E Diel, 1 Nëntor 2026

14 sportistët më të suksesshëm nderohen simbolikisht nga MTKRS

Katërmbëdhjetë sportistët më të suksesshëm thuajse në të gjitha sportet e rëndësishme në vend janë nderuar dje në mënyrë simbolike nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për paraqitjet e tyre gjatë vitit 2009 në aktivitetet kombëtare apo ndërkombëtare. Në një ceremoni festive të mbajtur në një nga lokalet e kryeqytetit, ministri Ferdinand Xhaferaj shpërndau trofetë. Pjesëmarrës në këtë ceremoni, përveç drejtuesve të MTKRS-së ishin edhe përfaqësues nga federatat sportive shqiptare, sportistë dhe trajnerë. Ministri Xhaferaj mbajti një fjalim, ku e vuri theksin "te mirënjohja për sportistët tanë për arritjet gjatë 2009-ës, shumë prej të cilëve kanë ngritur lart flamurin shqiptar në turnetë e rëndësishëm ndërkombëtarë". Ndër sportet e dalluara, ministri veçoi atë të peshëngritjes, i cili vetëm gjatë vitit 2009 ka arritur të marrë 34 medalje ari, argjendi dhe bronzi. Xhaferaj përshëndeti në veçanti sportisten Romela Begaj, "si të vetmen vajzë shqiptare me rezultatet më të larta sportive të të gjithë kohërave". Po ashtu drejtuesi më i lartë i MTKRS-së u zotua për përkushtimin në evidentimin e vlerësimin e talenteve të reja dhe do të japë një mbështetje të konsiderueshme për federatat sportive që konkurrojnë në nivele të larta kombëtare e ndërkombëtare. Po ashtu u mëshua shumë edhe mbi politikat që duhen ndjekur për përballjen e sfidave të ardhshme. Me trofe u nderuan Romela Begaj, Erkand Qerimaj dhe Ervis Tabaku (peshëngritje), Majlinda Kelmendi (xhudo), Elis Bakaj dhe Gjergj Muzaka (futboll), Sara Abdullahi (not), Migena Plasa dhe Erkand Karaj (basketboll), Marsel Serrmi e Serxhio Sina (boks), Klejda Shkurti dhe Klodian Kasa (volejboll) dhe Erjon Tola (ski).

A. Manallari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›