E Shtunë, 31 Tetor 2026

13 efektet kuruese të Vitaminës C

Kush duhet ta përdorë dhe efektet e saj në shëndet.Merr pjesë në më shumë se 300 procese biologjike në organizëm
Vitamina C nuk mund të jetë ilaç për të gjitha sëmundjet, por ajo merr pjesë në më shumë se 300 procese biologjike në organizëm. Pra, Vitamina C është një supervitaminë. Vitamina C është e nevojshme për sintezën e kolagjenit. Kolagjeni është albuminë që thjesht mund ta quajmë ngjitës-përbërës të trupit. Për shembull, gjendet në lëkurë, kërce, eshtra, dhëmbë, sy dhe në muret e enëve të gjakut. Vitamina C është bashkëdyzim antioksid që lidh radikalet e lira dhe kështu mund të luajë rol në preventivën e sëmundjeve të rënda. Në mënyrë indirekte, ajo mbron vitaminën A dhe E, si edhe disa vitamina të grupit B, nga ndikimi i dëmshëm i oksidimit. Vitamina C merr pjesë në metabolizmin e kolesterolit dhe në shndërrimin e kolesterolit në thartirë të vrerit dhe kështu zvogëlon nivelin e kolesterolit në gjak. Luan rol me rëndësi në bartjen e impulseve nervore dhe në masë të duhur ndikon në gjendjen tonë psikike. Në organizëm zvogëlon rritjen e nivelit të hormoneve (kortikosteronit), që shkaton stresin. Kështu, marrja e rregullt e Vitaminës C mund të mbrojë nga ndikimet e dëmshme të stresit. Stimulon sistemin e imunitetit dhe ndihmon prodhimin e rruazave të bardha të gjakut dhe interferonit.
Doza
Nëse dëshirojmë që Vitamina C të ndikojë si antioksidues, duhet që së paku të merren 150 mg në ditë, por duhet ta dimë edhe këtë se profesor Linus Pauling, nobelist dhe ithtar i bindur i Vitaminës C, në ditë ka marrë 4.000 mg dhe ka jetuar gati 95 vjet. Është një mendim i përgjithshëm se tabletat kurrë nuk mund të zëvendësojnë në masë të duhur Vitaminën C, që gjendet në pemë dhe në perime, në domate, në lakër etj. Ndërsa prej muajit tetor deri në maj, kur ka më pak pemë dhe zarzavate, është e domosdoshme ta plotësojmë nevojën për këtë vitaminë me shtesat e ushqimit. Edhe pemët e importuara jugore kanë sasi shumë të vogël vitaminash, sepse paketohen kur janë të papjekura. Vitamina C nuk guxon të mungojë në asnjë barnatore shtëpiake, sepse të gjithë anëtarët mund ta përdorin gjatë tërë vitit. Rekomandohet që Vitamina C të merret në sasi të vogla, por është e nevojshme që këtë vitaminë ta bartim në organizëm gjithnjë, sepse është pjesëmarrëse e të gjitha proceseve biologjike. Si dozë preventive për pengimin e sëmundjeve, që konsiderohet si dozë ideale, është 200-500 mg në ditë.
Dozat më të larta
Në radhë të parë janë duhanxhinjtë, sportistët, të sëmurët, rekonvaleshentët, punëtorët me punë të rëndë fizike, si edhe ata që në vend të punës kanë strese. Gjithashtu, kjo vitaminë është shumë efikase në rastet e ftohjeve, dhembjeve të fytit apo kur jemi të lodhur kryesisht. Në këto raste rekomandohet marrja e 1.3 deri në 5 tableta Vitaminë C 1000 mg dhe kështu me preventivën efikase arrijmë të pengojmë dhembjet inflamatore, domethënë i ikim shërimit me antibiotikë.
Mishrat e dhëmbëve
Nëse doni të forconi mishrat e dhëmbëve, pini sa më shumë lëng limoni dhe portokalli, që përmbajnë Vitaminë C që riaktivizon qarkullimin dhe oksigjenon mbetjet e mukozave orale duke siguruar një funksionim më të mirë të mishrave të dhëmbëve. Dhe jo vetëm kaq, Vitamina C aktivizon vitaminat e mukozës duke krijuar një gjendje mbrojtëse që riparon agresionin e baktereve. Hani të paktën dy apo tri herë në javë mish ose peshk, sepse përmbajnë një sasi të konsiderueshme proteinash në gjendje të largojnë mbeturinat ushqimore. Mos harroni të përfshini në dietën tuaj karrotat, mollët dhe dardhat, sepse janë ushqime të pasura me fibra dhe ujë. Veçantia e tyre qëndron në faktin se stimulojnë aktivitetin e detersimit, që është i padiskutueshëm për të mbajtur gjithmonë të freskët dhe të pastër mishrat e dhëmbëve. Hani herë pas herë një banane se përmban cilitol, një lloj sheqeri që ndalon formimin e pllakëzave bakteriale.
Pasojat kur ka mungesë të saj
Mungesat e vogla të Vitaminës C sjellin dobësi, dobësim të mishrave të dhëmbëve, rënie të dhëmbëve, disa herë dhe dhembje trupore, sepse Vitamina C ndikon në formimin e kolagjenit, substancës lidhëse të indeve. Mungesat më të theksuara mund të sjellin humbje në peshë, lodhje, deficit imunitar, gjë që demonstrohet nga infeksione të përsëritura virale dhe bakteriale. Niveli i ulët i saj shoqërohet me rritje të tensionit arterial dhe rritjen e mundësisë së goditjes së zemrës, rrit rriskun për katarakte të syve si dhe një rrisk i lartë për shumë tipe të kancerit, si ai i prostatës, zorrëve, mushkërive etj.
Astma dhe alergjia. Studimet kanë treguar prezencën e saj në rrugët e ajrit dhe pamjaftueshmëria e Vitaminës C ka qenë e shoqëruar me ngushtime bronkiale si dhe me reduktim të vetë aktivitetit të mushkërive. Vitamina C ndikon në prodhimin e kolagjenit, substancë ndërqelizore që mban të lidhura indet bashkë dhe i jep strukturën kockave, kartilagove, ligamenteve, muskujve ndërsa është shumë e rëndësishme për lëkurën dhe kornean e syrit. Gjithashtu, ajo ndikon në çlirimin e nxehtësisë nga indet si dhe në forcimin e mishrave të dhëmbëve dhe në kockat e thyera. Personat që marrin doza të larta të Vitaminës C kanë një reduktim të rriskut për dhembje gjuri.

Përdorimi
Shërben për mbrojtje nga infeksionet virusale, bakteriale dhe kërpudhave,
Për të zvogëluar kolesterolin në gjak,
Ndihmon shërimin e shpejtë të plagëve dhe të lëndimeve,
Pengon formimin e qelizave të tumorit, kryesisht në traktin digjestiv. Pasi është bashkëdyzim antioksidik, neutralizon radikalet e lira,
Ngadalëson plakjen, formimin e rrudhave në lëkurë dhe plakjen e përgjithshme të organizmit,
Ndihmon largimin e shpejtë të materieve helmuese nga organizmi,
Ndihmon pastrimin e organizmit nga mjetet dehëse, alkooli dhe nga tymi i duhanit,
Vitamina C ndihmon në preventivën e kataraktit, si dhe përmirëson mundësitë për shërimin e tij,
Lehtëson simptomat e astmës dhe të sëmundjeve alergjike,
Zvogëlon mundësinë e ngjitjes së spermatozoideve, pra, në mënyrë indirekte pengon sterilitetin mashkullor,
Ndihmon në shërimin e sëmundjes së sheqerit dhe ka një rol të rëndësishëm në thithjen e hekurit.

Të reja nga shkenca
Studim mbi vlerat e Vitaminës C

Ekspertët këmbëngulin se për t’u mbrojtur nga riniti alergjik mjafton të konsumohet rregullisht rreth 90 miligramë Vitaminë C në ditë (75 për gratë), që mund të gjendet fare lehtë te frutat e freskëta dhe perimet me gjethe të gjelbra. Por jo gjithmonë dieta mund të garantojë marrjen e sasisë së nevojshme të këtij oksidanti. Për këtë arsye, së shpejti do të hidhet në treg një produkt i ri, “ESTER C”, që do të garantojë “ushqyerjen” në masë të organizmit me Vitaminë C, duke qenë mjaft e tolerueshme për stomakun dhe dhëmbët. Gjithashtu, Vitamina C është e mirë dhe për kockat. Sipas ekspertëve, kjo vitaminë mund të jetë një aleate e vlefshme e kockave. Të paktën ky është përfundimi i një studimi të kryer nga një ekip mjekësh londinezë, sipas të cilëve estrogenët arrijnë të mbrojnë kockën nga kjo sëmundje, pasi stimulojnë prodhimin e antioksidantëve. Këto substanca, mes të cilave dhe Vitamina C, ripastrojnë organizmin nga agjentët e dëmshëm që shkaktojnë plakjen dhe çojnë në thërrmimin e kockave.

Përgatiti: JONIDA TASHI

25 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›