Sllovenia në vitin 1983, si nisi kriza për Federatën Jugosllave
Gazetari amerikan vazhdon reportazhin në Republikat Jugosllave. Përfshirja e Sllovenisë nga krizat politike dhe ekonomike
David Binder
Vijon nga numri i kaluar
Lubjana është një qytet i ndërtuar mjeshtërisht mbi një kodrinë në Slloveni, me rreth 303 mijë banorë. Perspektiva e tij këtu duket se po merr drejt maleve, në një lartësi gjithnjë e më të madhe teksa e sheh nga poshtë lart.
Në katin më të lartë të një ndërtese moderne, Jaka Stular, kryeredaktori i së përditshmes sllovene “Delo” thotë se e kishte frikësuar ekzistenca e Jugosllavisë në tri kohë: në vitin 1948, kur Stalini e dëboi vendin nga blloku sovjetik; në vitin 1968 kur rusët pushtuan Çekosllovakinë dhe sot. “Ne jemi në kulmin e një krize ekonomike”, - thekson zoti Stular dhe “bazat e krizave ekonomike janë krizat politike”.
Kriza në syrin e një gazetari
Zoti Stular, i pakët në trup, i veshur me një kostum të lehtë, me mustaqe të vogla, e parashikon krizën në kushtet e një zbrazëtie të pushtetit: Nuk gjendet një zëvendësues për të drejtuar vendin pas Titos. Nuk ka ndëshkime për dështimin. Unë nuk e kuptoj një situatë të tillë, por zgjedhjet e lira shpëtojnë ata që dështojnë nga zbatimi i Kushtetutës së vitit 1974, ku për herë të katërt duket se po vjen lufta! Ajo (Kushtetuta, - shën. red.) është një dokument i mirë, por është bllokuar nga qendrat lokale të pushtetit”. Kandidatët janë paraqitur tashmë. Ai sugjeron se situata politike dhe ekonomike e Jugosllavisë është e krahasueshme me periudhën e rindërtimit pas Luftës Civile Amerikane, kur qytetarët dhe qeveria ishin duke luftuar, por jo gjithmonë në të njëjtën mënyrë, që të rindërtojnë një shoqëri të rrënuar.
Ai thotë se një nga mjerimet e ekonomisë së Jugosllavisë është rritja e papunësisë, e cila është mbi 12%, ose më shumë se 900 mijë njerëz. “Ne nuk kemi një treg të përbashkët në mes të republikave”, - shpjegon ai, teksa e kundërshton aty për aty Marjan Sedmak, korrespondent i jashtëm: “Jaka, ne nuk kemi pasur treg, lëre më të kemi një treg të përbashkët”. Biseda është e sinqertë, pasi Vilko Novak, një korrespondent i sapokthyer nga një detyrë prej Parisit, thekson: “Unë jam i çuditur nga çiltërsia”. Në të vërtetë shumë prej atyre që thuhen dhe shkruhen në Jugosllavi këto ditë, do të ndodhin në vitet e ardhshme, kur përballesh me keqtrajtime apo dëbime”.
Sllovenia, republika më e pasur
Sllovenia, me një popullsi prej 1.9 milionë banorësh, është një nga republikat më homogjene. Gjithashtu, ajo është më e industrializuara dhe më e pasura. ”Ne kemi një numër të madh punonjësish edhe në republikat e tjera”, - më thotë Joze Smole, kryetar i Lidhjes Komuniste të Lubjanës (Një nga degët e Partisë Komuniste të Jugosllavisë). “Pothuajse nuk ka slloven që merret më me grumbullimin e mbeturinave, ose të punojë në ndërtim. Në sistemin hekurudhor slloven, rreth 35 për qind e punonjësve janë nga republikat e tjera, veçanërisht janë shqiptarë nga Kosova”.
Pesimizmi përshkruan shumë biseda me sllovenët, ku pjesërisht, ajo duket, sepse kriza ekonomike ka penguar rritjen e lartë të standardeve të tyre të jetesës. Një taksist më tregon se ai ishte një makinist i kualifikuar në një fabrikë në Berlinin Perëndimor, ndërsa tani ai është i papunë, sepse u largua. “Ne punojmë mirë nëse ne paguhemi si në Perëndim”, - thotë ai i menduar. “Ne e kemi treguar këtë. Por njerëzit nuk punojnë si atje nëse këtu çmimet rriten dhe pagat janë ende të ulëta”. Sipas Joze Smole, pagat në fabrikat e këtushme nuk shkojnë më shumë se 100 dollarë në muaj.
Modeli që po rrënohej dita-ditës
Shumë veta mendojnë se kriza ekonomike është e lidhur me një krizë politike. Një intelektual i moshuar, që luftoi me partizanët në Luftën e Dytë Botërore, fajëson Titon dhe vetë drejtuesin e Sllovenisë, Edvard Kardelj, duke e konsideruar plotësisht shkaktar, qëkur ai i zuri vendin Titos pas vdekjes në vitin 1979. “Në brezin e dytë ose të tretë të prindërve, aty gjen mediokritet. Vendi është duke u shkrumbuar për njerëz të talentuar. Në të vërtetë ka me qindra diktatorë të vegjël, që thjeshtë janë duke përjetësuar veten e tyre. Ne kemi rënë. Ne nuk kemi më shumë interesa në botë. Mosha mesatare e anëtarësisë së partisë është 40 vjeç. Punonjësit nuk dëshirojnë të bashkëpunojnë. Mendim i gabuar. Unë pashë tek disa ideologë të rinj partiakë duke thënë se në radhë të parë duhet të jesh i “përshtatshëm”. Ai le ta thotë atë fjalë të paimagjinueshme për brezin e tij partizan, i cili tashmë vetëm sa thith ajrin në dhomën ku jetojnë, në mënyrë të rëndë, sikur të ishin re prej shiu.
Dështimi nga ndryshkja e skemave
Sllovenë të tjerë kanë një pikëpamje më pak të zymtë. Njëri prej tyre është profesor i Fakultetit Juridik të Kardeljt, Ivan Kristan. Si një specialist i Kushtetutës ai e shikon decentralizimin si një gjë pozitive, por nuk i mohon të metat e tij. Unë e ngacmoj akademikun 53-vjeçar me një analogji, duke krahasuar rrotacionin e udhëheqësve aktualë të Jugosllavisë për detyrat partiake, qeverisëse dhe legjislative sikur të ishte loja e karriges muzikore. A ia vlen të thuash se kjo do të jetë e ndershme, kur në çdo kohë muzika ndalon dhe lojtarët janë sërish të ulur në karrige të ndryshme, por asnjëra prej karrigeve nuk është ndërruar ndonjëherë dhe që askush nuk e ka humbur vendin?
Profesor Kristani qeshi: “Shumë funksione janë bërë sipas njerëzve që kanë bërë një revolucion dhe ata nuk është e lehtë t’i lëvizësh”, - thotë ai. “Ne nuk kemi mundësi të mjaftueshme që t’i bëjnë të tërhiqen ata. Çdokush ndërhyn t’i mbështesë. Në një mëngjes të hershëm në autobusin që të çon në aeroport, një pjesëtar i ekipit të futbollit të qytetit më dha pikëpamjen e tij për rolin e partizanëve në politikat e sotme: Luftëtarët e vjetër, - ata ishin mirë në luftë. Por ata tashmë nuk mund të ecin me vrap. Ata thjesht japin urdhra. Por nuk mund të komandohet një strukturë e tillë kështu”.
Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 25 dhjetor 1983
Titulli është redaksional
Titulli origjinal është “Një rikthim te Jugosllavia
Përgatiti: Albert Gjoka
Në numrin e së martës do të lexoni
Si ishte Kroacia dhe Bosnja nën Jugosllavinë komuniste në vitin 1983
- Gazetari amerikan vazhdon profilin me republikat e Federatës Jugosllave pas largimit të Titos
- Atmosferë më pozitive në Kroaci, ku kriza që kishte përfshirë Federatën ndihej më pak se kudo tjetër
- Si reflektohej myslimanizmi në Bosnjë dhe modelet radikale brenda tyre. Raportet me serbët etj.
Për më shumë na ndiqni në numrin pasardhës
25 Shkurt 2008