E Diel, 1 Nëntor 2026

25 mars 2008- Topalli: Të ruajmë vlerat monumentale nëpërmjet një politike moderne të zhvillimit urban.

   

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli ishte sot e ftuar në Konferencën: Prespektiva në Shqipëri dhe Ballkan me pjesëmarrjen e Ambasadorit italian në Tiranë, Saba DEllia, arkitektëve, inxhinierëve dhe dizenjuesve italianë e shqiptarë, për të diskutuar rreth vlerave arkitekturore të Shqipërisë, imazhit të saj, dhe perspektivës për  ruajtjen e identitetit dhe indivudalitetit që e bëjnë vendin tonë të dallojë nga të tjerët.

Në fjalën e saj përshëndetëse Kryetarja e Kuvendit u shpreh:

Shqipëria aktualisht është e impenjuar në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, telekomunikacionit, sistemit energjitik, sistemit shëndetësor, sistemit parauniversitar,  atij universitar e të tjerë. Por, e ardhmja e vendit varet edhe se sa ne do arrijmë të manaxhojme e ruajmë vlerat arkitektonike e monumentale ekzistuese në të gjithë vendin  nëpërmjet një politike moderne të zhvillimit urban e territorial. Bëhet fjalë për të realizuar në mënyrë konkrete, veçanërisht në zona urbane si  Tiranë e Durrës por edhe në të gjithë vendin, objektiva të një zhvillimi kompleks të mbështetur si nga pikpamja ekonomike ashtu edhe nga ajo mjedisore e sociale. Bëhet fjalë pra, për të sjellë në qendër të tendencës së rritjes ekonomike të vendit , që tashmë ka tregues konstant prej afro 6% në vit, cilësinë e jetës së qytetarit, duke i kushtuar një kujdes të vecantë rinisë dhe brezave të ardhshëm.


Para nesh shfaqen dy realitete; nga njera anë zonat informale, për të cilat duhet investuar për ngritjen e shërbimeve të ndryshme publike, infrastrukturës parësore e dytësore, dhe nga ana tjetër, ruajtja e restaurimi i vlerave arkitektonike e monumentale të cilat janë një nga shtyllat që nëpërmjet zhvillimit të turizmit kulturor i shërbejnë rritjes së imazhit pozitiv të vendit dhe forcimit të idenititetit të Shqipërisë.

Më lejoni të theksoj se Qeveria dhe Kuvendi po i kushtohet rëndësi e vecantë dhe po punohet fuqimisht në të dy drejtimet e sipërpërmendura si në legalizimin e zonave informale, investimeve për urbanizimin e këtyre zonave, ngritjen e shërbimeve të ndryshme publike, infrastrukturës së nevojshme ashtu edhe në restaurimin e vlerave arkitektonike e monumentale në të gjithë vendin.Vetëm për vitin 2008,  me qëllim përmirësimin e gjendjes së monumenteve të kulturës dhe trashëgimisë kulturore në të gjithë territorin e vendit, qeveria shqiptare ka aprovuar një  rritje me 128 %  në krahasim me vitin 2007.

Në këto kushte është shumë pozitive që ekspertë të arkitekturës, urbanistë, dizajner italianë e shqiptarë të debatojnë në mënyrë konstruktive duke u përballur me aspektet historike, ato të zhvillimit , vlerësimin e ideve dhe projekteve të ndryshme në këtë fushë, si për Tiranën ashtu edhe në qytete të tjera. Janë pikërisht këto sugjerime profesionale, të dala nga analiza shkencore nga te cilat politkbërësi duhet të marrë rolin e vendimarrësit të menjëhershëm e koherent për nevojat e shoqërisë.

Në këtë konferencë mund të pohoet se, nga njëra anë forcohet lidhja e vjetër dhe bashkëpunimi ekzistues në këtë fushë, midis Italisë dhe Shqipërisë dhe, nga ana tjetër, krijohen në mënyrë logjike, bashkëpunime funksionale, të cilat mund ti vijnë në ndihmë aleancave në Evropën e re, pjesë e së cilës është Shqipëria dhe gjithë zona ballkanike.

Tirana është mjaft e pasur në vepra të arkitektëve italianë, që janë përfaqësues të epokës së racionalizmit. Mbi këto vepra, në mënyrë graduale, po projektohen ndërhyrje të arkitekturës moderne si nga ekspertë të shquar  shqiptarë, ashtu dhe nga ata ekspertë italianë me peshë të cilët kthehen për ti dhënë një shenjë moderznizimi e cila të mund të respektojë, sa të jetë e mundur, vlerat monumentale dhe arkitektonike të së kaluarës. Kjo edhe sepse siç e dimë një popull që ska histori ska të ardhme.

Historia e vendit tim është edhe një pjesë e historise së Italisë por edhe historia e Italisë është një pjesë e historisë së Shqipërisë. Këtë e dëshmojnë mbi 200 000 arbëresh me kostumet, zakonet si dhe arkitektura rurale në shumë fshatra në jug të Italisë.

Duke e ditur që po flas para ekspertëve më të mirë shqiptarë e italianë të fushës uroj që nga ky takim të dalin ide, projekte, propozime që do mund të jenë të vlefshme edhe për punën e Kuvendit të Shqipërisë për të ndërmarrë inisiativa ligjore për përmirësimin e legjislacionit aktual.

Realizimi i kësaj konference jep sigurinë që të gjithë së bashku po bëjmë diçka konstruktive e funksionale për të ardhmen e Shqipërisë, Italisë dhe Europës, përfundoi fjalën e saj Kryetarja e Kuvendit, Jozefina  Topalli.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›