E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorët: Njerëzit në drejtësi, figura jo politike

TIRANE- Në Ditën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ambasadori i OSBE në Tiranë, Robert Bosch nënvizon domosdoshmërinë e emërimeve jopolitike në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese.

Deklarata erdhi gjatë një takimi në kuadër të Ditës së Drejtësisë, ku ishin të pranishëm edhe ambasadori i SHBA Withers, kryeprokurorja Ina Rama e kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Becaj.

Ambasadori OSBE u shpreh se përvec përjashtimit nga emërimet të figurave politike është e nevojshme që kandidatët të jenë juristë të shkëlqyer, të kenë reputacion dhe të jenë të pakorruptueshëm.

“Në një demokraci moderne, të gjitha institucionet shtetërore, përfshirë gjyqësorin, duhet të jenë transparente dhe të përgjegjshme. Transparenca në funksionimin e sistemit gjyqësor dhe përgjegjshmëria në lidhje me veprimet gjyqësore ndihmon në rritjen e besimit të publikut te gjykatat” u shpreh Ambasadori Borch.

Nderkaq OSBE thekson se për të pasur një reformë gjyqësore reale dhe të qëndrueshme, nevojiten ndryshime madhore në kodet e procedurës që drejtojnë punën e përditshme në gjykata.

Nga ana e saj kryegjyqtarja Becaj theksoi se profesionalizmi dhe panashmëria duhet të jenë ndër kriteret kryesore të përzgjedhjes së gjyqtarëve.
Edhe Ambasadori Amerikan, Withers nënvizoi nevojën e përzgjedhjes së njerzve profesionalë e të pavarur politikisht në mënyrë që sic tha ai, të sigurohet një system drejtësie me vlera.

Pak ditë më parë Presidenti Topi garantoi se përzgjedhja e kandidaturave për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese do të mbështeten në kritere tërësisht profesionale dhe jo politike.

Gjatë takimit të grupit konsultativ për procesin e përzgjedhjes së këtyre kandidaturave, kreu i shtetit garantoi se në këtë proces “do bëjë kujdes të mos zgjedhë kandidatura të një profili politik për ti dhënë jetë parimit të ndarjes së pushtetit politik nga pushteti gjyqësor e natyrisht pavarësisë së këtij pushteti.
“Këto zgjedhje do të bazohen në dy shtylla thelbësore: Integriteti moral dhe integriteti profesional.”-nënvizoi kreu i shtetit.

Përzgjedhja e kandidaturave sipas integritetit moral dhe profesional ka qënë një ndër shqetësimet e përsëritura shpesh nga ana e PS. Opozita madje ka kushtëzuar praninë në sallën e Kuvendit për votimin e kandidaturave vetëm nëse ky votim realizohet sipas një shumice të cilësuar. 
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›