E Diel, 1 Nëntor 2026

120 vjet art shqiptar në linjën e re historike të Galerisë Kombëtare



Për herë të parë, pas ndryshimit politik të vitit 1991, Galeria Kombëtare e Arteve merr përsipër të ekspozojë një linjë historike të artit shqiptar. Kjo linjë përfshin një periudhë prej gati 120, vjetësh duke filluar nga viti 1883, vit që mban tabloja ‘Motra
Tone’ e Kolë Idromenos dhe që shkon deri në fillim të viteve 2000, duke treguar rrugën që kanë përshkruar artet pamore në Shqipëri për të mbërritur në fillim të shekullit XXI. E veçanta e kësaj linje ekspozuese permanente është se ajo vjen si një strukturë e re historike për artin shqiptar, që nuk bazohet më tek formula e vjetër “Rilindje- Realizëm Socialist - Arti pas viteve 90”, por që ngrihet mbi një koncept të ri seksionesh ndarëse të pikturës dhe skulpturës së lëvruar në vendin tonë. Janë konceptuar gjashtë seksione, që përcjellin në mënyrë të strukturuar historinë e artit shqiptar. Seksioni i parë, i titulluar “Fillesat e pikturës në qytetet shqiptare” përmbledh artifaktet e para të pikturës dhe skulpturës shqiptare, duke ndarë në dysh periudhën e ashtuquajtur “Art i Rilindjes dhe i Pavarësisë” dhe duke grupuar autorë
dhe vepra që shënojnë fillimet e një pikture laike në vend. Seksioni i dytë, i titulluar “Piktura Realiste dhe Shkolla e Vizatimit” (1930-1950) përmbledh veprat dhe autorët e parë të shkolluar në shkollat e artit të vendeve fqinjë, por edhe evidenton një moment historik si ai i hapjes së shkollës së artit në Tiranë në vitin 1931. Seksioni i tretë “Piktura/skulptura akademike dhe tabloja me temë historike (1950-1986)” përpiqet të depërtojë në natyrën e një arti të kompletuar në arritje teknike, që vihet në funksion të politikës dhe pushtetit, duke prodhuar edhe tablonë historike tipike që shoqëron periudhën e Realizmit Socialist. Ky seksion përpiqet të bëjë një kalim të zbutur nga piktura realiste e trashëguar prej viteve ‘40, drejt pikturës së
Realizmit Socialist që fillon në vitet ’60 për të vazhduar deri në fund të viteve ‘80. “Realizmi Socialist, Ndërtimi i Modeleve të Njeriut të Ri (1960-1986)” është seksioni vijues i cili përqëndrohet qëllimisht në aspektin më thelbësor të këtij arti, atë të ndërtimit të ‘njeriut të ri’ dhe të përçimit të propagandës socialiste. Për herë të parë, Galeria Kombëtare i kushton një hapsirë të tërë të ashtuquajturës piktura formaliste e viteve ‘70, me seksionin e pestë të titulluar “Piktura Formaliste e Realizmit Socialist (1969-1974)”, ku përpiqet të hedhë dritë dhe të sjellë me detaje një aspekt të rëndësishëm në kulturën tonë si ai i quajtur “liberalizëm i viteve ‘70”, që reflektoi edhe zhvillimet në artin pamor. Seksioni i fundit “Piktura dhe skulptura moderniste (1989-2001)” bashkë me nëntemën “Elementë të pikturës moderniste në vitet 1960-70”, përpiqet të dokumentojë ndryshimet në artin shqiptar, që vijnë bashkë me rënien e socializmit, për të ardhur drejt një pikture moderniste, që zhvillohet gjatë dhjetëvjeçarit 1990-2000. Ky seksion kërkon në të njëjtën kohë edhe elementët modernistë, që depërtuan në
artin tonë gjatë viteve ’60 - ‘70, duke krijuar për herë të parë në Historinë e Galerisë Kombëtare një hapësirë kushtuar këtyre elementëve minorë, por tepër të rëndësishëm për nga përmbajtja, që u sfumuan krejtësisht brenda kornizës së madhe të
realizmit socialist.
Rubens Shima, drejtor i GKA-së

7 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›