AKKP-ja ndan 90 milionë lekë për 120 ish-pronarë
Vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre bankare në fillim të javës
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njoftoi dje se ka përfunduar procesi i shqyrtimit të kërkesave të pronarëve, pasuria e të cilëve është prekur nga ndërtimet informale dhe që përfitojnë kompensimin apo shpërblimin e saj me këstin e parë, të dytë dhe të tretë, në masën prej 47 për qind të shumës së përgjithshme në të holla, të miratuar me vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave.
Shuma e përgjithshme që shpërndahet është 90 milionë lekë. Nga ky proces rezulton se përfitojnë një numër prej 120 pronarësh apo bashkëpronarësh, ndërsa të dhënat në lidhje me pasuritë që kompensohen dhe mbi gjeneralitetet e subjekteve përfituese jepen në listën e afishuar në faqen zyrtare të AKKP-së.
Procesi i shqyrtimit të këtyre kërkesave dhe i shpërndarjes së fondit të kompensimit është bazuar në ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar, ligjin nr.10239/2010 “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, në vendimin e Këshillit të Ministrave nr.383/2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, të ndryshuar, dhe në vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave, në të cilët është përcaktuar masa e shpërblimit për secilin pronar.
Në përfundim të këtij procesi, kësti i parë, i dytë dhe i tretë në masën prej 47 për qind të shumës së përgjithshme në të holla, të miratuar me vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave shpërndahet për 42 kërkesa të depozituara në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njofton subjektet e interesuara se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre bankare në ditët e para të javës në vazhdim.
a.k
AKKP-ja ndan 90 milionë lekë për 120 ish-pronarë burimi: Gazeta Shqip