13 VJET BURG GABIMISHT!

Armand Bogadani me vajzen
Flamur Vezaj
Drejtësia vonon por nuk harron. Kështu ndodhi edhe me Armand Bogdanin nga fshati Rrajc e Librazhdit, i cili për 46 muaj qëndroi në qeli në pritje të pafajësisë, të cilën e fitoi vetëm pak ditë më parë në Gjykatën e Apelit të Gjirokastrës.
Dënimi
Trupi gjykues i kësaj Gjykate, pas 12 muaj shqyrtim gjyqësor e shpall Bogdanin të pafajshëm nga dënimi i dhënë në mungesë me 13 vite heqje lirie për akuzën e trafikut të drogës në bashkëpunim. Ky dënim ishte dhënë në mungesë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër në qershor të vitit 2004, më pas nga Apeli në prill të 2005 dhe është lënë në fuqi nga Gjykata e Lartë në mars 2006. Sipas këtyre vendimeve, Bogdani është deklaruar fajtor, pasi së bashku me disa shtetas, të cilët rezulton se nuk i njihte fare, kishte tentuar të trafikonte drejt Greqisë një sasi prej 1720 kg hashash.
Kjo lëndë narkotike ishte fshehur në një hapësirë të modifikuar të rimorkios me targa TR 1374 G që tërhiqej nga koka e kamionit me targa TR 2871 E. Ky kamion drejtohej nga shtetasi D.M. dhe ishte nisur nga Tirana për në Patra të Greqisë për të marrë qepë. Por, nga kontrolli i ushtruar më 4 korrik të 2002 në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, në pjesën e modifikuar të rimorkios u gjet dhe u sekuestrua sasia e hashashit. Nga verifikimet dhe hetimet e asaj kohe të kryera nga Prokuroria e Gjirokastrës, nuk u gjet asnjëherë pronari i kokës së kamionit, ndërsa rimorkio ishte blerë nga shtetasi me emrin Çlirim Rira nga Librazhdi.
Blerja e kësaj rimorkio ishte bërë para një notereje, ku blerësi kishte paraqitur një kopje të pasaportës, me gjeneralitetet e shtetasit të vërtetë Çlirim Rira, por, me foto të një personi tjetër. I pyetur për këtë kopje të pasaportës, shtetasi Rira kishte deklaruar se Armand Bogdani ishte personi që ia kishte marrë gjeneralitetet për një pasaportë udhëtimi. Prokuroria, e mjaftuar nga kjo deklaratë, pa gjetur asnjë gjurmë gishti, pa verifikuar lidhjet me bashkëpunëtorët në këtë trafik dhe pa verifikuar foton e personit që ndodhet në kopjen e asaj pasaporte të dorëzuar te noteri, heton dhe më pas i kërkon Gjykatës dënimin e Bogdanit.
Ngjarja e hetuar
Sipas shkresës së aeroportit të Rinasit rezulton se Bogdani me datë 26 qershor 2002 së bashku me bashkëshorten angleze ka hyrë në territorin shqiptar, 4 vjet pasi ishte larguar nga Shqipëria. Me të hyrë në Shqipëri, Bogdani është drejtuar Komisariatit të Librazhdit ku u pajis me pasaportë të re shqiptare dhe më pas me vizë në Ambasadën Angleze. Më datë 17 korrik 2002 Bogdani ka marrë pasaportën, vizën angleze dhe më pas është larguar nga Rinasi drejt Anglisë. Ndërkohë, në Shqipëri më 4 korrik 2002 ishte sekuestruar droga, për të cilën në 2004 u dënua në mungesë Bogdani me 13 vite burg, vendim ky i lënë në fuqi edhe në shkallët tjera të gjyqësorit në Shqipëri. Nga ana tjetër, pa ditur se në Shqipëri ishte dënuar Bogdani vazhdonte jetën normale me bashkëshorten e tij angleze Williams, me të cilën kishte ngritur edhe një biznes. Në qershor të 2007 nga martesa çifti është shtuar me një vajzë. Dy javë pas lindjes së vajzës, autoritet e policisë londineze i vënë prangat Bogdanit, pasi autoritet shqiptare e kishin dënuar në mungesë me 13 vite burg për trafik droge. Vetë Bogdani përveç se i habitur për dënimin, kishte kërkuar që mos të ekstradohej pasi nuk kishte qenë pjesë e ndonjë rrjeti të trafikut të drogës. Gjykata në Londër e liron nga qelia duke i caktuar masën e sigurisë detyrim për paraqitjeje. Pas një viti proces gjyqësor, drejtësia angleze në gusht të 2008 vendosi ekstradimin e Bogdanit drejt Shqipërisë.
Provat e pafajësisë
Kthimi i çështjes u arrit pasi avokati siguroi provën shkencore, se nënshkrimi që ndodhej në kontratën e blerjes së rimorkios ku u gjet sasia prej 1720 kg hashash, nuk ishte i Bogdanit. Provën shkresore nga aeroporti i
Rinasit, provoi se Bogdani, 4 ditë pasi ishte nënshkruar kontrata e blerjes së rimorkios, kishte hyrë në Shqipëri së bashku me bashkëshorten Willimas. U zbulua gjithashtu se fotoja që ndodhej në kopjen e pasaportës së dorëzuar tek noteri (ku ishte nënshkruar kontrata e blerjes së rimorkios), nuk ishte e Armand Bogdanit. Me kthimin e çështjes për rigjykim, tre gjyqtarë të Gjykatës së Apelit, pasi shqyrtuan brenda 12 muajve të gjitha provat shkencore dhe shkresore, vendosen lirimin e Bogdanit nga burgu, duke e deklaruar të pafajshëm për akuzën e trafikut të drogës.
Deputeti anglez Allen u interesua për Bogdanin
Deputeti i Partisë Laburiste për Nottinghamin e Veriut z.Graham Allen, me anë të një letre i është drejtuar Ministritë të Drejtësisë së asaj kohe, z.Enkelejd Alibeajt, duke i shprehur shqetësimin për mos zgjidhjen e çështjes së votuesit të tij, shtetasit shqiptar Armand Bogdani. Sipas kësaj letre, deputeti Allen shpreh shqetësimin për zvarritjen e rigjykimit të çështjes së Bogdanit për mbi një vit, pasi sipas tij, ish-ministri i kishte premtuar gjykatës se çështja e Bogdanit do të zgjidhej brenda një muaji me ekstradimin e tij në Shqipëri. Po me anë të letrës, deputeti laburist i ka kërkuar edhe Presidentit të Republikës, Prokurores së Përgjithshme dhe kryetares së Gjykatës së Lartë të përshpejtonin gjykimin e Bogdanit, që zgjati 3 vite e 10 muaj.
Më shkatërruan jetën, familjen dhe biznesin
Si morët vesh që në Shqipëri jeni dënuar dhe shpallur në kërkim?
Nga Shqipëria kam ikur sapo kam mbushur 18 vjeç. U largova për një jetë më të mirë, duke përfunduar në Angli. Këtu u paraqita si kosovar për të rregulluar letrat e qëndrimit. Pas disa viteve jam njohur me shtetasen angleze Deborah Williams me të cilën u martova. Në qershor të viti 2002 nëpërmjet IOM-it (Organizata e Migracionit shën. Red.), së bashku me bashkëshorten kam ardhur në Shqipëri për tu pajisur me pasaportën shqiptare dhe me vizë. Më 22 qershor 2002 kam hyrë në Shqipëri ku kam qëndruar deri në fund të korrikut dhe më pas jam larguar. Gjatë kësaj kohe jam pajisur me pasaportë dhe me vizë 6- mujore nga Ambasada Angleze në Tiranë, më pas jam kthyer në Angli.
Ju kishin njoftuar që po hetoheshin për trafik droge në atë kohë?
(qesh…) Nuk dija që po hetohesha, pasi unë kam shkuar në Komisariatin e Librazhdit kam marrë pasaportën dhe më pas kam udhëtuar nëpërmjet Rinasit. Asnjë person nuk më ka ndaluar. Jam kthyer në Angli për të vazhduar jetën dhe biznesin e ngritur së bashku me gruan.
Më pas jeni arrestuar…
Në korrik të 2007, vetëm dy javë pasi më kishte lindur vajza, policia më ka shoqëruar dhe më kanë njoftuar se isha i dënuar në Shqipëri me 13 vite burg për trafik droge. Kam mbetur i shokuar, pasi unë kisha ikur 18 vjeç nga Shqipëria. Me vendim të Gjykatës jam lënë i lirë, nën masën e sigurisë detyrim për paraqitje. Para gjykatës kam kërkuar që të mos ekstradohem pasi isha i pafajshëm e nuk kisha lidhje me atë trafik droge. Nuk më besuan dhe më ekstraduan drejt Shqipërisë. Ministri i atëhershëm i drejtësisë Alibeaj premtoi publikisht se çështja ime do të zgjidhet brenda 1 muaj. Unë aty mora vesh se më kishin dënuar me thashethemet e një personi. Në gusht 2008 u ekstradova në Shqipëri. Kur erdha këtu mora vesh se si dhe për çfarë më kishin dënuar në mungesë. Me ndihmën e avokatit siguruam provat e pafajësisë dhe u lirova pas kreva 3 vite e 10 muaj burg.
Si është jeta juaj pas daljes nga burgu?
Më kanë shkatërruar jetën, fam