Shqipëria njeh Kosovën si Krahinë Socialiste Autonome
Intensifikohen marrëdhëniet mes Tiranës dhe Prishtinës në vitin 1981. Pritja e delegacionit kosovar nga ministri i Tregtisë së Jashtme, Nedin Hoxha
Ministri i Tregtisë së Jashtme, Nedin Hoxha, priti nënkryetarin e Këshillit e Ekzekutiv të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, Riza Sapunxhiu dhe sekretarin krahinor për Ekonominë, Selajdin Jardashi. Gjatë takimit u shkëmbyen mendime për zhvillimin e mëtejshëm të shkëmbimeve tregtare midis Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Në takim morën pjesë zëvendëskryetari i Komisionit të Planit të Shtetit, Gani Qamo, zëvendësministri i Tregtisë së Jashtme, Myrteza Sinoimeri dhe drejtori i Drejtorisë së katërt në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Justin Papajorgji. I pranishëm ishte gjithashtu ambasadori i jashtëzakonshëm e fuqiplotë i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, Branko Komatina. Gjatë ditës së djeshme nënkryetari i Këshillit Ekzekutiv të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, Riza Sapunxhiu dhe sekretari krahinor për Ekonominë, Selajdin Jardashi, vizituan kombinatin e autotraktorëve “Enver Hoxha”, Ekspozitën “Shqipëria sot” dhe Galerinë e Arteve Figurative.
Vizita e tyre në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut
Nënkryetari i Këshillit Ekzekutiv të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, Riza Sapunxhiu dhe sekretari krahinor për Ekonominë, Selajdin Jadrashi, bënë homazhe dhe vendosën një kurorë në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut. Në ceremoninë e rastit ndodheshin zëvendëskryetari i Komisionit të Planit të Shtetit, Gani Qamo, zëvendësministri i Tregtisë së Jashtme, Myrteza Sinoimeri, zëvendëskryetari i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor për rrethin e Tiranës, Omer Haxhia dhe funksionarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ndodhej gjithashtu edhe ambasadori i jashtëzakonshëm e fuqiplotë i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, Branko Komatina.
Bashkëpunime edhe në fushën e filmit
Me ftesë të kinostudios së Kosovës “Kosovafilm” u nis për në Kosovë grupi i punonjësve të Kinostudios Shqipëria e Re. Ky grup do të kryesohet nga drejtori i saj, Vangjush Zallëmi. Gjatë kësaj vizite do të shkëmbehen eksperienca ndërmjet kinostudios “Kosovafilm” dhe Kinostudios Shqipëria e Re. Delegacioni shqiptar do të qëndrojë në Kosovë për pesë ditë, gjatë të cilave do të takohen me personalitetet më të larta kulturore të Kosovës.
Shkrimi është marrë nga gazeta “Bashkimi” më datë 28 janar 1981
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi
25 Shkurt 2008