Bllokohen tubacionet, ujërat e zeza dalin mbi rërë

ABSURDI/ Pas aksionit të ndërmarrë nga agjencia e mjedisit për bllokimin e tubacioneve të ujërave të zeza, asgjë nuk është përmirësuar në bregdetin e Durrësit
DURRËS - Përsëri ndotja e plazhit nuk është vënë në binarë. Banorët dhe turistët shprehen të shqetësuar se tashmë, pas heqjes së tubacioneve, derdhja nuk është ndërprerë, por po vazhdon e paorientuar në sipërfaqet e rërës, duke e bërë edhe me evidente ndotjen, si dhe duke rritur shqetësimin ndër pushuesit.
Gjatë ditës së djeshme, plazhistët, por edhe banorë që kanë blerë banesa në pallatet e ndërtuara në bregdet, kanë shfaqur pakënaqësi për punën e përciptë që është bërë nga ana e agjencisë rajonale mjedisore për eliminimin e ujërave të zeza në bregdet, pasi, sipas tyre, ata në fillim kujtuan se po zgjidhen problemet me ndotjen e rërës dhe ujërave, por është kthyer si më parë.
Ata kanë deklaruar se është bërë punë e përciptë për bujë dhe nuk është punuar që të bllokohen burimet e ndotjes, pasi tubacionet janë vetëm një pjesë e impianteve ndotëse të plazheve.
Me heqjen e tubacioneve nga mjedisoret, ujërat e zeza kanë filluar të shpërndahen në rërë në një sipërfaqe të ndjeshme. Një nga pushuesit tha se do të kish qenë më mirë të betonoheshin pusetat dhe jo tubat. Punën e kryer nga agjencia e mjedisit ata e kanë cilësuar si aksionin e shkuljes së tubave.
Kjo situatë është në dy pika ku ka ndërhyre agjencia e mjedisit, si në zonën pranë Shkëmbit të Kavajës ashtu edhe në një pjesë të plazhit të Golemit. Pas heqjes se tubacioneve, ujërat e zeza kanë shpërthyer mbi rërë, duke alarmuar banorët e zonës dhe ata pak pushues që kanë mbetur në këtë bregdet.
Disa prej tyre thanë se janë detyruar të qëndrojne në ambientet e hotelit dhe të lënë mënjanë plazhin për shkak se u druhen infeksioneve që mund të marrin nga gjendja e përkeqësuar.
Ata janë shprehur se në të gjitha rastet është folur për investime, por asgjë serioze nuk është ndërmarrë për eliminimin e ndotjeve në bregdet. Një banor që ka blerë një apartament në një zonë të Shkëmbit të Kavajës, thotë se pusetat septike janë mbushur dhe se ato janë bërë shkak të ndoten edhe depozitat e ujit.
Ai tha se ekipet nuk kanë bërë kontroll për gjendjen e pusetave, por kanë shkulur vetëm tubat dhe kjo ka bërë që ndotja e rërës të marrë përpjesëtime të tjera. Edhe në darkë, sipas tij i mbyt era e qelbur, ndërkohë që blerjet e apartamenteve i kanë bërë me para të kursyera me djersë.
Disa të tjerë shprehen se ka edhe zona ku nuk është ndërhyrë, teksa nuk kanë ngurruar të thonë se prishjet e bëra nga agjencia e mjedisit mund të jenë bërë dhe për arsye konkurrence, pasi lokalet pranë ujërave të zeza tashmë kanë falimentuar. Denoncimet e pushuesve dhe panorama që të ofron bregdeti durrsak përgënjeshtron deklaratat shtetërore për një plazh të pastër me ndotje zero.
Përgjatë vijës Plepa-Shkëmbi i Kavajës janë ndërtuar një numër i madh hotelesh dhe kompleksesh turistike, të cilët ujërat e zeza vijojnë t'i derdhin në det, ndonëse ligjërisht duhet t'i grumbullojne në gropa septike dhe më pas të thithen me autobote e të shkarkohen në kanalin e madh të ujërave të zeza të qytetit.