E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, nga qershori fillon reduktimi i UNMIK-ut



Personeli i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK do të përgjysmohet nga një qershori. Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësi i këtij misioni Aleksandër Ivanko, sipas të cilit nga 1000 persona, në Kosovë do të mbeten vetëm 500. “Propozimi i reduktimit të misionit të UNMIK-ut do të përfshihet në draftin e buxhetit të UNMIK-ut për periudhën nga një qershori 2009 deri më 30 korrik 2010. Diskutimi për këtë çështje do të vazhdojë në Nju Jork”-, tha Ivanko. UNMIK-u, i cili ka vendosur forcat e tij në Kosovë qëkurse NATO-ja bombardoi Serbinë, po transferon detyrat e tij te EULEX-i. Me nëntë dhjetor, EULEX-i do të këtë përgjegjësi të plotë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të Kosovës dhe ka paralajmëruar që do të vazhdojë të kryejë punën që ka bërë UNMIK-u deri tani. Dy misionet do të nënshkruajnë një marrëveshje për transferimin e rasteve të ndryshme gjyqësore që kanë qenë nën mbikëqyrjen e UNMIK-ut tek prokurorët dhe avokatët e EULEX-it.

27 ambasadorë të BE-së vizituan Kosovën

Me ftesë të Presidencës Çeke të Bashkimit Europian, ambasadorët e BE-së nga 27 vendet anëtare, që qëndrojnë në Bruksel, vizituan dje Kosovën dhe misionin e EULEX-it për t’u njohur më nga afër me punën e misionit në terren. Ambasadorët e BE-së, që janë të gjithë delegatë të Komitetit Politik dhe të Sigurisë, ndihmojnë në përcaktimin e politikave duke përgatitur opinione për përgatitjen e sesioneve të Këshillit në Bruksel. Nën përgjegjësinë e Këshillit,ushtrohet edhe kontroll politik dhe drejtim strategjik i operacioneve dhe menaxhimit të krizave, siç është EULEX. Ambasadorët u takuan gjatë vizitës edhe me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së dhe përfaqësues të tjerë të familjes së BE-së në Kosovë, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, udhëheqës të komuniteteve, përfaqësuesin special të sekretarit të përgjithshëm dhe komandantin e KFOR-it.

Kosova anëtarësohet në FMN, të premten rezultatet zyrtare

100 vende anëtare të Fondit Monetar Ndërkombëtar nga 185 të tilla, janë shprehur pro anëtarësimit të Kosovës në organizëm. Rezultatet e votimit iu paraqiten dje Bordit të Drejtorëve Ekzekutivë, ndërsa zyrtarisht votimi do të bëhet i ditur të premten. Në një konferencë për media, Ministri i Ekonomisë Ahmet Shala bëri të ditur se anëtarësimi i Kosovës nuk do të ketë drejtpërdrejt pagesë të menjëhershme prej 65 milionë eurosh në FMN duke theksuar se Kosova mund të terheqë kredi të buta nga FMN-ja. Po ashtu ministri Shala deklaroi se Kosova që nga momenti i konfirmimit do të jetë anëtare e barabartë me të gjitha shtetet tjera në FMN. Anëtarësimi i Kosovës në FMN ishte parakusht për anëtarësim në çdo institucion tjetër financiar ndërkombëtar. Sipas tij anëtarësimi në fond hap dyert për anëtarësim edhe në Bankën Botërore.

7 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›