E Diel, 1 Nëntor 2026

1267 delegatë hedhin votën, numërimi zhvendoset në selinë blu

Partia Demokratike zhvilloi dje votimet për rikonfirmimin e kryetarit të ri dhe zgjedhjen e Këshillit Kombëtar. 1267 delegatë hodhën votën e tyre duke rikonfirmuar Sali Berishën në postin e kreut të partisë, ndërsa numërimi për votat e kandidatëve për Këshillin Kombëtar pritet të zgjasë. Burimet nga selia blu thonë se rezultatet do të dalin pas tri ose katër ditësh. Në mesnatën e djeshme, pas procesit të votimit të të gjithë delegatëve, kutitë me votat për secilin kandidat u transportuan drejt selisë së Partisë Demokratike, për të filluar sot me numërimin. Pas shpalljes së anëtarëve të rinj të Këshillit pritet edhe zgjedhja e nënkryetarëve dhe sekretarit të Përgjithshëm të PD-së. Ky proces pritet të përfundojë brenda datës 20 dhjetor. Lista e kandidaturave ofron edhe surpriza, ku 23 anëtarë aktualë të këtij forumi të lartë nuk u futën në listën e hedhur për votim, mes tyre spikasin ish-ministra dhe ish-deputetë demokratë.

Kryetari

Që në orët e para të paradites së sotme, Kryeministri Berisha u shpreh optimist për rezultatet e procesit të votimit të tij për kryetar partie nga ana e delegatëve të ardhur nga çdo pjesë e vendit. Duke lënë mënjanë modestinë, Berisha në një intervistë të dhënë në studion e improvizuar të "Top Channel" në Pallatin e Kongreseve, theksoi se ai mund të konsiderohej edhe lideri më i votuar në rajon, jo vetëm në vend. "Po të bëhet një matje, jua siguroj se do të dal edhe më i votuari në rajon, krahasuar me drejtuesit e tjerë", deklaroi Berisha, duke lënë të nënkuptohet besimin e plotë se vota ndaj tij në PD do të ishte absolute. Po kështu Berisha theksoi se në momentin e parë që ai nuk do të merrte votëbesimin e partisë së tij ose qytetarëve, do të jepte dorëheqjen. Kryeministri theksoi se ai nuk mund të sillej si kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili ndonëse ishte humbës, nuk pranonte largimin nga PS. Sipas Berishës, fakti se ai nuk kishte një rival përballë nuk do të thoshte se gara nuk ishte demokratike dhe plotësisht e lirë. Në vlerësimin e përfaqësuesve të PD-së, fakti që nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, PD arriti të merrte një mandat të dytë qeverisës, është një bonos i jashtëzakonshëm për rikonfirmimin e tij si kryetar i PD-së, edhe për një mandat tjetër katërvjeçar.

Këshilli

Rezultat përfundimtare për përbërjen e re të Këshillit Kombëtar pritet të dalin vetëm në fundjavë. Kështu pritet të zgjidhen 100 anëtarë nga ana e delegatëve nga një listë prej 400 kandidatësh. Por numri i anëtarëve të këshillit pritet të shtohet, nisur edhe nga fakti se rreth 30 anëtarë do të futen si pasojë e pozicioneve që ata mbajnë. Për herë të parë në statusin e PD-së është sanksionuar edhe përfshirja e më shumë se 30% kandidateve femra në këtë këshill. Nisur nga kjo, në listën me emrat e rinj të kandidaturave për Këshillin Kombëtar, spikasin ato të femrave. Kështu mes tyre bien në sy emrat e kandidaturave femrave, si ajo e Erla Mëhillit, zëdhënëse e PD-së; Juela Meçanit, zëdhënëse e Kryeministrit Berisha apo Elvana Hanës, drejtoreshës së ISKSH-së. Mes listës spikat edhe emri i artistes së re, Çijeta Xhilaga. Nuk mungojnë edhe surprizat, kur sheh se 23 anëtarët aktualë të këshillit nuk janë në listën e kandidatëve për këshillin e ri kombëtar. Në emërt që janë jashtë liste, spikasin ai i ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango, ish-ministrit të Shëndetësisë, Maksim Cikuli, dhe ish-deputetët Engjëll Cara, Rahim Kaleci dhe Sali Shehu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›