E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE mbështet KQZ për trajnimin e trajnerëve të komisionarëve zgjedhorë

TIRANE - Prezenca e OSBE-së në Shqipëri po mbështet Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në mbajtjen e trajnimeve për 76 trajnerë, të përzgjedhur nga vetë KQZ-ja, lidhur me Kodin Zgjedhor të ndryshuar së fundmi dhe aktet nënligjore përkatëse. Sesioni i parë do të mbahet më 26 dhe 27 prill 2013, për t’u ndjekur nga një sesion i dytë trajnimesh, i parashikuar për datat 29 dhe 30 prill.

Sesionet do të përqendrohen në rolin e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) nga momenti i themelimit të tyre e deri në përfundim të procesit zgjedhor, duke përfshirë të gjitha fazat e veprimtarisë së Komisioneve. Trajnerët do t’i përdorin njohuritë e fituara prej tyre për trajnimin e anëtarëve të KZAZ-ve anembanë vendit në kuadrin e përgatitjeve për zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen më 23 qershor.

Trajnimi zhvillohet si pjesë e asistencës teknike që Prezenca e OSBE-së i jep Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë. Kjo asistencë synon të ndihmojë organet e administrimit të zgjedhjeve të përmirësojnë punën e tyre dhe të rrisin profesionalizmin. Kjo veprimtari po mbështetet edhe nga Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë.

(er.nu/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›