Genti Tavanxhiu, një skulpturë për kishën "Regina Pacis"
Në qendër gjendet një figurë dramatike, një Engjëll që del në pah si të ishte bashi i një anijeje. Bëhet fjalë për një ambon (platformë e ngritur në një kishë nga ku lexohet Bibla gjatë një meshe), të cilin skulptori shqiptar, Genti Tavanxhiu, e ka gdhendur për kishën "Regina Pacis" në Rieti të Italisë. Kjo vepër do të përurohet për Krishtlindje, më 25 dhjetor. Për ta realizuar, skulptori ka punuar për katër muaj me radhë. Autori me qëllim, nuk e ka zgjedhur modelin e një amboni në formë katrore, sipas ikonografisë tradicionale, e cila lidhet me simbologjinë e varrit bosh. Ai ka dashur ta kthejë atë në një përmbajtës të vërtetë mesazhesh. Amboni është projektuar si një ndërlidhës organik, si përmbajtës i një mesazhi. Në këtë vepër janë përfshirë edhe elemente simbolike, siç është pafundësia që për shumë popuj antikë ishte një simbol i rëndësishëm që lidhte njerëzimin me hapësirën. Ajo gjendet në këmbët e Engjëllit, si për të treguar një rrugëtim të gjatë. Një tjetër simbol i rëndësishëm e kuptimplotë i kësaj vepre të realizuar prej skulptorit shqiptar është edhe dora dhe libri me vargjet e Ungjillit. Në këtë vepër, artisti vë në dukje se aftësitë e tij artistike janë gjithnjë në rritje. Nëpërmjet modernitetit ai përballet me një temë klasike. Siç thotë kritiku Renzo Margonari, Genti Tavanxhiu është një njohës fantastik i gjuhëve dhe formave të ndryshme të të shprehurit nëpërmjet skulpturës. "Ai është një artist që me veprat e tij lidh traditën e vendit nga ka ardhur me ato të vendit ku jeton".