E Diel, 1 Nëntor 2026

Selia blu dhe sfidat pas Kuvendit

Profili politik i Partisë Demokratike, që ka dalë pas Kuvendit Kombëtar të djeshëm dhe sfidat e forcës politike që drejton mazhorancën qeverisëse edhe pas zgjedhjeve të 28 qershorit, por me një konflikt politik, janë çështjet kryesore që dalin si pikëpyetje pas evenimentit më të madh politik që zhvilloi PD-ja. Katër gazetarë të njohur, Lutfi Dervishi, Henri Çili, Enton Abilekaj dhe Aleksandër Çipa analizojnë këtë fenomen në një forum të hapur për gazetën "Shqip"...

Kuvendi i PD-së vjen pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Si mendoni ju, a ka marrë përgjegjësitë e duhura lidershipi i selisë blu për t‘i analizuar zgjedhjet, rezultatet dhe pasojat që sollën ato në politikën shqiptare?

Lutfi Dervishi:

Kuvendi është quajtur Kuvendi i fitores dhe gjykuar nga axhenda ditore, fjalimet e oratorëve (veçanërisht ai i z. Berisha) dhe koha në të cilën zhvillohen punimet, hapësira për analizë ka munguar. Vetë kryetari i PD-së tha se është bërë një analizë e hollësishme në çdo seksion të Partisë Demokratike, çka të lë të besosh se vetë PD e ka në dorë skanerin e zgjedhjeve të 28 qershorit. E di mirë ku ka arritur sukses dhe ku ka dështuar. Partia Demokratike nuk arriti që së bashku me koalicionin e vet të merrte shumicën e numrave për Parlamentin. E ka mandatin qeverisës edhe për katër vitet e ardhshme, falë koalicionit me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Para dhe gjatë fushatës elektorale kritikët, por edhe vëzhgues neutralë, shpreheshin se PD do të humbiste zgjedhjet. Sot PD është në qeveri dhe siç u kumtua në Kuvend do të jetë në aleancë me LSI-në edhe në zgjedhjet e vitit 2013. Në këtë pikëpamje, PD ka arsye të festojë. Festa do të ishte ndryshe nëse do të arrinte që e vetme të kishte shumicën në Parlament. Por fakti që është në qeveri edhe për një mandat tjetër të kujton proverbin "Fituesi nuk gjykohet". Situata e tanishme politike është e pakëndshme, por nuk mund të fajësohet PD. Opozita duhet të njohë institucionet legale të vendit, duhet të njohë Kuvendin dhe në vend të një sheshi beteje (rrugës) duhet të përdorë edhe një shesh tjetër (Kuvendin) për të cilin edhe është votuar. Opozita do të fitonte shumë në sytë e opinionit publik dhe atij ndërkombëtar (që si rrallë ndonjëherë është në unison për kërkesën për t‘u futur në Parlament) nëse do të kërkonte rrugë legale për "transparencën e zgjedhjeve".

Henri Çili

Kryeministrit Berisha tha "fituesi nuk gjykohet" dhe, për pasojë, nuk analizohet. Ky ishte dhe Kuvendi i PD-së sot. Ishte festiv dhe ceremonial. Kjo ishte zgjedhja e demokratëve. Ky Kuvend do të ishte mirë të shfrytëzohej për një debat ideologjik, një Kuvend idesh dhe alternativash në lidhje me ato sfida që shtron koha për liberalizmin dhe të djathtën në përgjithësi në kontekstin e kësaj krize botërore. Po ashtu, edhe në funksion të sfidave të ardhshme elektorale që janë afër. Sakaq mendoj se kemi të bëjmë me një kontekst për Kuvendin, që lidhet me situatën politike, e cila nuk lejon shumë debat. Opozita është rrugë, ndaj nuk kishte ndoshta kohe për vetëkritikë.

Aleksandër Çipa

Udhëheqësia e Partisë Demokratike në Shqipëri është udhëheqësi e rreshtuar dhe e bindur para autoritetit të kryesuesit. Autoriteti dhe vendimmarrja politike e kësaj udhëheqësie është unifikuar në aktet nismuese dhe vetëshprehëse të udhëheqësit, pra kryetarit. Në mënyrën se si rrodhën ngjarjet postzgjedhore, askush nuk mund të ushqejë iluzionin se analiza e zgjedhjeve të 28 qershorit mund të merrte dimensionet e një procesi debati apo diskutimi, brenda forcës dhe në marrëdhënien e saj me publikun. Kohëvonesa e opozitës për reagimin dhe kërkesën e kutihapjes, i dha mundësi PD-së, sidomos kryetarit të saj Berisha, ta konsiderojë analizën, një proces të tejkaluar. Kongresi i quajtur Kuvend, i kësaj force, është një dëshmi e plotë për këtë dhe pse jo, edhe fatimponues për shkak të pozitës dominante që ka kryetari historik i kësaj force. Sido që të vërtitet apo kurdo që të nisë ky proces analize, ai nuk ndryshon asgjë në postin dhe pozitat e sotme të kryesuesit autoritar të Partisë Demokratike. Rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 nuk është më një problem për kryetarin e PD-së, Sali Berisha, mund të jetë vetëm një problem për sot dhe për nesër, për Kryeministrin Berisha. Fakti që tashmë ai ndodhet në poltronin e Kryeministrit, i shërben atij për të komunikuar dhe vepruar në pozitat e fituesit të mandatit qeverisës, për këtë shkak ai është i favorizuar dhe pse jo i mbështetur nga forca dhe anëtarësia e vet partiake. Së paku deri tani, kjo është plotësisht evidente.

Enton Abilekaj

Rezultati fitues i zgjedhjeve nuk mund të ishte çështje për t‘u diskutuar në Kongres. Zgjedhjet ishin të pranuara nga të gjitha palët, përveç socialistëve, që u shpallën humbës dhe si rrjedhim pasojat direkte të zgjedhjeve nuk mund të ishin negative në shumë plane dhe sidomos në prioritetin e integrimit të vendit. Pasojat indirekte të zgjedhjeve, që kanë të bëjnë me euforinë e fitores, me sjelljen ndaj opozitës dhe abuzimin e pushtetit janë çështje që duhet të diskutohen, po jo në Kongresin e PD-së. I takon lideshipit që do të nxjerrë Kongresi të reflektojë dhe të ofrojë një zgjidhje të re për situatën e krijuar si rrjedhim i këtyre shenjave shqetësuese që po demonstrohen pas zgjedhjeve.

Votimi për kryetarin e PD-së u bë me një kandidaturë të vetme, që është Berisha. Drejtuesit e mazhorancës e kanë argumentuar këtë me mungesën e hipokrizisë kur ndodh që disa herë emërohet një kandidaturë vetëm për garniturë, por si argument tjetër ka qenë një dhënie votëbesimi për liderin që e çoi partinë në fitore. A mendoni se këto argumente qëndrojnë?

Enton Abilekaj

Mendoj se nuk do të kishte asnjë njeri të vetëm në PD që të mendonte se mund të kandidonte kundër Berishës në këto kushte. Berisha i siguroi PD-së një mandat të dytë qeverisës pas një katërvjeçari që vërtet kishte probleme, por kishte arritje të rëndësishme në prioritetet e integrimit. Për më tepër në PD, pa demokratizim të brendshëm, asnjë anëtar i dëshiruar për karrierë nuk do të bënte gabimin e Genc Pollos në tetor të vitit 1999, aq më pak pastaj atë të Uran Butkës disa vjet më pas. Diskutimi për një kryetar tjetër në PD do të vijë pas humbjes së Berishës në zgjedhjet e përgjithshme (që nuk mund të ketë një datë të saktë). Kështu që mendoj se dalja e një kandidati alternativ për kryetar nuk është e ndaluar nga forumet drejtuese, por është rezultat logjik i situatës brenda PD-së.

Aleksandër Çipa

Ky Kuvend zgjedhor i PD-së nuk u parapri prej një fushate. Është model i përsëritur për këtë forcë historike të së djathtës zyrtare në vend. Ky model prej vitesh nuk lind kontestues dhe vetë kryesuesit e saj nuk po i dalin kontestues e oponentë potencialë. Në këtë mënyrë, në PD është pranuar fati i mosbëzajtjes oponenciale, sidomos në raportin me postin e kryetarit. Monoautoriteti është tashmë realitet vijues në PD, sigurisht për shkak të vetë potencës dhe autoritetit potencial që mbart zoti Berisha. Formula tjetër, ose alternativa e ndryshme konkurruese në kësi rrethanash, do të ishte vetëm një fasadë apo skemë demagogjike. Kjo nuk duhet pranuar si version i pashmangshëm se alternativa e vetme konkurruese për kryetarin historik është vetëm largimi nga jeta fizike e tij. Kurrsesi! Por sot për sot, në këtë forcë politike nuk po shfaqet e nuk po investohet askush tjetër që të mbartë atributet e konkurruesit të ardhshëm, e jo më të sotëm. Mungesa e kandidatit apo alternativës konkurruese, përderisa është realitet, është një e keqe më e vogël se sa alternativa e sajuar për aktrim dhe maskë politike. Në këndvështrimin politik, ky sistem i vetëkrijuar dhe i imponuar, vetëm për shkak të autoritetit historik të zotit Berisha, është sistemi i pakrahasueshëm në vendet ish-komuniste. Zoti Berisha tashmë është një rast i rrallë në politikën e vendeve ish-komuniste. Mbetet udhëheqësi i vetëm që kryeson forcën kryesore të një kahu politik qysh në zanafillë të lindjes së saj. Votëbesimi i padyshuar, i marrë prej zotit Berisha në Kuvendin e djeshëm, është i vlefshëm sa arsyetimi për një konkurrim vetë më vete.

Lutfi Dervishi

Zoti Berisha është rizgjedhur kryetar edhe përballë kandidaturave. (Arbnori, Butka). Në kësi rastesh media me jo pa të drejtë ka satirizuar respektimin formal të nenit të statutit që kërkonte rivalë në garë. Z. Berisha është jo vetëm kryetari, por dhe lideri i padiskutueshëm i PD-së. Në statutin e Partisë Demokratike për zgjedhjen e një kryetari dege duhen më shumë se dy kandidatë, për kryetarin e partisë kemi një realitet ku autoriteti dhe pushteti i z. Berisha është i padiskutueshëm. Për simetri e njëjta situatë është dhe në PS. (Rama përballë Lakrorit). Nuk pati asnjë bast që nxirrte fitues Lakrorin apo jo?! Me sistemin e ri zgjedhor pushteti i kryetarëve të partive është zgjeruar dhe forcuar dukshëm, në atë shkallë që pa frikë mund t‘i quajmë "parti sulltanësh". Në vitet e para të pluralizmit politik, të gjitha partitë politike e vendosën në statut që kryetar nuk mund të jesh më shumë se dy mandate. Një nga një, të gjithë e hoqën pa zhurmë e bujë këtë nen...

Henri Çili

Ishte më e ndershme nga ana e PD-së të kishte një kandidaturë, ndryshe do të përfundonim në një formalizëm dhe fiktivitet. Berisha është lideri i PD-së sot dhe nuk ka konkurrentë. Sakaq kjo nuk do të thotë që të kemi një debat në dinamikë për strukturën e kësaj partie të madhe, për mekanizmin e funksionimit të saj për sfidat e nesërme.

Me zgjedhjen e Këshillit të ri Kombëtar të PD-së, cili është impakti ndryshues që mund të sjellë kjo zgjedhje? Në Kuvendin e kaluar fenomeni që mbushi radhët e Këshillit Kombëtar dhe më pas Kryesisë ishte KOP-i. Këtë radhë mund të thuhet që PD do të mbushet me pjesë të administratës?

Henri Çili

Prurjet e reja janë pa ndonjë profil të përcaktuar. Janë të ndryshme. Por sigurisht që prurjet e administratës dhe ato spektakolare janë më të pritshme që të jenë në këtë rinovim. Por mendoj se procesi politik në PD është i një së ardhmeje tjetër nga ky moment.

Lutfi Dervishi

Për të mbetur në kuotat që është, PD-së i duhet të ndryshojë. Në grupin parlamentar afro gjysma e deputetëve janë në Kuvend për herë të parë. Mbetet për t‘u parë rezultati i votimit për të kuptuar rinovimin e Këshillit Kombëtar. Sa vend do të kenë të rinjtë (përmes Forumit Rinor), femrat (Forumi i Gruas) apo si do të përfaqësohen qarqet fituese dhe humbëse në zgjedhje në Këshillin Kombëtar?! Z. Berisha e ka vënë më se një herë theksin tek të rinjtë. Në ç‘shkallë do të përfaqësohen ata dhe cila do të jetë pesha reale në vendimmarrje në strukturat e kësaj partie?! Një përgjigje për këto pyetje mund të jepet vetëm pasi të shihet përbërja e Këshillit të ri Kombëtar.

Enton Abilekaj

Pati një diskutim për ndarjen e mandateve politike nga ekzekutivi që humbi. Humbja mund t‘i dedikohet pikërisht kësaj që thoni ju, se një pjesë e fortë e partisë është angazhuar tashmë në detyra qeverisëse. Gjithsesi nuk mund të thuhet që prezenca e partiakëve në qeverisje apo e kundërta nuk janë praktika ndërkombëtare. Madje mund të thuhet që ky është një model i suksesshëm për postet e rëndësishme drejtuese, pasi cilido që merr një detyrë, ka përgjegjësi administrative dhe politike njëkohësisht. Nëse KOP-i në vitin 2005 ishte një qeveri - hije që u përfshi në forume drejtuese, është tamam rasti që qeveria aktuale të përfaqësohet në këto forume, pasi cilësia e qeverisjes është ajo që sjell dhe rezultatin e zgjedhjeve të partisë kur të vijë ora e votës.

Aleksandër Çipa

Mendoj se forumet që zgjedh aktualisht kjo forcë, për shkak të shumë arsyeve dhe rrethanave të ardhshme, do të kenë rol të pakrahasueshëm me anëtarësinë e forumeve të tetë viteve të mëparshme të kësaj force. Kjo për shkak se koha e ardhme është kohë e provës dhe e vështirësive politike të PD-së dhe qeverisjes së saj. PD udhëton drejt ditësh me përballje antagoniste të forta dhe me një ndërgjegjetrazim të brendshëm në vitet e ardhme të mandatit. Opozita e majtë përballë saj është forca që do ta shfrytëzojë për ta shndërruar në resurs pakënaqësinë e brendshme dhe të jashtme, sikundër gjithë kontekstet që vijnë prej krizës dhe situatës ekonomike globale. Tashmë familja qeverisëse e saj është krejtësisht e ndryshme nga familja partiake. Mos harrojmë se qeveris në koalicion dhe sido e sado të sendërtojë mirëjetesë qeverisëse, zoti Berisha me aleatin Meta, një ditë do të gjenden në përballje dhe pakënaqësi politike.

Zgjedhja e tanishme e anëtarësisë në Këshillin Kombëtar është zgjedhje preferenciale e kryetarit historik. Kryesuesi sovran natyrisht që e njeh fort mirë promovimin dhe përfshirjen e emrave e zërave të rinj në jetën forumore të partisë. Por ai e di shumë mirë se këto prurje që mund të quhen edhe vetëzgjedhje, nuk mbartin shqetësim apo prishje të iso-monofonisë që kryeson si korife politik i partisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›