134 vjetori i Lidhjes së Prizrenit bashkon liderët e trojeve shqiptare

Berisha: Në këtë tempull lindi kombi Thaçi: Pavarësia e Kosovës korrigjoi padrejtësitë historike ndaj shqiptarëve
Kuvendi i Prizrenit: Rezistencë kundër copëtimit të trojeve shqiptare
Kryeministri Berisha, Hashim Thaçi, Ali Ahmeti si dhe politikanë shqiptarë nga Mali i Zi, morën pjesë në ceremoninë e 134 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit
Nën tingujt e himnit kombëtar, liderët e trevave shqiptare përkujtuan 134 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit. Në aktivitetin e organizuar nga qeveria e Prishtinës merrnin pjesë personalitete të politikës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Në fjalën e tij kryeministri Sali Berisha e cilësoi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit si ngjarjen më kulmore pas luftërave të Skënderbeut, ku shqiptarët e të gjitha fiseve u mblodhën me përkushtimin “Një komb, një qëndrim” dhe me idealin e bashkimit kombëtar, në një kohë mjaft të vështirë kur kërkohej copëtimi i trojeve shqiptare. “Lidhja e Prizrenit përbën mrekullinë më të madhe shqiptare të të gjitha kohërave, shënon ngjarjen më kulmore pas luftërave të Skënderbeut, në të cilën shqiptarët që shtriheshin në trojet më të gjera në Ballkan kishin qenë objekt sulmesh, do të mblidheshin në këtë tempull me përkushtimin “një komb, një qëndrim”, me idealin e bashkimit kombëtar. Kohërat në të cilën udhëheqësit e trevave shqiptare u mblodhën ishin kohërat më të vështira. Evropa e asaj kohe po vendoste eliminimin e shqiptarëve si nocion politik, po vendosnin dobësimin e kombit, po vendosnin që trojet e shqiptarëve të shndërroheshin në plaçkë tregu në gjenocide”- u shpreh në nisje të fjalës së tij kryeministri, i cili shtoi se burrat nga të gjitha trevat do mblidheshin këtu të bindur se bashkimi i kombit ishte rruga e vetme për t’u përballur me mynxyrat që po gatuheshin në Berlinin e asaj kohe. Më tej, ai shtoi se Lidhja ia doli të përballej me pushtet e vullnetet e liga të asaj kohe të krijojë ushtrinë shqiptare, pas 4 shekujsh të ushtrisë së Skënderbeut, Lidhja shpalli integritetin e territoreve shqiptare dhe i tha botës se për shqiptarët dhe trojet do vendosim vetë ne shqiptarët. “Ndaj edhe sot çdo shqiptar kudo që është përulet me nderim të thellë para këtij tempulli ku lindi kombi shqiptar si nocion politik ku lindi ideali i bashkimit në një shtet të vetëm, ku lindi ideali “një komb, një qëndrim” që do u diktojë rrugën shqiptarëve për të sakrifikuar për liritë e tyre”-nënvizoi më tej kryeministri shqiptar, i cili e konsideroi këtë ditë një ditë falenderimi dhe nderimi për Kosovën dhe Prizrenin. “Çdo shqiptar ka vetëm një fjalë faleminderit Kosovë, faleminderit Prizren, se lidhja e Prizrenit ishte kryefjala që do u paraprinte përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe dinjitet. Faleminderit Kosovë që lindi ushtria shqiptare për t’u dalë zot trojeve të veta, se këtu u organizuan kryengritje gjigande që sollën pavarësinë e Shqipërisë, faleminderit Kosovë që nuk u përkule kurrë dhe solle pavarësinë e Kosovës, faleminderit që nxore burra të mëdhenj si Mic Sokoli, Azem e Shote Galica, legjenda të trimërisë, faleminderit Kosovë që nxore burra mendjendritur si Ibrahim Rugova, i cili organizoi rezistencën paqësore më të shkëlqyer që Evropa ka njohur në historinë e saj djemtë e vajzat e tua që vaditën me jetën e gjakun e tyre lirinë mbi të cilën ne qëndrojmë sot të lirë, çliruan Kosovën njëherë e mire dhe ne të qëndrojmë të lirë, të këndojmë këngën e lirisë dhe të ndërtojmë të ardhmen që meritojmë”- vijoi më tej Berisha. Duke i shprehur mirënjohjen NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për ndërhyrjen në Kosovë, në emër të lirisë dhe të drejtave, kryeministri shqiptar në fund të fjalës së tij ftoi fqinjët që të çlirohen nga paragjykimet mbi shqiptarët dhe të ndërtojnë së bashku të ardhmen evropiane. “Ftoj fqinjët të çlirohen nga paragjykimet mbi shqiptarët e të përpiqemi së bashku të ndërtojmë të ardhmen evropiane si e ardhmja më e shkëlqyer e shqiptarëve, maqedonasve dhe serbëve”- përfundoi fjalën e tij kryeministri shqiptar duke i shprehur edhe njëherë mirënjohjen atyre që mundësuan mbledhjen për të nderuar këtë tempull.
Thaçi: Pavarësia e Kosovës korrigjoi padrejtësitë ndaj shqiptarëve
Kryeministri kosovar Hashim Thaçi në fjalën e tij përshëndetëse në këtë ceremoni e vuri theksin tek rëndësia që pati Lidhja e Prizrenit e cila sipas tij i dha kuptim pavarësisë së Shqipërisë dhe forcoi kombin shqiptar, ndërsa pavarësia e Kosovës theksoi Thaçi korrigjoi padrejtësinë historike ndaj shqiptarëve. “Pavarësia e Kosovës korrigjoi padrejtësinë historike ndaj shqiptarëve, i dha kuptim Lidhjes së Prizrenit, pavarësisë së Shqipërisë dhe forcoi kombin shqiptar. Në 134 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit e cila festohet në vigjilje të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, Kosova përmbyll fazën e pavarësisë së mbikëqyrur”- nënvizoi kryeministri Thaçi, i cili shtoi se shqiptarët janë faktor i rëndësishëm në rajonin e Ballkanit. “Sot kemi një abetare të përbashkët, Shqipëri-Kosovë, po ndërtojmë autostradën e kombit Durrës-Prishtinë, së shpejti do të fillojë edhe autostrada Prishtinë-Shkup. Do harrohen kohët e vjetra. Po punojmë që në këto kodra të hapet tuneli që lidhet me Tetovën e Gostivarit, në mënyrë që të mos ketë kufij mes shqiptarëve, po shohim mundësitë e mëdha të mos ndajmë trevat, të mos ketë kufij”- u shpreh Thaçi.
Ali Ahmeti: Bashkimi i shqiptarëve, në Bruksel
Nga ana e tij, i mbërritur në Prizren nga Maqedonia, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, theksoi se ashtu si në të shkuarën, shqiptarët duhet të ndjekin sërish rrugën e bashkimit për në Bruksel. “Nga gjaku i Prizrenit, Dibrës, Frashërit apo Vokshit, u transmetuan në dejet tona vendosmëria për liri. Këta burra, 134 vjet më parë bashkuan shqiptarët, nga Preveza e Arta në jug e deri në Mitrovicë në veri. Duke bërë për vete idealet e Lidhjes së Prizrenit, duhet të punojmë për të bashkuar të gjithë shqiptarët në Bruksel, në një Evropë pa viza dhe të lirë për të gjithë bashkëkombësit tanë, pasi përveçse jemi shqiptarë, të gjithë ne jemi edhe evropianë”- tha lideri i BDI-së, Ahmeti.
Lidhja e Prizrenit u formua në vitin 1878, me delegatë nga të gjithë viset shqiptare, me synimin që t’i rezistohej ndarjes së territorit shqiptar, siç kishte vendosur traktati i Shën Stefanit, pas luftës turko-rose të një viti më parë. Lidhja kundërshtoi me forcë kalimin e Ulqinit, Plavës dhe Gucisë nën zgjedhën malazeze, ndërsa themeloi për herë të parë kërkesën për autonomi, arsimim në shqip e për njohje të identitetit shqiptar nga Porta e Lartë. Si rrjedhojë e karakterit kombëtar që kishte lidhja, ajo u konsiderua si një kërcënim për sovranitetin mbi territorin shqiptar nga Perandoria Osmane, që e shpërndau Lidhjen me forcën e armëve në vitin 1881.
Ramadan Muja: Prizreni, qyteti i vlerave të përbashkëta
Kryetari i komunës së Prizrenit Ramadan Muja në fjalën e tij u shpreh se ky përvjetor bëhet më i rëndësishëm, sepse mbahet në vigjilje të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Ai tha se në këtë vend u bashkuan në një mendje e një trup burrat e mëdhenj të trojeve shqiptare, të cilët shtruan rrugën për të ardhmen e kombit tonë. “Misioni i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është udhërrëfyesi më i mirë i përpjekjeve tona. Me këtë mision Shqipëria në shekuj për të ecur edhe pse u copëtua e nda nuk u gjunjëzua kurrë Shqipëria udhëhoqi përpjekjet e Kosovës për liri e pavarësi”- nënvizoi Muja, i cili shtoi gjithashtu se Shqipëria dhe Kosova janë një e të pandara për vizionin evropian. Kosova e pavarur dhe demokratike tha ai i qëndron besnike dhe bashkudhëton me Shqipërinë në rrugën drejt integrimit. Lidhja Shqiptare e Prizrenit u krijua më 10 qershor 1878 dhe qëllimi i takimit ishte formimi i një shteti autonom shqiptar, që do të mbulonte vilajetet osmane të Prizrenit, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës. Lidhja ishte Lëvizja e parë e madhe e organizuar politikisht, administrativisht dhe ushtarakisht për të krijuar një rajon të bashkuar shqiptar qysh nga dështimi i forcave të Skënderbeut në Mesjetë. Është etapa paraprake para pavarësisë së Shqipërisë.
...