13 ankesa në PZAP

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) deri në orën 15.00 të ditës së hënë ka pranuar gjithsej 13 ankesa nga subjektet politike dhe kandidatët e tyre për deputetë, lidhur me rezultatet përfundimtare të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Numri i ankesave mund të rritet pasi që afati ligjor për dorëzimin e ankesave është deri në ora 21.15, pra 24 orë pas shpalljes së rezultateve nga KQZ-ja.
Kryetari i PZAP-it, Shukri Sylejmani bëri të ditur për Kosovapress se i kanë pranuar gjithsej 13 ankesa, prej të cilave 6 nga partitë shqiptare dhe 7 tjera nga minoritetet.
“Nga një ankesë na kanë ardhur prej AAK-së, LDK-së, PDK e Lëvizjes Vetëvendosje dhe AKR-ja ka paraqitur 2 ankesa, kurse 7 ankesa tjera janë nga partitë e minoriteteve”, ka thënë ai.
Sylejmani tha se të gjitha ankesat që janë dorëzuar në PZAP, pritet të shqyrtohen brenda afatit ligjor, duke filluar nga mbrëmja e së hënës pas orës 21:15 minuta deri të enjten me 3 shkurt në ora 21 e 15 minuta.