Banda Muzikore Ushtarake e ShBA-ve “pushton” Pallatin e Kongreseve
Mbrëmë, Banda Muzikore Ushtarake e ShBA-ve në Europë ka dhënë një koncert madhështor në sallën e Pallatit të Kongreseve në kryeqytet, i cili do të shfaqet në ekranin e shqiptarëve ekskluzivisht nga Vizion Plus, media që ka marrë partneritetin e këtij aktiviteti. Banda në fjalë, është krijuar në vitin 1940 dhe konsiderohet si një ndër organizatat më të mëdha muzikore ushtarake të ShBA-ve, jashtë territorit të tyre. Banda ekzekuton pjesë të ndryshme muzikore që u përkasin rrymave të xhazit, pop-rrokut etj. Pjesa më e madhe e artistëve të kësaj bande janë profesionistë, të cilët kanë dalë nga konservatorë të njohur muzikorë dhe që performojnë rreth 200 herë brenda një viti. Të gjithë artistët e kësaj bande përzgjidhen në bazë të audicioneve speciale të pranimit. Banda Muzikore Ushtarake e ShBA-ve në Europë ka dhënë koncerte në 20 shtete të ndryshme të Europës, përfshi këtu edhe Rusinë dhe Libanin.
7 Maj 2009