Kryqëzohet Edi Rama, as propozon e as kundërshton dot një president

Opozita shpall daljen e saj “jashtë loje”, për shkak se lidershipi s’përballon dot konkurrencën e Fatos Nanos e as garën parlamentare. Debate në ashpra në mbledhjen e Kryesisë, kryqëzohet Edi Rama, i cili refuzon propozimin e kandidaturave
Kryesia e Partisë Socialiste s’doli as dje në konkluzione pozitive, për sa i takon propozimit të një kandidature të saj, pas kontestimit që i bëri gjyqtarit Xhezair Zaganjori, i cili të premten në mesditë u tërhoq nga gara.
Për rreth 2 orë e gjysmë debate të ashpra në selinë rozë, kryesia e PS-së është “shprehur” për një cikël të ri negociatash mazhorancë-opozitë, edhe pse takimet mes të mandatuarve dhe kryetarëve të partive, u konsumuan një javë më parë.
Në takimin e djeshëm, Rama është vënë në ballë të përgjegjësisë nga kryesia socialiste, pasi krejt ndryshe nga 3 javë më parë në mbledhjen e grupit të PS-së, kur kryesocialisti ngriti grupin e punës dhe kërkoi emra konkretë nga deputetët, ezaurimi i njëpasnjëshëm i raundeve të votimit, konfirmoi mungesën e dëshirës së kreut të PS, për të kontribuar në një proces tepër delikat, por i karakterizuar nga transparenca dhe kushtetutshmëria. Edhe anëtarët e kryesisë së PS tashmë janë të gjendje ta kuptojnë se pse tërhiqet Edi Rama nga gara presidenciale. Ai vuan paranojën e Fatos Nanos. Jo më kot paralajmërimet e Nanos janë për një listë mbështetësish, prej 20 deputetësh në grupin e PS-së, çka do të thotë imponim në vendimmarrjen e kryesisë socialiste.
Përballë kësaj sfide që i “dhuron” lideri historik i së majtës, kryesocialisti bëri “prapakthehu”, duke u tërhequr nga propozimi i kandidaturave dhe mbeti thjesht në pozita “pritëse”, por asnjëherë larg bllokimit dhe ultimatumit. Edhe theksi për një fazë të re negociatash mazhorancë-opozitë, është po aq i përngjashëm me frazat dëshpëruese të Ramës, për një takim me kryeministrin Berisha. Konsensusi dhe transparenca ishin dy parimet themelore të mazhorancës në procesin e zgjedhjes së Presidentit.
Opozitës iu ofrua çdo mundësi konsensusi, për të shprehur edhe ajo kontekstet e saj përmes propozimit të kandidaturave, të cilat do shqyrtoheshin gjatë negociatave, për të konkluduar në një kandidat zyrtar dhe i denjë për postin e Presidentit të Republikës.
Sot, është i pamundur për të ndikuar nga pikëpamja numerike në dy votimet e fundit, ku presidenti mund të zgjidhet edhe vetëm me votat e mazhorancës. I ndodhur në një situatë të tillë të pashpresë, kryesocialisti kërkon një tjetër takim me kryeministrin Sali Berisha.
E thënë më thjeshtë, kërkon vëmendje për tu cilësuar negociator edhe pse ai e di fare mirë rolin e tij të vërtetë në këtë proces që, ka qenë dhe është ai i bllokimit dhe shantazhit.