13 akuza për ish-sekretarin e Ministrisë së Jashtme

NJU JORK/ I arrestuar edhe ish-sekretari i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, Almir Rrapo. Akuza të reja ndaj 17 të pandehurve për vrasje, rrëmbim dhe shantazh
Ngrihen akuzat ndaj ish-sekretarit të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, Almir Rrapos, i akuzuar si anëtar i një organizate kriminale e cila vepronte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nga ana e prokurorisë së Nju Jorkut u bë e ditur arrestimi i Florian Veshit dhe Almir Rrapos si dhe roli i tyre në çështjet e një organizate ku përfshihen vrasje, rrëmbime, trafik narkotikësh, zhvatje, grabitje, zjarrvënie e qëllimshme, pengim i drejtësisë dhe transport ndërkombëtar i sendeve të vjedhura.
Ndaj Veshit dhe Rrapos si dhe 15 individëve të tjerë, janë ngritur 13 akuza të reja dy ditë më parë, ku përfshihen rrëmbimi, trafiku i narkotikëve, grabitje dhe krime të armëve të zjarrit.
Veshi u arrestua të hënën në Nju Jork nga Task Forca kundër krimit të organizuar. Almir Rrapo u arrestua nga policia shqiptare në 2 korrik me kërkesën e Shteteve të Bashkuara. Në kohën që u arrestua, Rrapo ishte punësuar si sekretar në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë.
Dhjetë të bashkëpandehurit: Bruno Krasniqi, Saimir Krasniqi, Erkliant Sula, Skënder Cakoni (i njohur si Neri), Gjovalin Berisha (i njohur Kuz), Nazih Naser (i njohur si Naz), Plaurent Çela, Gentian Nikolli (i njohur si Genti), Shkëlzen Balidemaj dhe Albert Tamali (i njohur si Berti ose Daniel Uis), u arrestuan në qershor të këtij viti pas hetimeve për këtë çështje.
Gentian Cara, Marjan Tamali dhe Joana Pakulski, rezidentë në Kanada u arrestuan nga policia mbretërore kanadeze. Cara u ekstradua në SHBA në 6 gusht 2010, ndërsa kërkesat e SHBA-së për Tamalin dhe Pakulskin ende s'kanë marrë përgjigje. Dy të pandehurit e tjerë, Dukagjin Nikollaj (i njohur si Duka) dhe Visi Lnu janë ende të lirë.
Siç theksohet në dosje: Bruno Krasniqi, Saimir Krasniqi, Almir Rrapo, Erkliant Sula, Florian Veshi dhe të tjerët ishin anëtarë të një organizate (Organizata "Krasniqi") e cila drejtohej nga vëllezërit Bruno e Saimir Krasniqi, që vepronin në Nju Jork, Miçigan, Konektikat etj.
Kjo organizatë ka kërkuar t'i pasurojë anëtarët e vet përmes skemave kriminale përfshirë dhe trafikimin e më shumë se 1500 kg marijuanë, përdorimin e armëve të zjarrit dhe dhunës për të mbrojtur territorin e vet, si dhe duke përhapur frikë mes rivalëve të drogës dhe viktimave.
Anëtarët e organizatës akuzohen edhe për dy vrasje. E para, për një betejë për çështjen e terrenit me shpërndarës të marijuanës, ku mbeti i vrarë Erion Shehu në një ndjekje me makina me shkëmbim zjarri jashtë një kafeje në 17 korrik 2005.
E dyta, vetëm gjashtë muaj më pas, më 14 janar 2006, ku Bruno dhe Saimir Krasniqi qëlluan dy herë Erenik Grezdën në kokë dhe e hodhën trupin e tij në anë të rrugës. Vrasja u krye pas dyshimeve se Grezda po i ngrinte kurth Brunos për t'u rrëmbyer nga një grup shqiptar i shpërndarjes së marijuanës së cilës u kishin vjedhur një sasi marijuane me vlerë rreth 250 000 dollarë.
Pas vrasjes së Grezdës, Florian Veshi dhe Erkliant Sula morën makinën me të cilën Grezda u vra në Nju Xhersi dhe e dogjën. Në vijim të këtyre vrasjeve shumë anëtarë të organizatës janë akuzuar për dy rrëmbime.
Një prej tyre ka ndodhur në qershor 2005, ku Bruno dhe Saimir Krasniqi, Almir Rrapo dhe anëtarë të tjerë të organizatës rrëmbyen një rival të shpërndarjes së drogës dhe pasi i vunë tytën e pistoletës në gojë e kërcënuan se do ta vrisnin nëse nuk do të tregonte pozicionet e anëtarëve të organizatës ku merrte pjesë.
Një rrëmbim i dytë ndodhi në Miçigan në 2003-shin, ku anëtarë të organizatës "Krasniqi" rrëmbyen një individ dhe e kërcënuan të vrisnin atë dhe të tjerët sepse besonin se nuk kishte treguar respekt për një anëtar të kësaj organizate.
Në vijim të këtyre akuzave, të pandehurit gjithashtu janë akuzuar për shpërndarje të mbi 100 kilogramëve marijuanë, grabitje droge, plaçkitje, mbajtje dhe përdorim i armëve të zjarrit, pengim i drejtësisë etj.
Akuza I pandehuri
Shantazh Bruno Krasniqi, Saimir Krasniqi, Almir Rrapo, Erkliant Sula, Florian Veshi
Shantazh Bruno Krasniqi, Saimir Krasniqi, Almir Rrapo, Erkliant Sula, Florian Veshi
Shpërndarje droge në bashkëpunim Bruno Krasniqi, Saimir Krasniqi, Almir Rrapo, Shkëlzen Balidemaj, Plaurent Çela, Skënder Cakoni, Gentian Cara, Albert Tamali, Marjan Tamali, Gjovalin Berisha, Dukagjin Nikollaj, Nazih Nase, Gentian Nikolli, Joana Pakulski
Vjedhje në bashkëpunim Bruno Krasniqi, Saimir Krasniqi, Almir Rrapo
Shpërndarje droge në bashkëpunim Bruno Krasniqi, Saimir Krasniqi, Almir Rrapo, Erkliant Sula, Florian Veshi, Shkëlzen Balidemaj, Dukagjin Nikollaj, Gentian Nikolli
Përdorim dhe mbajtje e armëve të zjarrit Bruno Krasniqi, Saimir Krasniqi, Florian Veshi, Almir Rrapo, Erkliant Sula
Rrëmbim për llogari të një organizate kriminale Bruno Krasniqi, Saimir Krasniqi, Almir Rrapo
Përdorim dhe mbajtje e armëve të zjarrit Bruno Krasniqi, Saimir Krasniqi, Almir Rrapo
Përdorim dhe mbajtje e armëve të zjarrit Plaurent Çela, Skënder Cakoni, Visi Lnu
Vrasje e kryer për llogari të një organizate kriminale Bruno Krasniqi, Saimir Krasniqi, Almir Rrapo
Vrasje e kryer për llogari të një organizate kriminale Bruno Krasniqi, Saimir Krasniqi
Pengim i drejtësisë në bashkëpunim Bruno Krasniqi, Saimir Krasniqi, Florian Veshi, Erkliant Sula
Pengim i drejtësisë Bruno Krasniqi, Saimir Krasniqi, Florian Veshi, Erkliant Sula