Pronësia, vëllezërit nuk kursejnë plumbat për njëri-tjetrin
Konfliktet me armë zjarri për motive pronësie nuk kursejnë as vëllezërit e një gjaku. Mëngjesin e sotëm, një vrasje është parandaluar në fshatin Postonisht të Gramshit, kur policia ka arrestuar 40-vjeçarin Dëfrim Benku, i cili kishte rrëmbyer automatikun për të vrarë të vëllanë, M. Benku, 45 vjeç.
Sipas policisë, konflikti për pronësinë kishte vite që ekzistonte mes dy vëllezërve, por situata ishte tensionuar kohët e fundit, derisa 40-vjeçari ka marrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të të vëllait, fatmirësisht pa i shkaktuar lëndime. Policia ka arrestuar autorin dhe ka sekuestruar armën.
Plagosje në Tiranë
Ndërkohë, një tjetër konflikt pronësie mes dy vëllezërve për pak sa nuk është kthyer në tragjedi për njërin prej tyre, në Tiranë.
Kliton Vrapi, 34 vjeç, ka plagosur me armë zjarri pistoletë, për konflikte pronësie, vëllanë e tij, Arben Ismail Vrapi, 48-vjeç, lindur në Tiranë e banues në Gjermani dhe në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në rrugën Misto Mame, pranë pallateve Çabej, mbrëmjen e kaluar.
I plagosuri është dërguar në Spitalin Ushtarak Tiranë, ku po kurohet për plagët e marra, ndërsa i vëllai është nën akuzë për veprën penale të plagosjes së rëndë me dashje. / G. Ndoja / B. Nergjoni