shkodër, më pas Durrësin dhe Kavajën, e në fund, me planin e ri urbanistik të Himarës, aty ku vëmendja ishte më e madhe, për shkak të rëndësisë që mbart perla e bregdetit jonian. Pjesa dërrmuese e vendimeve lidheshin me sektorin e turizmit, për të cilat Kryeministri kërkoi respektimin e ndërtimit, me objekte me jo shumë kate, ndërsa në tërësi parashikohet të futen në punë rreth 10 mijë vetë.

Bregdeti

Plani i përgjithshëm i Himarës, i miratuar dje nga KKT-ja, tërhoqi kureshtjen e të pranishmëve rreth projekteve të reja që do të zhvillohen rreth fshatrave të njohur të jugut. I shumëdiskutuar si plani i Bollanos (ish-kryetar bashkie i Himarës), hartuar nga një kompani greke, projekti është hartuar mbi një koncept të ri zhvillimi, duke u bazuar në karakteristikat e saj si zonë turistike dhe kulturore. Pas masterplanit të bregdetit Jon, – tha Kryeministri – tani është radha e planeve lokale dhe më vjen mirë që fillohet me Himarën, e cila ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik dhe siç dëshmon ky plan, potenciali i saj mund të trefishohet. Plani përcakton se ku nuk duhet ndërtuar, si dhe me sa kate, ndërsa Kryeministri në formë batute paralajmëroi pallatet shumëkatëshe se do të prishen. Berisha theksoi rëndësinë e respektimit të kritereve të përcaktuara në këtë plan, që Himara të zhvillohet në përputhje me bukuritë e saj mahnitëse natyrore.

Tjetër studim urbanistik i miratuar, lidhej me Gjirin e Lalëzit, pranë Durrësit, ku mendohet se do të ngrihet një zonë hotelerie dhe rezidenciale. Studimi parashikon ndërtimin e banesave individuale dhe hoteleri, duke ruajtur kriteret e ndërtimit në zonat bregdetare si në lartësinë e numrin e kateve, koeficientin e shfrytëzimit të territorit, sipërfaqet e gjelbra etj., Tjetër vendim prekte sërish Gjirin e Lalëzit, një studim pjesor me sipërfaqe 7.3 hektarë, duke pasur si objektiv krijimin e zonave rezidenciale dhe hotelerie.

Kavaja ishte stacioni i radhës së projekteve turistike. Plani urban i Komunës Synej përfshin zonën që ndodhet në jug të qytetit të Durrësit, e konsideruar një zonë me potencial të madh turistik, që shtrihet midis zonave turistike Golem, Karpen dhe Vil Bashtova. Ajo zë një sipërfaqe prej 700 hektarësh, ku përfshihen ndërtimi i një fshati turistik, me struktura të karakterit hotelier dhe rezidencial, ndërtimin e fushave të golfit dhe të një porti jahtesh me kapacitet akomodimi në rreth 900 jahte. Plani ruan lartësinë maksimale të ndërtimeve deri në 3 kate, densitet të ulët dhe sipërfaqet e gjelbra. Karakteristikë e kësaj zone janë edhe sipërfaqet e mbjella me ullinj, me vlerë investimi 500 milionë euro. Sipas Kryeministrit, Kavaja shndërrohet në një nga polet më të rëndësishme të turizmit jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë.

Për veriun, më saktë Velipojën, KKT-ja miratoi projektin për zgjerimin e Masterplanit dhe studimit urbanistik të zhvillimit turistik të zonës bregdetare Pulaj. Sipërfaqja e studimit është 1.5 hektarë dhe synon mbylljen e pjesës fundore të studimit të pjesshëm urban.

Energjia

Marrëveshjet me kompaninë e naftës Petromanas, pas së cilës është partneri gjigant, Shell, duket se po konkretizohen me projekte disa milionësh euro. KKT-ja miratoi projektin e hapjes së puseve të reja dhe infrastrukturë ndihmëse për kërkimin e naftës, të cilat do të zhvillohen në zonën e Shkodrës, dhe një pjesë në Berat. Drejtuesit e kompanisë Petromanas informuan se projekti parashikon ndërtimin e infrastrukturës për ndërtimin e rrugëve hyrëse dhe shesheve të shpimit për dy puse, brenda vitit 2012: në zonën e Shpiragut afër Beratit dhe në zonën e Shkodrës, me vlerë fillestare investimi 48 milionë dollarë.

Kjo kompani [Petromanas] riktheu Shell në Shqipëri dhe shpresat për gjetje të mëdha nafte janë reale. Pusi i Shpiragut është pus i thellë mbi 6 mijë metra dhe optimizmi i Shell dhe Petromanas është sipas tyre, i bazuar dhe i madh, tha Kryeministri. Shumë legjenda bazuar në disa studime të ndryshme flasin për një Kuvajt të vogël, me miliarda fuçi nafte, por që ende nuk po dalin në dritë. Të vetmit që kanë mundur të nxjerrin ar të zi janë kanadezët e Bankers, por vetëm pasi kanë investuar në 10 vite rreth 1 miliard dollarë dhe ende janë pa fitim. Kryeministri nuk la pa ironizuar prejardhjen e kreut të opozitës, Rama, i cili sipas Berishës, shpimi ndodh pikërisht në fshatin e Edi Ramës, të cilin unë e kam vizituar dy herë dhe biri i tij i shquar nuk e ka vizituar asnjëherë, madje as nuk pranon se është nga Mbreshtani.

Tre vendime të tjera lidheshin me sektorin energjetik, të ndërtimit të hidrocentraleve, me fuqi të konsiderueshme. I pari është në Bënçë të Tepelenës, ku do të ndërtohen dy HEC-e në kaskadën e lumit, me gjatësi lineare prej 8 km. HEC-i parë do të ketë një prodhim mesatar vjetor energjie prej 11 milionë kilovat/orë, me vlerë investimi 4 milionë euro. HEC-i i dytë do të ketë një prodhim vjetor mbi 19 kilovat/orë, me vlerë investimi 6.5 milionë euro.

Projekti në pellgun e Okshtunit, Qarku Elbasan dhe Qarku Dibër është një tjetër investim, për ndërtimin e 10 HEC-ve me prodhim mesatar vjetor prej 150 milionë kilovat/orë dhe vlerë investimi 30 milionë euro. I treti është HEC-i Koka 1, në Komunën Martanesh, Qarku Dibër, vepër kjo që parashikon të prodhojë në një vit rreth 12.3 milionë kilovat. Pas prezantimit të këtyre projekteve, Kryeministri Berisha kërkoi nga sekretaria teknike që vendimet për HEC-e që presin për miratim në KKT të kenë përparësi absolute, pasi kjo fushë përbën drejtim e alternativë themelore për ne.

Borgjezia e re

Ajo që po përfiton nga ky parim është borgjezia e re, e cila në verë po vendoset në këto zona. Unë vlerësoj faktin se në këto projekte, ne miratojmë zona rezidenciale, edhe pse nuk realizohet plotësisht qëllimi, pasi këto rezidenca janë kryesisht të borgjezisë së re, e cila nuk pranon të quhet as borgjezi, ishte ironia e Kryeministrit për shtresën e lartë.

Projektet

Plani i përgjithshëm vendor i Himarës

Studim urbanistik pjesor për zonë hotelerie dhe rezidenciale, Gjirit të Lalëzit

Studim urbanistik pjesor, brenda ristudimit urbanistik në zonën turistike të Gjirit të Lalëzit

Projektim dhe studim urbanistik pjesor  të zonës turistike, në fshatin Greth, komuna Kryevidh

Plani urban i komunës Synej, Kavajë

Zgjerimi i Masterplanit të Velipojës dhe studimit urbanistik i zonës bregdetare Pulaj

Pus shpimi dhe infrastrukturë ndihmëse për kërkimin e naftës, Shkodër-Berat

HEC Koka 1, në komunën Martanesh, qarku Dibër

HEC-e në pellgun e Okshtunit, qarqet Elbasan dhe Dibër

HEC-e në lumin Bënç Tepelenë, qarku Gjirokastër.

Plani i përgjithshëm vendor i Lushnjës

Instrumenti strategjik sektorial i MITIK

12 vendimet – Berisha: Turizëm në jug, naftë në veri burimi: Gazeta Shqip

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›