Morati: Murinjo? Reagim i ashpër nëse e dënojnë
MILANO- Interi është shumë pranë fitimit të titullit të pestë radhazi në Itali, pas fitores 4-3 ndaj Kievos ditën e dielë. Por, ajo që i shqetëson më shumë tifozët dhe drejtuesit e kësaj skuadre, është e ardhmja e Zhoze Murinjos. Trajneri portugez, që e riktheu Interin në finalen e Champions League pas 38 vjetësh, kërkohet me ngulm nga Reali i Madridit dhe klubi nga Milano do ta ketë jo pak të vështirë ta mbajë. Në ndeshjen me Kievon, e gjithë tifozeria është munduar t’i japë zemër dhe t’i tregojë dashurinë e saj, duke shpalosur në stadium dhjetëra pankarta në përkrahje të Murinjos. E megjithatë, as vetë presidenti Masimo Morati nuk di ç’të thotë për këtë temë. “Për momentin po mendojmë të fitojmë kampionatin dhe nuk e dimë sa e vërtetë është që e kërkon Realin, - deklaron Morati. - As unë as Murinjo nuk mund të përgjigjemi tani për këtë pyetje, por ai ka nërë një punë mjaft të mirë dhe ka një kontratë me ne”, u shpreh kreu i klubit zikaltër. Përpos kësaj deklarate, në shtypin spanjoll janë shtuar zërat se portugezi do të jetë në krye të Realit të Madridit në muajt e verës. Një hipotezë e tillë gjithsesi do të varet shumë nga finalja e Ligës së Kampioneve më 22 maj, pasi në rast të një triumfi kundër Bajernit, misioni i Murinjos tek Inter mund të quhet i përfunduar. Morati ndërkohë ka folur edhe për skualifikimin e mundshëm të portugezit për shkak të një deklarate të tij pas finales së Kupës kundër Romës. Murinjo tha se Roma tani mund të paguajë Sienën që të luajë fort me Interin, gjë që e ka vënë në bankën e të akuzuarve nga prokorori sportiv. “Nuk besoj se do të dënohet, - tha Morati, - por nëse e bëjnë këtë, reagimi ynë do të jetë shumë i ashpër. Murinjo ka bërë vetëm një batutë, të cilën e ka kuptuar edhe presidenti i Sienës”, shtoi numri 1 i klubit zikaltër. Këtë fundjavë Interi do të luajë në transfertë kundër Sienës, ndërsa Roma do të udhëtojë për në Verona ku do të ndeshet me Kievon.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)