Delegatët e PD, votime dhe festime në një ditë
Demokratët kishin menduar t‘i jepnin pamjen e një feste kuvendit të tyre zgjedhor, përligjur kjo zgjedhje edhe nga fakti se vetëm pesë muaj më parë qytetarët i votëbesuan edhe një mandat të dytë. Në hollin e Pallatit të Kongreseve vihej re entuziazmi i delegatëve të ardhur nga të gjitha rrethet dhe përfaqësuesve të partisë në qendër. Pavarësisht pjesëmarrjes së madhe të delegatëve, të cilët votuan kryetarin e partisë dhe anëtarët e Këshillit Kombëtar, kaosi në hollin e jashtëm çuditërisht dukej i organizuar. Buzëqeshjet dhe shtensionimi dukej se vinin edhe nga fakti se kryetari prej 19 vitesh në PD, Sali Berisha, nuk kishte kundërshtar në garën e djeshme. Nisur nga kjo, Kuvendi i djeshëm nuk i ngjante një arene, ku mbështetësit e secilës palë shikojnë ftohtë palën tjetër, përkundrazi demokratët dukeshin të bashkuar dhe të kënaqur për fitoren e vetëm pak muajve më parë. Ashtu si edhe në Kuvendin zgjedhor të vitit 2005, organizatorët kishin vendosur të përdornin stilin e republikanëve amerikanë për mënyrën e vendosjes së delegatëve në sallë, duke i caktuar emrin e rrethit në pjesën e vendosjes së tyre. Përpara nisjes së tij, në monitorët e skenës, organizatorët kishin vendosur të shfaqnin një dokumentar, i cili niste me protestat e studentëve 19 vite më parë dhe përfundonte me inaugurimin e rrugës Durrës-Kukës nga ana e Kryeministrit Berisha. Përgjatë këtyre kufijve vendosej edhe historia e PD-së, fillimi i vrullshëm, opozita dhe më pas qeveria e integrimit. Kuvendi u hap nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli, e cila vlerësoi kontributin e të gjithë anëtarësisë së PD-së përgjatë viteve të ekzistencës së kësaj partie. Më pas fjalën e mori nënkryetari Astrit Patozi, i cili u propozoi delegatëve në sallë edhe votimin e statutit. Duke ngritur mandatin e tyre, njëkohësisht delegatët votuan edhe "kushtetutën" e partisë me ndryshimet e bëra nga një komision i posaçëm. Më pas, për pak minuta, salla ra në qetësi të plotë dhe shpërtheu nga muzika e fishekzjarrët në momentin kur Kryeministri Berisha hyri në të i shoqëruar nga bashkëshortja Liri Berisha. Të entuziazmuar delegatët u ngritën në këmbë dhe për shumë minuta duartrokitën kryetarin e tyre, Sali Berisha. I entuziazmuar nga kjo pritje, Kryeministri u përshëndet me një pjesë të madhe të delegatëve përpara se të hipte në skenë. Me marrjen e fjalës Berisha bëri një histori të gjatë të rrugës së Partisë Demokratike që nga krijimi i saj dhe u ndal tek arritjet e shumta, përgjatë katër viteve të fundit. Berisha theksoi se demokratët shikonin larg dhe tashmë rruga e tyre ishte Europa.
F.Mejdini
F.Mejdini