E Shtunë, 31 Tetor 2026

126 personalitete firmosin peticionin kundër grevës

TIRANë- Letrës së hapur që, një grup prej 40 personalitetesh të artit dhe kulturës, i dërguan të premten kreut të opozitës, Edi Rama, duke treguar mosaprovimin e tyre ndaj grevës së urisë, i janë shtuar edhe intelektualë të tjerë të vendit.
Mes emrave të artistëve, si Fatos Kongoli, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Irini Qirjako, Dhimitër Orgocka, Mirush Kabashi etj, janë shtuar edhe emrat e Avni Mulës, Bujar Kapexhiut, dhe disa personaliteteve të njohura në fushën e mjekësisë, Halim Kosova, Zamir Ndroqi, Jera Kruja etj, duke cuar në 126 numrin e intelektualëve, që kanë firmosur letrën e hapur.

Në letër intelektualet i shkruajnë zotit Rama se “përpjekjet për të fituar pushtetin me anën e kaosit dhe anarkisë janë rrugë pa krye, janë standarte të diktaturave dhe rebelimeve të dënueshme botërisht”. “Kurrë më parë vendi ynë nuk ka qenë më afër ëndrrës së tij. Për herë të parë njerëzit e këtij vendi janë zgjuar nga gjumi dhe kanë hapur sytë gjithë shpresë prej dritares që na bën të besojmë se ëndrra mund të bëhet realitet. Se edhe ne mundemi. Vetëflijimet nuk janë kurrë te hijshme” - shkruajnë artistet.

Ata shkruajnë se “tamam në ditën kur 12 Ministra të Jashtëm të BE mbështetën publikisht heqjen e vizave për Shqipërinë, një grusht figurash politike dhe militantësh të partisë suaj u ndrynë në një grevë urie në zemër të Tiranës. Për fat të keq, ky izolim i ngjashëm me ngujimin absurd dhe aspak ekzistencial, cdo ditë e më shumë po humbet kuptimin e dimensionit të lirisë dhe po kthehet në përhumbje, amulli dhe dëshpërim”, theksohet në letër.
Artistët nënvizojnë domosdoshmërinë e normalizimit të jetës politike në të mirë të përmbushjes së ëndrrës së shqiptarëve për t'u bërë pjesë e Europës.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›