MASH fiton gjyqin me shtëpinë botuese “Ejal-Co”
Ministria e Arsimit, megjithëse ka fituar gjyqin me shtëpinë botuese “Ejal-Co” dhe ka humbur në fazën e parë atë me “Dita 2000”, ka bërë të ditur se do ta ndjekë çështjen me këtë të fundit në Apel dhe në Gjykatën e Lartë. Pak kohë më parë, MASH-i paditi në Gjykatën e Tiranës dy botues të librave shkollorë, të cilët shkelën detyrimet e kontratës së nënshkruar me MASH-in, duke mos dorëzuar në shkollat e mesme librat që kishin marrë përsipër t’i botonin dhe duke sjellë probleme në procesin mësimor. Këta botues janë “Dita 2000” me librat e Matematikës të vitit të parë dhe të tretë të shkollës së mesme me drejtim shoqëror dhe natyror dhe “Ejal-Co” me librat e Fizikës të katër viteve të shkollës së mesme. Këta tituj nuk kishin libra alternativë. Duke vepruar sipas përvojës së një viti më parë, ministria në të dy kërkesëpaditë, drejtuar Gjykatës së Tiranës, të cilat ishin identike, kërkoi seancë gjyqësore sa më të shpejtë, në mënyrë që të merrte masën e saj të sigurisë, që ishte dorëzimi i menjëhershëm i të drejtës së autorit (copyright-in) për tekstet e përmendura më lart. Qëllimi ishte prodhimi i këtyre librave nga një botues korrekt dhe pajisjen e nxënësve në kohë me to. Kërkesëpadia me shtëpinë botuese “Dita 2000” u gjykua nga gjyqtarja Arjana Caci dhe MASH-i e humbi çështjen, ndërsa tjetra me “Ejal-Co” u gjykua nga Majlinda Doga dhe u fitua nga ministria. Pas vendimit të gjykatëses Caci, MASH do ta ndjekë çështjen me “Dita 2000” në Apel dhe në Gjykatën e Lartë. MASH ka bërë të ditur se këto çështje do të shqyrtohen edhe në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, me qëllim që të hetohet pse është gjykuar si më sipër dhe në perspektivë të ketë veprime unifikuese të instancave përkatëse, në mënyrë që vendimet e gjykatave të jenë një normë e qartë për të gjithë dhe të mos operohet më në xhunglën e veprimeve të panjohura.
Jonida Tashi
25 Shkurt 2008