Në konkurrim vetëm me Miriamin
Jeta artistike dhe profili publik i Alban Skënderajt kanë ndryshuar mjaft nga shfaqja e parë në skenë. Pesë vjet të shkuara, me pasionin e një djaloshi të dhënë pas muzikës, trokiti në derën e një festivali për afirmim. Kënga me të cilën konkurroi në edicionin e dytë të "Top Fest" u shndërrua shpejt në një hit mes të rinjve, ndërsa ai vetë në një këngëtar premtues. Këto ditë, së bashku me të dashurën e tij, Miriam Cani, ndodhen në Tiranë për një tjetër eksperiencë. Atë të prezantuesit. Do të drejtojnë së bashku Festivalin e Këngës në RTSH. Miriami paksa e sprovuar në këtë fushë, ndërsa Albani në pozitat e një fillestari. Tashmë ndajnë edhe jetën artistike bashkë. Mbyllën një vit të suksesshëm dhe kanë plot ide të reja. Albani po përgatitet për një album italisht e një tjetër shqip, që pritet të dalë në verë të 2010-ës. Nuk do të mungojnë koncertet dhe prezantimet, ndërsa flasin me dyshime për konkurrimet në festivale. Një duet ndoshta do të ishte motivi që do t‘i nxiste të dy.
Eksperienca e parë si prezantues në festivalin e RTSH-së. Si po e përjetoni këtë moment?
Fillimisht e kishim pak me frikë, ishim të pavendosur. Kjo është eksperiencë dhe na u desh të konsultohemi me njëri-tjetrin, por edhe me miqtë, para se të vendosnim. Profesioni ynë është të kënduarit dhe atë e bëjmë më lehtësisht, por ndjehemi mirë që tashmë jemi në anën e kundërt dhe do të mund të provojmë të kemi një komunikim të afërt me këngëtarët, të njohim emocionet e tyre e ndoshta edhe t‘i ndihmojmë.
Para dy vjetësh provuat të ishit edhe pjesë e jurisë. Vota juaj u diskutua shumë...
Ishte eksperiencë jo e mirë që nuk do ta ribëja, por çdokush që do të ndodhej në atë situatë, në një kohë që i ka të qarta e të shenjta idetë e veta, nuk do të bëjë pazare. Këtu është një rreth i vogël ku njihesh me këngëtarët, me kompozitorët dhe ka probleme. Është një situatë jo e këndshme dhe e vështirë nga ana profesionale. Për më tepër që mua më ndodhi e papritur dhe nuk e prisja.
Jemi në fund të vitit 2009. Si ka qenë artistikisht ky vit për ju?
Për të dy ne, si për mua dhe Miriamin, ka qenë shumë i mirë artistikisht. Kemi pasur projekte dhe ide, një pjesë e të cilave u realizuan dhe të tjera do të punohen në vazhdim. Ne gjithmonë jemi në pararojë, ecim me plane. Deri më tani kemi planifikuar 6 muajt e ardhshëm të 2010-ës dhe besoj se 80-90% të ideve do të realizohen.
Realizimi i këngës "This is your day" ("Kjo është dita jote") në pistën e Formula 1 në Gjermani la në gjysmë një projekt për albumin italisht. E keni rinisur punën?
Ka rilindur si projekt dhe kam përshtypjen se një pjesë të mirë të vitit 2010 do t‘ia kushtoj këtij angazhimi. Por njëkohësisht do punoj edhe për albumin e ri shqip, që shpresoj ta publikoj në verën e vitit të ardhshëm. Miriami po ashtu ka idenë e një albumi.
Në tregun muzikor ndërkombëtar, pse zgjodhët pikërisht atë italian për t‘u promovuar si këngëtar?
Unë jam rritur në Itali, e njoh mirë gjuhën dhe kulturën. Nga ana tjetër, natyrisht muzika ime është shumë afër stilit italian dhe pëlqehet. Një arsye tjetër janë tekstet që unë pëlqej t‘i shkruaj vetë për këngët e mia dhe e kam të lehtë duke qenë se gjuhën italiane e njoh po aq mirë sa shqipen. Për momentin në Itali shoh që ka shumë hapësirë për talentet e reja, po ndodh një riciklim i artit dhe mendoj se është koha për të bërë diçka.
E keni nisur punën për albumet, çfarë do të përfshihet në to?
Për albumin italisht është punuar gati gjysma e këngëve, ndërsa për albumin shqip kam ide, por nuk është punuar në studio. Do të ketë secili këngë të veçanta, përveç ndonjë realizimi që do të më pëlqejë shumë e mund ta përfshij në të dy albumet.
Ju i shkruani vetë tekstet e këngëve. Nuk keni besim te të tjerët?
Më janë ofruar edhe tekste nga të tjerët, por nuk më janë përputhur në stil. Unë e njoh mirë veten dhe kam përshtypjen që 100% mund ta jap vetë. Deri më tani nuk ka ardhur dikush që mund të kënaqë pritjet e mia.
Albumi i fundit, "Melody", u prit suksesshëm në tregun shqiptar, shpesh i diskutueshëm për promovim vlerash. Prisni të njëjtën gjë për albumin e ri?
Në Shqipëri muzika vuan nga paramendimet, nga ide fikse se kjo pëlqehet e tjetra jo. Çelësi i suksesit qëndron të jesh origjinal, të bësh atë që të vjen nga brenda. Për sa i përket albumit të ri, do të isha i kënaqur edhe nëse do të kishte gjysmën e suksesit të albumit të fundit.
Do tentoni në motive të reja, rryma apo përzierje të tyre?
Motivet janë pak a shumë të njëjtat, ndryshon thjesht koncepti i të bërit muzikë. Unë marr grimca nga shumë gjëra. Ndërsa për përzierjen e rrymave është një tendencë e vazhdueshme e imja që besoj se do të theksohet edhe më shumë, sepse sërish mbetet origjinaliteti në vokal, në tekst, në interpretim.
Do të vazhdoni të bëni pjesë në konkurrime muzikore, apo është e kaluar kjo fazë?
Kjo do të varet se çfarë do të arrijmë ne muzikalisht në vazhdim, por e shohim veten në një konkurrim ku të marrim pjesë me duet. Ky ndoshta do të ishte motivimi. Miriami nuk i parapëlqen konkurrimet, karriera e saj është ndërtuar në një tjetër mënyrë, ndërsa unë kam eksperiencat e mia që kanë qenë shumë të bukura e të suksesshme, por kam përshtypjen se gjërat janë në proces. Do të ishte interesante të konkurronim së bashku.
Si është organizuar jeta juaj?
Jetën private e jetojmë në Gjermani, ku kemi një shtëpi të përbashkët. Kur kemi kohë të lirë, shkojmë në Itali, ku janë vendosur prindërit e mi, ndërsa në Shqipëri ndodh që kryesisht të vijmë për punë. Pjesën më të madhe të kohës e kalojmë në lëvizje.