E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meksi: Ulja e taksave tkurr buxhetin me 17 miliardë lekë

Borxhi po rritet pa fre. Pa rritje ekonomike ska as rritje pagash e pensionesh

meksi-ermelindaSituata ekonomike në vend nuk duket aspak e mirë. Sidomos kur paralajmërimi për furtuna krizash të reja vjen nga një ish ministre e Ekonomisë siç është Ermelinda Meksi, lipset të merren masat e nevojshme.
Bien të ardhurat
Anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës në Bankën e Shqipërisë, Ermelinda Meksi ka paralajmëruar dje përmes medias se buxheti ka hyrë në spiralen negative të borxheve. “Në një kohë që ka rënie të ardhurash, kemi një rritje të shpenzimeve, por jo atyre për zhvillim, pra investimeve që reflektojnë ulje, por kemi një rritje te shpenzimeve korrente, që janë kryesisht shpenzime për paga, pensione dhe interesa borxhi. Kjo situatë bën që të reflektojë pas shumë kohësh fenomeni i deficitit ndaj të ardhurave korrente. Pra, kemi borxh për të shlyer pikërisht shpenzimet për konsum, paga, pensione, interesa borxhi”, thotë Meksi.
Ulja e taksave
Në tre muajt e parë të vitit, deficiti i buxhetit ishte 640 milionë lekë më i lartë se investimet publike. Përballë kësaj situate të vështirë me financat publike, tre muajt e fundit Qeveria ka ulur një sërë taksash, të cilat tkurrin të ardhurat në buxhet me 17 miliardë lekë të tjera. Ish-ministrja e Ekonomisë Ermelinda Meksi, thotë se kjo është e rrezikshme.
Rritja e borxhit
“Pa rritjen ekonomike, pa rritjen e të ardhurave është e pamundur rritja e mirëqenies, pra paga e pensione, dhe aq më shumë rritja e mundësive për të shlyer borxhet e marra. Në këtë rast dua të theksoj se precedenti i uljes së tavanit të borxhit në fund të vitit të kaluar, ka sjellë një situatë të rrezikshme për ekonominë, ku borxhi po rritet pa fre”, thotë Meksi.
Konsumi dhe investimet
Kriza e financave publike pasqyron tkurrjen e konsumit, por dhe investimeve publike e private. Zonja Meksi thotë se perspektiva nuk është optimiste kur tashmë, për herë të parë, pas shumë vitesh rritje, ekonomia po përballet edhe më rënie të kredisë. “Moskreditimi i derivatit, rënie e financimit të investimeve publike nëpërmjet buxhetit të shtetit do të sjellë një panoramë të ekonomisë së kontraktuar, e cila edhe sot funksionon nën kapacitet. Por në kushtet kur këta dy gjeneratorë mungojnë e bëjnë akoma më pesimiste situatën”, tha Meksi. Vitin e kaluar ekonomia shqiptare shënoi rritjen më të ulët që nga viti 1997, me vetëm 1.6 për qind, ndërkohë që edhe për këtë vit parashikimet e FMN dhe Bankës Botërore janë në po këto nivele.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›