E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkup, Policia liron pas 4 orësh Albin Kurtin



Udhëheqësi i Lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurti është liruar nga policia maqedonase në vendkalimin kufitar të Bllacës në kufi me Kosovën. Kurti u arrestua rreth orës 19.30 minuta në pikën kufitare të Bllacës. Policia nga ana e saj nuk bëri të ditur asnjë arsye për ndalimin e Kurtit, duke u shprehur se gjithçka do ta bëjë të ditur më vonë. Arsyetimi që i është dhënë një aktivisti i cili po e shoqëronte, ishte se Kurti do të mbahej dhe do të merrej në pyetje nga inspektorët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, për të verifikuar kalimin e tij në territorin e Maqedonisë. Albin Kurti po shkonte në Maqedoni për të marrë pjesë në trevjetorim e lëvizjes ‘ZGJOHU!’ në Shkup. Ai ka hyrë në Maqedoni edhe në vitet e kaluara, edhe gjatë këtij viti, por asnjëherë nuk është ndaluar.

Alarm për bombë në Qeverinë e Kosovës, policia: Ishte fals

Një alarm për bombë në Kryeministri, Kuvend dhe në Ministrinë e Shërbimeve Publike në Kosovë ka rezultuar të ishte fals pas kontrolleve të ushtruara nëpër objekte. Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Arbër Beka deklaroi se pas kontrollit të imtësishëm, nuk u gjet asnjë mjet shpërthyes dhe punonjësit e administratës u kthyen në vendet e tyre të punës. Alarmi mbërriti mëngjesin e djeshëm nëpërmjet postës elektronike rreth orës 9:00, duke kërkuar 1 milionë euro në këmbim të njoftimit për vendin e saktë ku ndodheshin lëndët shpërthyese. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje nisën hetimet, për të gjetur autorët e kërcënimit që sollën rritjen e masave të sigurisë orët e paradites në Prishtinë.
Sipas zëdhënësit të policisë, kërcënimi është dërguar nga një institucion joqeveritar dhe nëpërmjet tij, u kërkuan 1 milionë euro. I njëjti kërcënim u dërgua edhe në zyrat e Kuvendit dhe në atë të një Ministrie. Në lëvizje u vu policia kosovare dhe ajo ndërkombëtare.

7 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›